Aktualitet

Kur historinë e ‘ngjall’ një mjek

Shkruar nga Liberale

Kolana UETPRESS – 15 vjet

Titulli: Vangjel Zhapa dhe koha e tij

Autor: FEDHON MEKSI

Prof. Asoc. Dr. Dritan EGRO

Ishte paraardhësi i autorit të këtij libri, Vangjel Meksi, që qysh në fillim të shek. XIX u mor fort me çështje të gjuhës dhe të kulturës shqiptare (Gramatika e shqipes, para 1819-s; Përkthimi i Dhjatës së re, 1821), ndonëse ishte mjek në oborrin e Ali Pashë Tepelenës në Janinë. Sot duket sikur këtë përgjegjësi intelektuale e ka marrë prof. Fedhon Meksi, i cili na kujton sërish këtë të shkuar të Meksëve. Ndonëse mjek kardiolog, Fedhon Meksi me studimet e tij po i shpreh fort mirë interesat në lëmin e studimeve historike shqiptare.

Personalisht mendoj se problemi është edhe më i thellë se kaq. Autori mbart me vete shqetësimin e intelektualit që te historiografia zyrtare shqiptare e para viteve ’90 nuk ka gjetur përgjigje për pyetjet që ai ka pasur në kokë dhe që zanafillën e kanë pasur në bisedat brenda familjes, të përcjella prej disa protagonistëve të ngjarjeve të historisë së Shqipërisë. Në këto kushte, doktor Fedhoni nuk mjaftohet me “diagnostikimin” e historisë, por ashtu me intuitën e tij të lakmueshme shkencore kërkon edhe ta “mjekojë” atë, madje propozon edhe “recetën” e tij, ndonëse nuk është tamam në fushën ku ai ndihet mjeshtër.

Objekt i hulumtimeve të tij janë rrënjët prej nga ai vjen, Labova e Madhe dhe fisi Meksi. Në kohë kjo përkon me Pashallëkun e Janinës dhe personalitetin qendror të tij, Ali Pashë Tepelenën, si dhe me momente të rëndësishme nëpër të cilat shqiptarët kanë kaluar përgjatë dy shekujve të fundit. Pa dyshim që pjesë e hulumtimeve të tija historike do të ishin edhe bashkëfshatarët e tij, sikurse Vangjel Zhapa nga Labova, por edhe Anastas Byku nga Lekli i Tepelenës e Naum Bredhi Veqilharxhi, nga Vithkuqi i Korçës. Në fokus ai ka pasur krahinën e Toskërisë dhe ndryshimet e thella që ajo përjetoi pas rënies së Pashallëkut të Janinës dhe pas krijimit të bërthamës fillestare shtetërore greke, në vitin 1830.

Ky studim i fundit që kemi në duar mbi bashkëfshatarin e tij, Vangjel Zhapa, që bëri emër si në Shqipëri e Rumani, ashtu edhe në Greqinë e sapopavarësuar nga shteti osman, shërben si një rast tjetër shumë i mirë për të ofruar një material enciklopedik për kontributin e elementit shqiptar ortodoks në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare, sidomos kur te shqiptari i kohës po përplaseshin fort identiteti fetar me atë kombëtar. Falë edhe studimeve nxitëse të Fedhon Meksit jemi në fillimet e njohjes së kontributit që ata kanë luajtur në ngjizjen dhe avancimin e idesë kombëtare te shqiptarët.

Në këtë kuadër, autori dashur padashur ka shkruar edhe historinë e familjes së tij, e cila ka një peshë të caktuar në historinë e Shqipërisë moderne. Si në çdo vend tjetër të qytetëruar, edhe në Shqipëri, pinjollët e familjeve të mëdha, që kanë luajtur një rol të spikatur në historinë e vendit, e ndiejnë për obligim të shkruajnë historinë e familjeve të tyre. Kjo, sa pjesë e krenarisë së tyre, po aq është dhe detyrim ndaj historisë së vendit. Përgjegjshmëria e pasuesve të sotëm të kësaj familjeje të respektuar për ta fiksuar historinë në letër, nuk duhet kurrsesi të konsiderohet si një akt vetëmburrjeje, por si një dëshmi historike me vlerë për të hedhur dritë mbi historinë moderne të shqiptarëve.

Ky libër mban brenda një numër të rëndësishëm faktesh të reja historike. Mes tyre duhen përmendur ato që dokumentojnë bashkëpunimin mes Vangjel Zhapës, Naum Veqilharxhit, Anastas Bykut dhe Athanas Paskalit. Ato duhet të shërbejnë si pikënisje për të bërë pyetje të reja, por edhe për t’i vendosur zhvillimet historike shqiptare në një kontekst më të gjerë, jo vetëm në rrafsh ballkanik, por edhe më gjerë, në rrafsh euro-aziatik.

Në faqet e këtij libri mësojmë për mjekët në oborrin e Ali Pashës dhe të bijve të tij, Koletin dhe Metaksain, që ishin shkolluar në Europë. Lind pyetja: Cili ishte roli i Ali Pashë Tepelenës në formëzimin e intelektualëve dhe shtetarëve të ardhshëm grekë? Në fakt, mbetet ende shumë për të hulumtuar dhe për të përcaktuar drejt se në ç’masë mjedisi intelektual që Ali Pasha krijoi në Janinë i ndihmoi formëzimit të profilit të shtetarit të ardhshëm grek, atij që mori në duar drejtimin e shtetit të pavarur të pas 1830-s. Kjo politikë emancipuese jo gjithmonë shqiptarëve iu kthye si mirënjohje e miqësi. Gjithsesi, krijimi i bërthamës së parë shtetërore greke në fillim të shek. XIX, më shumë sesa greke, konsiderohej si hapësira e parë ballkanike e krishterë e çliruar nga sundimi i një shteti perandorak mysliman.

Një panoramë më e plotë e kësaj periudhe të trazuar do të kërkonte njohjen edhe të rolit dhe peshës së krerëve shqiptarë myslimanë. Qëndrimi i tyre i dyzuar deri në tërheqje nga fronti grek i luftës (Ismail bej Vlora, gjyshi i Ismail Qemalit ishte njëri prej tyre) ka qenë një nga faktorët vendimtarë që krijoi hapësirën për suksesin e kësaj kryengritjeje. Gjithsesi, ata ishin jo në anën europiane të frontit dhe të politikës së kohës.

***

Çdo popull i ka të paktë intelektualët e vërtetë që bëjnë pyetje të qenësishme për rrënjët e veta dhe në kushte kur nuk gjejnë përgjigje, falë klasit të tyre intelektual, i futen vetë hulumtimit dhe jo hulumtimit dosido, por atij me pretendime për të ofruar një kontribut të mirëfilltë. Doktor Fedhon Meksi është njëri prej tyre. /Gazeta Liberale

Liberale Newsroom

A është e pranueshme (dhe e ligjshme) ndërhyrja e kryeministrit Rama në çështjet e brendshme të disa prej bashkive të vendit?

  • Po!
  • Jo!
Powered by the Tomorrow.io Weather API
SHQIPENGLISH