Djali i miliarderit George Soros, Alex Soros, është martuar me Huma Abedin në një ceremoni madhështore ku morën pjesë emrat më të fuqishëm të politikës amerikane, dhe jo vetëm.
New York Times, në një artikull, e ka konsideruar dasmë “mbretërore” kurorëzimin e dashurisë së Alex Soors me Huma Abedin.
“Fundjava në Hamptons, një nga zonat më ekskluzive të Shteteve të Bashkuara, u shndërrua në një skenë të ngjashme me një martesë mbretërore, ku u bashkuan bota e politikës me emrat më të fuqishëm të epokës së Clinton. Arsyeja? Martesa e Alex Soros, djali i filantropit miliarder George Soros, me Huma Abedin, ish-ndihmëse e afërt dhe bashkëpunëtore shumëvjeçare e Hillary Clinton”, shkruan NYT.
Ceremonia madhështore u mbajt të shtunën në rezidencën familjare të Soros në Water Mill, New York, duke tërhequr vëmendjen jo vetëm për shkak të dasmorëve me peshë, por edhe për shkak të përmasave dhe luksit të organizimit.
“Në mesin e të ftuarve ishin Hillary dhe Bill Clinton, ish-Zëvendëspresidentja Kamala Harris me bashkëshortin Doug Emhoff, senatori i Nju Jorkut Chuck Schumer, ish-kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi, personalitete si Anna Wintour (redaktore e Vogue), Nicky Hilton Rothschild, dhe madje edhe Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
Atmosfera u shoqërua nga grupi legjendar Boyz II Men, ndërsa fjalime emocionuese mbajtën vëllai i dhëndrit Jonathan Soros, Hillary Clinton, Anna Wintour dhe vetë Edi Rama. Më pas u shërbyen pjata të rafinuara si agnolotti me trumëz, supë e ftohtë me bizele angleze dhe mish Wagyu amerikan me karkaleca të pjekur”, vijon artikulli i New York Times.
Ngjarja ndodhi në një fundjavë të trazuar ndërkombëtare, me tensione të mëdha në Lindjen e Mesme mes Izraelit dhe Iranit, protesta kundër ish-presidentit Trump në SHBA dhe vrasjen e një ligjvënësi në Minnesota. Por në Hamptons mbizotëronte qetësia, luksi dhe protokolli i lartë.