Dossier

Procesi i bujshëm/ Si i dënoi Mbreti Zog zyrtarët e lartë të …

               Publikuar në : 18:02 - 11/05/20 liberale

Dashnor Kaloçi

Memorie.al publikon historinë e panjohur e gjyqit të famshëm të implikuarëve në aferën e pullave të monopolit të Ministrisë së Financave në kohën e Monarkisë së Zogut, i cili zgjati për pesë vite me rradhë nga 1932 deri në 1936-ën dhe u pasqyrua gjerësisht pothuaj nga të gjitha gazetat kryesore të asaj kohe, si “Besa”, “Vatra”, “Arbnia”, etj. Dëshmitë e ministrave Lame Kareco, Rrok Gera, Kol Thaçi etj., ndaj të akuzuarëve, që u dënuan me burgime të rënda për përvetsimin e rreth gjysëm milion franga ari , si dhe dëshmitarët e tjerë si: Ibrahim Kodra, Vehib Hoxha, Sali Tagani, Zyber Bakiu, Sulejman Kazani, Shaban Vrapi, Shaban Sela, Mustafa Kadiu, Rushid Hoxha, Qazim Gjinali, Sute Kadami, Kasëm Muja, Rasho Myslimi, Toke Gjylja, Speo Kasemi dhe Zejnel Qazimi.

“Kol Guga thotë se Zija Hallulli i ka thënë se pullat nuk janë të vjedhura, por rrjedhshin thjeshtësisht nga rroga e tij, prandaj i ka blerë pa hezitim, natyrisht dyke lakmuar dhe fitimin që i lejshin pullat e blera në këtë mënyrë, d.m.th. me një konto 10 përqind më tepër. Zija Hallulli i mohon krejtësisht thëniet e Kol Gugës, tue deklarue se nuk ka shitë kurrë pulla monopoli. Arif Shehu që është shoq i Kol Gugës në tregti, deklaroi se edhe ky në mungesën e Kolës, ka ble pulla nga Zija Hallulli dhe se Zijaji e ka sigurue në nderin e familjes se pullat nuk janë të vjedhura por të rrjedhshme nga pagesa e rrogës që do të merrte për nënpunësin e tij si protokollist i Këshillit Kontrollues. Pyetet përsëri Zija Hallulli, dhe në prezencën e Arifit mohon në mënyrë të preme t’i ketë shitur pulla.

I pandehuri Hajdar Grepca deklaroi se i ka shitë pulla Haki Ali Mehmetit, ish-shërbëtor i Noterit publik, Dr. Jonuz Tafaj, dhe këto pulla i ka marrë prej Osman Prezës dhe njëherë të vetme prej Zija Hallullit. Osman Preza dhe Zija Hallulli pyeten prej Kryetarit në se i kanë dhënë pulla, dhe që të dy mohojnë kategorikisht”. Kështu shkruante mes të tjerash në një artikull të saj gazeta “Besa” në periudhën e Monarkisë së Zogut lidhur me proçesin e famshëm gjyqësor i njohur ndryshe si “gjyqi i pullave të monopolit” ku ishin vënë nën akuzë dhe implikoheshin disa zyrtarë të lartë të asaj kohe për “shëpërdorim të postit zyrtar dhe përftime të paligjëshme”, proces i cili zgjati nga viti 1932 deri në 1936-ën. Po si u zhvillua ai gjyq, kush ishin trupa e gjyqsorit dhe të pandehurit kryesorë, çfarë akuzash rëndonin mbi ta, si kishin bashkëpunuar me njëri tjetrin, kush ishin zyrtarët e Ministrisë së Financave të implikuar në atë aferë korruptive dhe sa u dënuan ata në fund të atij procesi gjyqësor që njihet si më i bujshmi i periudhës së Monarkisë së Zogut dhe që zgjati pesë vjet me rradhë në të gjitha shkallët e gjyqësorit?. Lidhur me këto e të tjera anë të panjohura të atij gjyqi, na njohin disa nga shkrimet e gazetave të ndryshme të asaj kohe, si “Besa”, “Vatra”, “Arbnia” etj., të cilat e përcollën me hollësi në faqet e tyre të gjitha seancat e tij.

