Aktualitet

Kriza e vetme që ka Shqipëria

Shkruar nga Liberale
Kriza e vetme që ka Shqipëria

Armand Kullau

Të shtunën e kaluar Kryeministri i vendit Edi Rama doli në deklaratë për mediat ku deklaroi se nuk do të ketë rritje të ҫmimit të energjisë elektrike për shtresat në nevojë dhe për familjarët. Kryeministri tha që qeveria shqiptare do t'i huazojë 200 milion euro borxh OSHEE-së për të blerë energjinë elektrike, ku mesa duket kriza e vetme që ka Shqipëria është keqmenaxhimi i financave publike ku tërmeti dhe pandemia i ҫorrën maskën korrupsionit politik.

Rama me të drejtë e quan krizë tërmetin dhe pandeminë, por ndërkohë nuk ka një strategji të qartë për të dalë nga kriza e ekonomisë. Tek emisioni “Zonë e lirë” ai tha se Shqipëria prodhon shumë pak pasi kemi një ekonomi të vogël, duke përforcuar atë që ka thënë në kohën e masave shtrënguese, që kaq e kemi hapin si vend. Zoti Kryeministër, ҫfarë ndryshimi do të ketë Shqipëria nëse prodhon më tepër? Shqipëria ia rifilloi nga  e para në 2013, 2017 dhe 2021 dhe dje ne dëgjuam zv.Ministren e ekonomisë që ne do marrim borxh përsëri në formën e Eurobond-it. Ne jemi të përmbytur nga borxhi publik, mirë që nuk po e ulim dot, por dhe ҫmimet janë rritur në një ekonomi letargjike ku momentet e pushimit të saj mund të jenë dhe momentet e fundit.

Pandemia ishte një moment tjetër pas tërmetit ku ne përjetuam një stop të ekonomisë duke varfëruar akoma më shumë vendin. Kryeministri e fitoi sfidën e jetës mbi vdekjen, por post-pandemia kërkon një program për ta jetuar jetën e jo një përpjekje ekzistenciale. Përse duhet të qendrojnë të rinjtë në një vend që ofron vetëm kriza dhe pasiguri? Një i ri shqiptar është kthyer në karburant për sipërmarrjet oligarke, ai djeg të ardhmen e vet për të mbajtur në këmbë një makineri e cila pastron paratë e grumbulluara nga korrupsioni i politikës shqiptare.

Nuk mund të fitohet një luftë e cila e ka problemin nga keq menaxhimi i publikes pasi rinia do largohet sepse pavarësisht se nuk e kuptojnë kush keq menaxhon fondet publike në qeveri, ata i japin shpresë vetes në një vend të huaj, ku nuk janë të detyruar të dëgjojnë gënjeshtrat e politikës.

Atmosfera e krizës së ҫmimit të energjisë elektrike i ngjason tregimit “Skandali i Jom Kipurit” nga Sholom Aleihem ku në sinagogën Kasrilevka, hebrenjve të mbledhur gjatë ditës së shenjtë të Jom Kipurit u vjen si vizitor një hebre lituanez. Pasi lutet me orë të tëra pranë altarit, atij i bie të fikët pasi kupton që e kishin vjedhur, duke qarë dhe duke i prekur nga keqardhja por edhe turpi të gjithë komunitetin pasi ishte një ngjarje e padëgjuar. Menjëherë rabini i sinagogës urdhëroi mbylljen e derës ku të gjithë do të kontrolloheshin, duke filluar nga vetë rabini, një akt i pastër vullneti për të goditur vjedhjen dhe shkeljen në vetvete, duke hequr barrën e rëndë nga lideri i komunitetit. Duke kryer me radhë kontrollet i erdhi radha një djali të ri i cili ishte i martuar me vajzën e një prej hebrenjve më të pasur në qytet, i cili krenohej me këtë dhëndër të zgjuar. Pasi nuk pranoi të kontrollohej duke dhënë 1001 arsye, më në fund pas kontrollit me forcë atij iu gjetën disa kocka pule dhe bërthama kumbullash nëpër xhepa. Njerëzit u skandalizuan sepse kjo ishte një shkelje e rëndë e ligjeve të shenjta pasi nuk lejohej konsumimi i ushqimeve në ditën e shenjtë. Të gjithë u kthyen në shpitë e veta duke qeshur me përjashtim të rabinit.

Natyrisht që rrëfimtarit të historisë nga dëgjuesit i bëhet pyetja që keni edhe ju: Çfarë u bë me paratë ?

Edhe ai u përgjigj: Çfarë parash?

Por dëgjuesit e pyetën përsëri duke iu drejtuar për paratë e vjedhura hebreut lituanez. Ai u përgjigj duke thënë:

-Ah po paratë e vjedhura! Ato para u zhdukën.

-Si u zhdukën?

-Shkuan e vanë, përgjithmonë.

Liberale Newsroom

A është e pranueshme (dhe e ligjshme) ndërhyrja e kryeministrit Rama në çështjet e brendshme të disa prej bashkive të vendit?

  • Po!
  • Jo!
Powered by the Tomorrow.io Weather API
SHQIPENGLISH