Namir Lapardhaja
Janë sjell në vëmendjen e publikut këto ditë, videot e diskutimeve të "mocionistëve" dhe përballja e tyre me gjuhën linçuese, me urrejtjen patologjike dhe sharrjet e militantëve të orkestruar nga Sali Berisha.
Është viti 1992. Krahasuar me sot, edhe pse kanë kaluar 31 vite, nuk ka ndryshuar asnjë gjë. Është e njëjta gjuhë linçuese, është e njëjta filozofi asgjësuese, është i njëjti burim që frymëzon turmën e verbër drejt urrejtjes dhe linçimit.
Është Berisha 31 vite më i ri, i cili nuk ka ndryshuar edhe sot, në përmbyllje të dekadës së tetë të jetës. Ajo që më bëri pështypje në videon e linçimit ndaj Arben Demetit, janë dy personazhet në krahë të Berishës. I pari është Tomorr Dosti, ish-i burgosur, ish-i persekutuar dhe djalë i një personaliteti të madh, Hasan Dostit.
Është në krahë të Berishës kur linçohen dhe përbuzen njerëzit, për shkak të mendimeve dhe të qëndrimeve. Nga njeriu që pritjej më shumë se të tjerët të ishte në anën e atyre që mendonin ndryshe.
Më kujton disa të persekutuar sot që jargosen nga të qenurit afër një "diktatori qesharak" si puna e Sali Berishës. I dyti është Eduart Selami, i ardhur nga bota akademike. Buzëqeshja e tij e ngrirë si prej idioti flet më shumë se fjalët e tij. Të dy e kanë futur në mes, janë më të lumtur se kurrë, i mbajnë anën dhe i ngrohin shpatullat. Është viti '92. Historia e PD-së mund të kishte ndryshuar nëse e keqja brenda radhëve të saj nuk do ishte lënë të rritej dhe të zinte vend. Ironia e fatit e donte që dita e tyre të mos ishte shumë e largët për t'u përsëritur e njëjta skenë si ajo ndaj Demetit, Pashkos, Zogajt, Imamit, Cekës etj.
Eduart Selami do të shpallet armik dhe dëbohet nga PD në prillin e vitit 1995, kurse Tomorr Dosti dëbohet, shahet, linçohet dhe akuzohet për spiunë, në nëntorin e '96-ës. Pak kohë më parë një ish-i persekutuari tjetër në qeverinë e parë demokrarike i thyejnë dorën dhe e dhunojnë në korridorin e Pallatit të Kongreseve, sepse kishte shprehur mendim ndryshe nga ai i udhëheqësit. Është mentaliteti i frymëzuar nga një bajraktar malesh, i cili e ka konceptuar dhe vijon ta konceptojë politikën sipas kanunit të maleve, ku meritokracia e vetme është bindja e verbër ndaj tij dhe mënyra e vetme për të qëndruar gjatë në politikë është debilizimi për të pranuar gjithçka, edhe kur është kundër çdolloj logjike.
PD në këto tri dekada ka vuajtur dhe vijon të vuajë nga verbëria e turmës, nga miopia e drejtuesve dhe deputetëve të saj dhe nga mospasja guxim e të thënit të të vërtetave në kohën e duhur. Dëbim pas dëbimi dhe linçim pas linçimi. Është fatkeqësi e madhe që sot ka ende të verbër që shajnë për llogari të Berishës, linçojnë për llogari të tij, kërcënojnë apo janë verbuar nga retorika e tij e gënjeshtërt. Është një film i përsëritur me qindra herë. Pas Dostit dhe Selamit, iu erdhi radha dhe shumë të tjerëve në atë podium, madje, pa ekzagjerim, të gjithëve.
Njëjtë si Enveri që vrau të gjithë shokët e tij nga paranoja e tradhëtisë. Ky nuk të vriste se kohërat kanë ndryshuar, por nga forca që i buron nga verbëria e turmave të fantaksura dhe nga mosbërja bashkë e njerëzve me kurajo dhe integritet, të linçon, shanë, dëbon... Si sot. Historia duhet të na kishte shërbyer për të reflektuar. Jo vetëm që nuk e ka bërë një gjë të tillë, por vijon të përsërisë vetveten. Vetëm se kësaj radhe tragjedia ia ka lënë vendin komedisë.