Gjyqi i pullave në Apel

Gjyqi  i të implikuarëve në “pullat e monopolit” filloi diku aty nga viti 1932 në Gjykatën e Shkallës së Parë (Gjykata e Fakti) në Tiranë, dhe më pas ai vijoi në Gjykatën e Diktimit, (sot Gjykata e Apelit) duke zgjatur deri në 1936-ën. Lidhur me ato seanca të Diktimit, midis të tjerash në gazetën “Besa” të atyre viteve shkruhet: “Kol Guga thotë se Zija Hallulli i ka thënë se pullat nuk janë të vjedhura, por rrjedhshin thjeshtësisht nga rroga e tij, prandaj i ka blerë pa hezitim, natyrisht dyke lakmuar dhe fitimin që i lejshin pullat e blera në këtë mënyrë, d.m.th. me një konto 10 përqind më tepër. Zija Hallulli i mohon krejtësisht thëniet e Kol Gugës, tue deklarue se nuk ka shitë kurrë pulla monopoli. Arif Shehu që është shoq i Kol Gugës në tregti, deklaroi se edhe ky në mungesën e Kolës, ka ble pulla nga Zija Hallulli dhe se Zijaji e ka sigurue në nderin e familjes se pullat nuk janë të vjedhura por të rrjedhshme nga pagesa e rrogës që do të merrte për nënpunësin e tij si protokollist i Këshillit Kontrollues. Pyetet përsëri Zija Hallulli, dhe në prezencën e Arifit mohon në mënyrë të preme t’i ketë shitur pulla.

I pandehuri Hajdar Grepca deklaroi se i ka shitë pulla Haki Ali Mehmetit, ish-shërbëtor i Noterit publik, Dr. Jonuz Tafaj, dhe këto pulla i ka marrë prej Osman Prezës dhe njëherë të vetme prej Zija Hallullit. Osman Preza dhe Zija Hallulli pyeten prej Kryetarit në se i kanë dhënë pulla, dhe që të dy mohojnë kategorikisht. Miret në pyetje i pandehuri Koço Grameno, i cili deklaroi se thëniet e tija të mëparshëme i ka të drejta. Ka marrë prej Mehdi Shehut një pako me pulla monopoli për t’i shitur në Korçë. Dhe atje ia ka dhënë për shitje Mihal Kreshpanit, të cilin e kishte mik të ngushtë duke i lënë një fitim prej 25 përqind. Një herë i ka dërguar nga Korça Mehdi Shehut 250 franga ari me telegram. Dhe Zija Hallullit po në këtë mënyrë i ka dërguar një herë 500 franga ari. Në kohët e fundit kur po dilte në shesh çështja e pullavet, ka djegë ato që i kishin ngelë pa shitë, të cilat kapnin shumën prej 1500 franga ari. Pyetet Zija Hallulli në se kishte marrë të hollat e dërguara nga Koço Grameno, dhe deklaron se të hollat i ka marrë nga posta, por nuk kanë qenë të holla që rrjedhshin nga pullat që pretendohet. Ishin kundrejt një borxhi, që tre muaj më parë i kish dhënë Koços, kur ky ish në Tiranë dhe kish nevojë të madhe. (Gjyqi u shty për ditën e shtunë datë 13 tetor).

Deklarata e dëshmitarëve në gjyq

Të shtunën mbas dreke u hap seanca e katërt e procesit të pullavet të Ministrisë së Financavet. Gjyqi kryesohesh prej zotit Izet Leskoviku, ishin prezentë avokatit mbrojtës, dhe gjithë të pandehurit. Në këtë senacë ishin caktuar që të pyeteshin 15 dëshmitarë e së Drejtës Botnore: Sulejman Dashi, Vehib Hoxha, Kamber Hidi, Ibrahim Kodra, Mehmet Latifi, Abdyl Koka, Zyhdi Ismaili, Bajram Mehmet Daci, Beqir Keqi, Muharrem Shatku, Llambi Niçi dhe Huan Valla. Mbasi secilit iu këndua tekstualisht deponimi i bërë në Gjyqin e mëparshëmë, të cilin e pohuan krejtësisht, përsëritnë dhe këto deponime. Sulejman Dashi deklaroi se Jonuz Tafaji, pullat i ka blerë gjithmonë tek ay, me anë të shërbëtorit të tij Haki Ali Mehmeti, i cili pretendonte bakshishe prej tij, se blente pulla shpesh. Ky i kish premtuar dhe i jepte nga 3-4 lekë, kur i blente tek ay, por dhe këtë bakshish nuk ja jepte çdo rradhë. Mbasi Haki Ali Mehmeti nuk kish mbetur i kënaqur me këto dhurata të vogla që i jepte Sulejman Dashi, shkonte te pullashitësit e tjerë që i jipnin më shumë bakshish. Rastësisht takoi një ditë që i ka thënë Noterit, se cili ishte shkaku që nuk blen pullat tek ay. Dhe Noteri ka gërthitë, dyke thënë që të shkonte të blente tek Sylejmani e jo gjetiu. Me gjithë këtë shërbëtori ka vazhduar si më parë, pa marrë në konsideratë urdhrin e superiorit të tij. Dëshmitarët e tjerë: Kamber Hidi, Osman e Beqir Koçi, Bajram Mema, deklaruan se kanë parë Zija Hallullin dyke lojtar kumar dhe se kish humbur disa herë, Mehmet Daci deklaroi se nuk ka asnjë dijeni, gjithkështu deklaroi edhe dëshmitari Muharrem Shatku.

Ismail Priska, furrxhiu, tha se nuk ka parë Zija Hallullin dyke hyrë në shtëpinë e Dr. Jonuz Tafajt. Abdyl Koka tha se kish vajtur në zyrën e Dr. Tafajt dhe i kish dhënë një letër që ia kish dhënë Zija Hallulli. Pyetet Zija Hallulli, se ç’kishte shkruar në atë letër, dhe thotë se kish porositur një akt huaje me të cilën i detyrohej Leo Cobës, një shumë prej 120 napolona ari, të cilat i kish marrë hua. Kështu Abdyl Koka i kish kthyer përgjigjie Zijas, që akti ish gati të nesërmen në një orë të caktuar. Pyetet Dr. Jonuz Tafaj, dhe mban mënd të jetë redaktuar një akti i tillë në Zyrën e tij noteriale, midis z. Leo Cobës dhe Zija Hallullit. Dëshmitari z. Huan Valla, deklaroi se ka gjetur një pako me pulla në fushën e Shallvares dhe mbi të kish mbajtur një proces-verbal i cili ndodhet midis kateve gjyqësorë. Zija Hallulli, sikurse edhe në seancat e para vazhdon të mohojë çdo dijeni dhe nuk pranon asnjë akuzë të dëshmitarëve q’e akuzojnë. Nga dëshmitarët mungonin: Vehib Hoxha dhe Ibrahim Kodra, për të cilët u vendos të dëgjoheshin në seancën e ardhshme më datën 27 të këtij muaji. (Gazeta “Vatra”. E martë 23 Tetor 1934)

Dëshmitë e dëshmitarëve

Të shtunën mbas dreke u hap seanca e pestë e gjyqit mbi pullat e Ministrisë së Financavet. Këtë rradhë meqënse mungoi z. Izet Leskoviku, Gjyqin e kryesoi z. Ymer Berati. Në këtë senacë ishin caktuar të dëgjoheshin dëshmitarët e së drejtës Botnore, që ishin: Ibrahim Kodra, Vehib Hoxha, Sali Tagani, Zyber Bakiu, Sulejman Kazani, Shaban Vrapi, Shaban Sela, Mustafa Kadiu, Rushid Hoxha, Qazim Gjinali, Sute Kadami, Kasëm Muja, Rasho Myslimi, Toke Gjylja, Speo Kasemi dhe Zejnel Qazimi. Mungonte në këtë seancë me arsye të justifikueshme i pandehuri Koço Grameno, dhe për këtë shkak Prokurori i Shtetit kërkoi azhurnimin e seancës. Avoketnit mbrojtës bashkarisht kërkuan që të mos ndërpritet seanca mbasi mungesa e të pandehunit nuk sjell ndonjë pengim në dëgjimin dëshmitarëve. Trupi Gjykues vendosi unanimisht vazhdimin e Gjyqit, dhe u thirrën me rradhë dëshmitarët. Dëshmitari i parë Ibrahim Kodra, përsëriti se kish thënë në gjyqin e mëparshëm, dhe deklaroi përsëri se katër vjet më parë, Zija Hallulli kish lojtar kumbar në kafenenë e tij dhe kish humbur një shumë të hollash prej pesë napolonash.

Zija Hallulli e përgënjeshtron, me pretendimin se Ibrahim Kodra nuk kish pasur ndonjëherë kafene që të ketë lojtar Zijai dhe të ketë humbur. Vehib Hoxha, deklaroi se njeh nga të pandehurit Selman Radën, Hasan Spahiun dhe Dr. Jonuz Tafajn. Pyetet në se din gjë për çështjen e pullavet, dhe deklaron se i kanë ardhur në Bankën Kombëtare ku është llogaritar, Selmani dhe Hasani, të cilët i kanë propozuar shitje pullash, sa për Dr. Jonuz Tafajan, e ka bashkëpunëtor në relacionet bankare që i takojnë me Noterin, duke e njohur atë për njeri të ndershëm. Zija Hallullin nuk e ka njofto më parë se të dilte në shesh skandali i pullavet. Sali Tagani, Zyber Bakiu, Sulejman Tagani, Shaban Vrapi, Shaban Jusuf Sela, që të gjithë deklaruan se nuk kanë asnjë dijeni rreth çështjes së pullavet, gjithkështu deklaruanë dhe dëshmitarët Qazim Gjinali, Speo Kasemi, dhe Zejnepe Qazimi. Mungonin dëshmitarët: Rasho Myslymi, Toke Gjylja, Sute Kademi, Kasem Muja, Mustafa Kadiu, Mustafa dhe Rushid Hoxha. Trupi Gjykues vendosi thirrjen e tyre përdhunisht, dhe vazhdimin e Gjyqit me datë 15 nëntor të këtij viti.(Gazeta “Vatra”. E Martë 30 tetor 1934)

 Vendimi i gjyqit me dënime të rënda

“Gjykatorja shqyptoi vendimin kundra shpërdoruesva të pullave të monopolit”. “Zija Hallulli me njëmbëdhjetë bashkëpunuesa u dënuen me burgime e gjoba të rënda”. Me një interesim të madh pritej dje mbasdreke prej publikut vendimi i gjyqit kundra të pandehurve për shpërdorimin e pullave të monopolit me implikim në mënyrë direkte; prandaj selia e Gjykatores së Shkallës së Parë ndodhej e mbushun plot prej adsistuesish t’ardhun qysh përpara orës 4. Pikërish në orën 4 e 30 hapet seanca me trupin gjykues të përbam prej kryetarit. Z Izet Leskovikut, dhe anëtarëve zz. Pandeli Martiniani, Dhimitër Goda; prokuror Z. Komnino.

Një heshtje e madhe e përcjellun me një vëmnëdje të kujdesshme mbretëroi në sallë dhe sekretari nisi të këndoi vendimin e përbamë njëzetepesë faqesh të shkruese makinë. Vendimi i Gjyqit, tue arsyetue pandehsin e secilit të pandehun, provat e sjelluna për fajsin ose shfajsin e tyne dhe tuj shfaqun rreth secilit të pandehun bindjen e trupit gjykues, përfundon se vepra e të pandehunit kryesor, Zija Hallulli, formon faj të parapamë si delikt prej nenit 477 Nr.1 të Kodit Penal, i cili për vjedhjet e bame në zyrat, arkival ose stabilimentat publike mbi sende që ruhen atje, cakton një ndëshkim me burgim të randë deri në katër vjet dhe me një gjobë të randë të paracaktueme. Për të pandehunit e tjerë: Mehmet Shaban Spahiu, Mehdi Shehu, Koço Grameno, Osman Preza, Hajdar Grepsa, Hasan Spahiu, Jonuz Tafaj, Kol Guga, Arif Shehu e Selman Rada, vepra e tyne konsiston në blerje, pranim, ndërmjetsim e shitje të pullavet të monopolit të Shtetit e formon faj të parapam si delikt prej paragrafit 1 të nenin 469 të Kodit Penal ku ata që bajnë këto vepra, pa pasë bashkëpunue në deliktin kryesor, caktohet si ndëshkmim burgimi deri në dy vjet dhe gjoba e randë deri në 100 franga ari.

Vepra, pastaj, e të pandehunit, Mihal Kreshpani, i cili ka ble sebnde të vjedhuna pa dijtun rrjedhën e tyne por edhe pa e kontrollue me kujdes, formon faj të parapam si kontravencjon prej nenit 555 të Kodit Penal. Prandej, trupi gjykues, me zane të përbashkët, dënoi Zija Hallullin me katër vjet burgim të randë dhe me njëmij e dyqind franga ari gjobë të randë; Mehmet Spahiu me një mot burgim dhe me 300 franga ari gjobë; Mehdi Shehu, me gjashtë muej burgim dhe me 500 franga ari gjobë; Koço Gramenon me kater muej burgim dhe 500 franga ari gjobë; Osman Prezën me tre muej burgim dhe me 300 franga ari gjobë; Hajdar Grepca me tre muej burgim dhe me 100 franga ari gjobë; Hasan Spahiu me pesë muej burgim dhe me 300 franga ari gjobë; Jonuz Tafajn me gjashtë muej burgim dhe me 600 franga ari gjobë; Kol Gugën me tre muej burgim dhe me 400 franga ari gjobë të randë; Arif Shehun me tre muej burgim dhe me 400 franga ari gjobë të randë; Selman Radën me tre muej burgim dhe me 200 franga ari gjobë; dhe Mihal Kreshpani me treqind franga ari gjobë të lehtë. U deklaruen të pafajshëm, për mungesë provash dhe argumentash ligjore bindëse, të pandehunit të dënuem Mehmet Shaban Spahiu, meqë aq kohën e burgimit sa edhe gjobën e ka vuejtun në paraburgim. Vendimi mund të diktimohet brenda afatit ligjuar. (Gazeta “Besa” 16 Janar, 1934)

Dr. Jonuz Tafaj shpallet e pafajshëm

“Dr. Jonuz Tafaj, merr pafajin”. Gjyqi i Shkallës së Parë dje në në orën 11 e 30 shqiptoi vendimin në veta të përbashkëta, tue deklarue të pafajshëm, Dr. Jonuz Tafajn, Noter publik, për mungesë provash dhe argumentash bindëse, konform me argumentat e Gjyqit të Diktimit, O P mbi akuzën që i bëhej për blerje pullash të vjedhura. Dënon pastaj të implikuarit në çështjen e pullave si vijon: Mehdi Shehu dënohet me pesë muej burgim e 400 franga ari gjobë; Koço Grameno me dy muej burgim dhe me 306 franga ari gjobë; Osman Preza me 15 ditë e 100 franga ari; Hajdar Grepca me dy muej burgim e 50 franga ari gjobë; Kol Guga e Arif Shehu me tre muej e 100 franga ari gjobë; Selman Poda me dy muej e 100 franga ari gjobë; Hasan Spahiu me katër muej e 200 franga ari gjobë. Pardje mbas një vendimi prej gati katër vjetësh, Gjykatorja Kolegjale e Tiranës dha vendimin e saj rreth zhdukjes së afër gjysëm milion franga ari pullash shtetnuere prej arkës së Drejtorisë së Thesarit në Ministrinë e Financavet. Simbas këti vendimi muarën pafajin Ibrahim Hallulli, Petro Ndrenika dhe Bexhet Shehu për shkak mungesë provash bindëse që të pandehurit të kenë kryer përvetsimet që u’atribuoheshin.

(Gazeta “Besa” 1 dhe 17 qershor 1936)

Dëshmia e ministrave Lame Kareco dhe Rrok Gera në gjyq

Në procesin e famshëm gjyqësor që zgjati rreth katër vjet me rradhë (1932-1936) dhe që asokohe u njoh ndryshe si: Gjyqi i pullave, në mes shumë dëshmitarëve që u thirën për të dhënë dëshmitë e tyre lidhur me atë skandal financiar me përmasa të mëdha, dëshmuan edhe vetë ish-ministri i Financave, Lame Kareco dhe Sekretari i Përgjithshëm i asaj ministrie, Rrok Gera. Nga dëshmitë e tyre, të cilat u botuan në faqet e para të shtypit të asaj kohe, ne po japim atë të gazetës “Besa” të Tiranës (dt. 21 tetor 1933) ku në mes të tjerash thuhet: “Mbas pushimit pesë minutash në seancën e djeshme, pasi Gjykatorja e Diktimit kishte dëgjue depozitimet e dëshmitarit. Z. Lame Kareco, ish-ministër i Financave, u thirr dëshmitari i dytë, Sekretari i Përgjithshëm, z. Rrok Gera.

Mbasi bahen pyetjet e zakonshme, Kryetari i drejton fjalën dëshmitarit, tue thanë: “Xhevdet Hasani akuzohet për emetim në detyrë. Ç’dijeni keni ju për këtë? Z. Gera përgjigjet: “Zotnija e tij asht drejtues i Thezarit dhe si i tillë, ka në drejtimin e tij, ndër të tjera, dhe gjestionin e arkës e të gjanave me vlerë. Kur në Qershuer 1930 u emenova Sekretar i Përgjithshëm, kam dasht të vehem në korrent, si për të tjera veprime, edhe mbi gjendjen e gjanave me vlerë. Kur pashë se gjendja nuk funksiononte në rregull, ju luta ndihmësit të organizatorit, z. Nodari, që të hartonte një rregullore të mbrendëshme. Rregullorja e plotësueme në këtë mënyrë iu paraqit prej z. Merlino, ministrit t’athershëm Z. Kol Thaçi i cili ia solli këshillit kontrollues për pëlqim. Rregullorja e pëlqyeme, së bashku me pasqyrat përkatëse iu kthye Ministrisë së Financave dhe, në mungesë teme, asht evadua prej Drejtorit të Kontabilitetit, z. Naraçi, dhe me libër dorzimi i asht dorzue Drejtorisë së Thezarit.

Pullat fiskale Zogu i shtypte në Korfuz, Milano dhe Vjenë

Gjatë dëshmive të tij në gjyqin e pullave, Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Financave, Rrok Gera, tregoi edhe mbi mënyrën strikte se si procedonte shteti shqiptar i asaj kohe në lidhje shtypjen dhe ruajtjen e pullave të monopolit, ku midis të tjerash thuhet: “Dëshmitari vazhdon të shpjegojë pse nuk u vu në zbatim rregullorja e mbrendëshme tuj sjellë arsye se qe e pamundun pa pasë plotsue elemenetat për të ditun gjendjen efektive të gjanave me vleftë. Kryetari-Pse nuk u muer ndonjë masë disiplinore mbi vonesat e veprimeve? Dëshmitari-Po të qe nevoja që edhe Drejtorve t’u hiqet vrejtja or e çast për t’u kujtue detyrat origjinale të tyne, aparati shtetnuer nuk do të funksiononte kurrsesi. Kryetari-Si asht sjellë nga morali z. Xh. Hasani? Dëshmitari: Nuk e dij këtë dhe nuk kam ndonjë shkak të dyshoi.

Prokurori-Proces-verbalet e shtypjes ku janë? Dëshmitari-Procedurat e shitjes asht kjo: Vendoset, bahet një kontratë me fotografi dhe caktohet një nënpunës për mbikëqyrjen e veprimeve të shtypjes për të cilat mbahet çdo ditë nga një proces-verbal, bahet kolaudimi në Ministrinë e Financave, ku nënpunësi i gjanave me vleftë merr në dorzim në bazën e një procesi të posaçëm. Shtypje pullash janë ba të ndryshme, në vjetin 1924 në Milano, në 1925 e 1926 në Korfuz, e në 1927 në Paris. Proceset e shtypjes së dy të fundit, kam konstatue si antar i Komisjonit Hetues, se mungojnë krejt. Bile pullat e shtypura në Paris në 1927 në kohën e ish-ministrit Z. Sulejman Starova, kur kam ardhë unë në Ministri, kam ndëgjue se kan nenjun pa u dorzue, në koridoret e Ministrisë. Unë nuk kam pasë ndonjë dijeni për këtë gjë, por njëherë kur kam qenë në sekretarin e Përgjithshme të Kryeministrisë, më tha Z. Teki Selenica, se asht gjetun një paketë me pulla konsullore në sheshin e Shallvareve”./Memorie.al

<
>
20200510_232416 1955-ahmet-zogu-me-justin-godard 5e4169632a5a1tir 1950-ahmet-zogu-egjipt 20200511_001009 20200511_001032 20200511_001104 20200511_001129 21687036_10214339885074810_8844574966737321982_o Ahmet_Zogu_duhanxhi_dielli1 ahmet-zogu-ne-pallat-dreke deputetet-ne-kohen-e-zogut Jonuz-Tafaj

Tags: , ,

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back