Globi

SHIFRA E DITËS: 3.3 milionë fluturime private në vit, të pasurit që ndotin planetin

Shkruar nga Liberale

Nga Aranit Muraçi

Njerëzit e pasur dhe të famshëm po vihen nën kritika të ashpra, për përdorimin e avionëve privatë, pasi një raport nga agjencia e marketingut “Yard” zbuloi se Taylor Swift, Floyd Mayweather dhe Jay-Z ishin ndër ndotësit më të famëkeq, kur bëhej fjalë për përdorimin e avionëve privatë.

Ndërkohë qeveritë në mbarë botën shpenzojnë miliarda dollarë për klimën dhe energjinë.

Swift, e cila kryeson listën e të famshmëve, emetoi gjatë fluturimeve private këtë vit afro 8,300 ton dioksid karboni, njohur ndryshe si CO₂, sipas raportit. Kjo sasi është më shumë se 1000 herë krahasuar me emetimet mesatare vjetore të një personi tjetër të zakonshëm.

Një zëdhënës i Swift u përpoq të largonte përgjegjësinë, teksa pretendoi se atribuimi i këtyre udhëtimeve asaj ishte i pasaktë pasi avioni i saj u huazohej rregullisht individëve të tjerë. Përdorimi i avionit privat e ndot në udhëtim si asnjë mjet tjetër mjedisin. Sipas një raporti rreth Transportit dhe Mjedisit, avionët privatë janë pesë deri në 14 herë më ndotës se avionët e linjave dhe 50 herë më ndotës se trenat.

Raporti i Yard tregon edhe një herë sesi veprimet e ndërmarra nga pakica e pasur ndikojnë në mënyrë disproporcionale në ndotjen e mjedisit. Kritikat ndaj të famshmëve dhe të pasurve vijnë në një kohë kur bota digjet nën temperaturat rekord të shkaktuara nga ndryshimet klimatike. Dhe hipokrizia me mbledhjet dhe takime pa fund, madje dëgjohen të flasin apo gjoja të sensibilizojnë njerëzit e thjeshtë pikërisht ata që e ndotin më tepër mjedisin.

Përdorimi i avionëve privatë u rrit edhe më tepër pas pandemisë së koronavirusit, pasi individët e pasur për disa arsye synonin të shpëtonin nga kufizimet e Covid-19, të mos infektoheshin apo edhe nga shqetësimet e anulimeve të fluturimeve.

“Industria ajrore dhe aeroportet po përballen me mungesa të stafit dhe sfida të ndryshme për të kapërcyer, të cilat po vazhdojnë të nxisin rritjen e klientëve dhe pasagjerëve të rinj në Jettly”, tha Justin Crabbe, shefi ekzekutiv i Jettly, një aplikacion për rezervime avionësh privatë. Pavarësisht rritjes së kostove të karburantit, rezervimet mujore të fluturimeve në këtë platformë afërsisht janë dyfishuar pas vitit 2019.

Në vitin 2021 pati 3.3 milionë fluturime private të regjistruara, shifër rekord nga vitet e tjera, sipas kompanisë së industrisë së aviacionit WingX. Ndërsa kërkesa për avionë privatë ka filluar të arrijë kulmin, kërkesat e korrikut për avionë privatë u rritën me 13 për qind nga nivelet para pandemisë. Ndërkohë, linjat e zakonshme ajrore po përballen me krizën për t'u rikuperuar traumat pas pandemisë, duke qëndruar 22 për qind prapa kërkesës para pandemisë. /Liberale.al/

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH