Analizë

KOKSH-i, shumë zhurmë për asgjë

Shkruar nga Liberale
KOKSH-i, shumë zhurmë për asgjë

Xhevdet Zeka

Që në krye të herës, duam të nënvizojmë se debati i KOKSHit na krijon ndjesinë se është shumë zhurmë për asgjë. Bezhani, Bello apo institucioni? Kjo është çështja! Ka ditë të tëra që ka nis një polemikë plot zjarr nga presidenti Viron Bezhani, që po eklipson edhe temën e tërmetit tragjik të 26 nëntorit. Nuk besojmë se ka njeri në Shqipëri që nuk i di problematikat pa fund që ka sporti, por kjo bëhet shumë më madhore, kur flasim për KOKSH, i cili duhet të jetë institucioni elitë, vizionar, udhëheqës, model, olimpik në sjellje, funksion, vizion; si një zemër që furnizon trupin me gjak të pastër. Pra, KOKSH duhet të rrezatojë modelin e vet tek të gjithë sportet në Shqipëri. Nuk e dimë përse, por ky institucioni i sotëm na ngjan si një bark i squlltë, që mbart ndër veti helm e bajga…

Luftëtari Bezhani, në të drejtën e tij, më kujton një shprehje: Kafsha të shqyen kur është e pangopur, kur ka ditë pa ngrënë, kurse njeriu të shqyen kur tejngopet, kur është velur me të gjitha; presidencën, pushtetin, nivelet e larta administrative, suportin e militantit politik. Tetë vite president nuk janë pak për t’i zgjidhur në kohën e duhur këto probleme, për ta kthyer këtë institucion në elitë, të denjë sipas parimeve të olimpizmit. Tetë vite bashkëpunim mes Stavri Bellos e Viron Bezhanit ishin: paqe, vizita, flamuj, udhëtime, projekte, marshime, parakalime, tapete të kuq; të gjitha së bashku. Befas, në tre muajt e fundit, ruajna Zot çfarë tmerri! E dini si na duken Bezhani e Bello? Si dy kasapë të ulur këmbëkryq, me hanxharë në dorë, në një darkë vegjetariane, ku vetëm mish nuk ka, por vetëm interesa private. Asgjë për të ardhmen e KOKSH. “Kasapi” Bezhani bërtet me qasje ekzistencialiste, duke tundur hanxharin “plastik”: Më kuptoni, KOKSH në rrezik! KOKSH në ferr, por fajtori nuk jam unë!!! Bello i korruptuar, uzurpator, mafioz… Në prokurori, do të burgoset! Unë kam firmosur gabimisht, në mirëbesim.

Pra e shqyen KOKSH me firmën e vulën time! Kaq e shumë e shumë të tjera. Pyetja e parë që të vjen në mendje është: Po mirë zotëri, KOKSH a është familje? Kur prishet një familje, i zoti i shtëpisë a ka faj? A duhen zgjidhur këto probleme brenda familjes? (të paktën mëso nga Zoti Duka, që problemet e futbollit i zgjidh të gjitha brenda familjes dhe nuk shkon në media apo prokurori). Kështu nuk rregullohet institucioni, por ushqehet dëshira e presidentit 8-vjeçar, që nuk do të hapë krahun, edhe pse nuk ka ndonjë produkt. Druaj se është një skemë e dirigjuar një zëvendësministër, që synon të bëhet president i KOKSH. E kam fjalën për atë burrin, që vdes për pak pushtet si këshilltar e suport kryesor i çdo njeriu që i premton në një kockë; gati të ndajë me ty pozicionet drejtuese të KOKSH në të ardhmen. Pra, ai president, ndërsa ti të bëhesh sekretar? Gojët e ligë në atë aromën e barkut të squlltë këto teori paralajmërojnë.

Nuk e di sa do të më kuptosh mua miku im, Viron, si lebër të dy, si myslimanë të dy, si të majtë të dy. Duke të njohur mirë, nuk e kam Bellon aspak më mik se ty, prandaj m’i merr këto radhë sikur po të them ca të vërteta në sy, pro në Shqipëri kur thua të vërteta të marrin inat. Mund edhe të na vlerësosh apo etiketosh si armiq e çfarë të duash, por në këtë situatë, nuk na interesohemi për emra individësh, na intereson një KOKSH funksional, avangardë dhe luftëtar për prosperitetin e sportit. Bello, si një lojtar i regjur, po ruan familjen e KOKSH, interesat e tij, qoftë edhe duke përdorur firmën e vulën tënde, në "abuzim" të mirëbesimit tënd. Ai, Stavri ndryshe nga zhurma jote, po punon me institucionet ndërkombëtare, ndoshat merret me familjen. Sepse sa për në Shqipëri, edhe ti e di shumë mirë se i ka të zgjidhura problemet.

I madhi Viron, si mund të garantohet paanshmëria në sport, kur ju kërkoni që politika të ndërhyjë? Kërkoni Ministren, kryeministrin apo kur shumë mirë mund të ftoje dhe Kontrollin e Lartë të Shtetit? Përse nuk prisni të flas prokuroria dhe gjykatat të thonë fjalën e tyre, pse nuk tentoni një zgjidhje brenda familjes olimpike, sikurse ju kërkojnë shefat tuaj ndërkombëtarë? Ja pra, pse jeni kasapë në një fushë-betejë vegjetarianësh, ku të krijohet përshtypja se herë pajtoheni, herë ziheni, sheshoni dhe anatemoni pazare të prishura apo të bëra së bashku. Harroni problematikat e së ardhmes së përbashkët të KOKSH, të anëtarëve olimpikë, ndaj më duket sikur po bëni një betejë në kozmos, më saktë, më saktë, sikur jeni kozmonautë dhe do të shpëtoni botën. Pse nuk thoni: KOKSH nuk ekziston ashtu si duhet, nuk funksion, nuk është organizata drejtuese e sportit në nivelin e notit, futbollit, basketbollit, atletikës,volejbollit, peshëngritjes, mundjes etj. Pse nuk e pranon që me ju president, KOKSH nuk e ka luajtur rolin e drejtuesit dhe “ombrellës” së sportit tonë; se nuk është institucioni elitar, por po e denigron misionin olimpik të tij? Shkurt e shqip, çështja tani ngrihet e tillë: do të merremi me Bellon e Bezhanin apo duhet të ringrejnë KOKSH?

Natyrisht, rasti Bello është identik më të gjitha mënyrat e funksionimit të sportit në Shqipëri. Ka shumë kontribute, mund të ketë bërë edhe gabime, si çdo njeri që punon shumë, siguron projekte është personalitet i FIB-ës dhe KON-it vëzhgues etj. Një nga këto gabimet e tij mund të jetë edhe mbështetja për Viron Bezhanin për t’u zgjedhur dy mandate rresht, apo jo? Nuk e dimë, por kjo betejë për individët dhe jo kauzën më ngjason me atë politikanin që feston, se ka fituar zgjedhjet në një garë ku nuk ka paraqitur fare kandidaturë!

Sinqerisht, kjo betejë, në tragjiken dhe komiken e saj, heroizmin dhe frikën, ndershmërinë dhe korrupsionin, duket si dy drejtëza paralele, të cilat nuk priten kurrë. Prandaj, mendoj se në këtë betejë kasapësh me “hanxharë plastikë”, në këtë kakofoni vegjetariane duhet kontributi i Avni Ponarit, Agim Cirakut, Armando Dukës, Ilir Trebickës, Gjergj Rulit, Erlind Pëllumbit, Hysen Domit, Agron Cukës, Gneci Rulit, Kreshnik Tartarit, Agim Fagut, Përparim Kabos, Iljas Ceços, etj e shumë personaliteteve të tjera, që dinë të bëjnë institucione, që nuk kanë asnjë interes të kapin KOKSH-in. Të tilla personalitete e bëjnë institucionin elitar, mund dhe duhet ta marrin këtë situatë në dorë. Këta mund ta bëjnë, por pa anashkaluar e nënvlerësuar Bellon, Bozgon, Malon, Tasen, Anxhakut, M. Bibës e të tjerë, si pjesë e zgjidhjes.

Bezhani mundohet të evidentohet i brishtë e viktimë në këtë histori, se i ka munguar vigjilenca për tetë vite, ndërsa qenka "luajtur" vetëm këto tre muajt e fundit, por duket vonë që ta ndajë grurin nga egjra. Përballë ka qetësinë e maturinë olimpike të Bellos, relacionin institucional me anëtarët e KOKSH dhe ndërkombëtarët. Vërtet beson Bezhani se Shqipëria e një milion problemeve mendon për atë dhe për KOKSH-in? Vërtet mendon se është shpëtimtari i KOKSH-it, kur ka tetë vite president i saj? Na duket njëlloj lufte me mullinjtë e erës, çka ia bën më të lehtë Bellos pozicionin në institucion, edhe falë kontributeve që ka aty. Kjo, edhe falë raportit korrekt e transparent me ndërkombëtarët.

Miku im, Viron! Besoj se kush ka frikë, vdes çdo ditë, kush nuk ka frikë, vdes vetëm një here. Ti e kreve misionin tënd, e drejtove tetë vite KOKSH. Tashmë duhet që familja olimpike të hapë një kapitull të ri, e përsëris me Dukën, Ponarin, Çirakun, Trebickën, Pëllumbin, Rulin, Bibën, Cukën, përse jo dhe Shytin e shumë personalitete të tjerë. Ata duhet të nisin kthimin e KOKSH-it në identitet, por jo me pazare për poste, për të ribëhet institucioni.

Edhe një herë, shpresoj të na mirëkuptoni Stavri dhe Viron, sepse u përpoqëm të ceknim disa problematika, shumë pak me të drejtën për të rishkruar. Ndoshta dhe ju kemi lënduar apo kritikuar, por kjo nuk do të thotë të na quani armik, as të më mbani inat. Thjesht jemi për një KOKSH elitar, një KOKSH më mirë me një fund të tmerrshëm, se sa një tmerr pafund.

Për këtë nevojitet lidership i sprovuar, kërkohen zgjidhje, të cilët familja olimpike shqiptare i ka. Prandaj, i dashur Viron, vazhdo të mos heshtësh, por mos harro se në një familje problemet zgjidhen mes veti, me qetësi e dashuri… olimpike!

Liberale Newsroom

A është e pranueshme (dhe e ligjshme) ndërhyrja e kryeministrit Rama në çështjet e brendshme të disa prej bashkive të vendit?

  • Po!
  • Jo!
Powered by the Tomorrow.io Weather API
SHQIPENGLISH