1. Shqipëria nuk ka qenë kurrë më pranë Bashkimit Evropian
“Kur bëhet fjalë për integrimin në BE, dallimi mes pesimistëve dhe optimistëve në Ballkan është se optimistët besojnë se Turqia do të bëhet pjesë e BE-së gjatë presidencës shqiptare të BE-së, ndërsa pesimistët besojnë se Shqipëria do të bëhet pjesë e BE-së gjatë presidencës turke të BE-së.” Batuta të kësaj natyre qarkullonin korridoreve e BE-së vetëm para pak vitesh. Politikanët evropianë nuk besonin se Shqipëria do t’i afrohej BE-së.
Është i njohur skepticizmi evropian për Ballkanin – sidomos për integrimin e Shqipërisë në strukturat e BE-së. Aktualisht ky skepticizëm – nga leximi që i bëhet politikës evropiane, përkushtimit të Shqipërisë ndaj BE-së dhe investimit të BE-së në Shqipëri – duket deri diku i tejkaluar.
Me ndryshimin e balancave në Evropë, me qasjen e re të BE-së ndaj Ballkanit, me ripozicionimin e Perëndimit ndaj Rusisë dhe me frikën evropiane/amerikane për depërtim rus, kinez dhe turk në Ballkan, Shqipëria është më pranë Evropës – tanimë jo vetëm gjeografikisht. Reformat e brendshme kanë ndikuar shumë paknë këtë realitet të ri. Kështu, të ashtuquajturat “arritje shqiptare” janë më shumë pjesë e një narrative të krijuar si brenda Shqipërisë ashtu edhe jashtë saj – në BE – për të justifikuar këtë afrim gjeopolitik.
Sot gjendemi në fazën e plotësimit të kapitujve në kuadër të negociatave dhe Shqipërisë i është shkurtuar rruga për në BE. Prandaj, Shqipëria e vogël duhet të shpalosë orientim të qartëperëndimor në politikën e jashtme – një orientim që shpesh ka nevojë të kalibrohet.
2. Politikë e jashtme me disa alternativa – shpesh me tendenca për prishje ekuilibri.
BE nuk është kundër ndjekjes së një politike të jashtme me disa alternativa nga ana e Shqipërisë për aq kohë sa kjo e fundit ruan ekuilibrat mes aleatëve dhe përcakton prioritetet.
Termi “shtet qendror” (“pivot state”) përdoret në gjeopolitikë për të përshkruar një shtet që është në gjendje të ndërtojë marrëdhënie fitimprurëse me një apo disa fuqi të mëdha dhe – njëkohësisht – të mos bëhet i varur nga asnjëra prej tyre. Kjo aftësi e ndihmon të shmangë influencën – në terma të sigurisë dhe ekonomisë – nga një shtet tjetër i vetëm.
Duket sikur Shqipëria po tenton të ndjekë një platformë të tillë. Mund ta zbatojë me efikasitet vetëm nëse nuk prish ekuilibrat me aleatët e saj. Mund të përfitojë nga aleatët për aq kohë sa strategjitë e tyre përputhen me interesat shqiptare.
Përkufizimi për “shtetin qendror” vlen për fuqi të mesme me kapacitete të fuqishme ekonomike, ushtarake dhe kulturore. Shqipëria mund të synojë influencë vetëm në rajon (dhe brenda rajonit vetëm në hapësirën shqiptare) - në skenarin më të mirë. Aktualisht Shqipëria – e futur “me detyrim” në shinat perëndimore – tenton të ndjekë strategjinë “pivot state”, por papasur kapacitete për një gjë të tillë.
Kryeministri Rama deklaroi me pompozitet si vijon: “Është po kështu shumë me rëndësi që t’u thuhet qartë dhe fort të gjithë miqve tanë europianë dhe amerikanë se në Europën Juglindore dhe veçanërisht në Ballkanin Perëndimor, Turqia nuk është një fuqi e tretë. Më lini, pra, ta them siç duhet: Turqia është një fuqi rajonale dhe për rajonin tonë, për Ballkanin Perëndimor është vendimtare.”
Klasifikimi i Turqisë në një rang me BE-në dhe SHBA-në është krejt i pavend. Shqipëria nuk e ka luksin të përdorë disa busulla për t’u orientuar dhe Turqia është përjashtuar nga klubi i Brukselit. Shqipëria mund të përdorë disa busulla vetëm nëse i kalibron sipas një strategjie të qartë pro-perëndimore. Njëstrategji efikase është gjetja e një ekuilibri interesash mes fuqive që kanë influencë në Shqipëri – një ekuilibër që do t’u shërbente interesave të vendit tonë. Klasifikimi që bëhet më sipër, nuk reflekton realitetet në Ballkanin Perëndimor.
3. Turqia nuk është e orientuar më drejt perëndimit
Turqia ka një marrëdhënie shumë komplekse me Perëndimin.
Pavarësisht se u bë kandidat që në 1999 dhe negociatat me BE-në u hapën në 2005, BE e bëri të qartë që nuk qe në gjendje të pranonte Turqinë në gjirin e vet. Turqia ndërmori reforma drastike për të qenë pjesë e Unionit, por BE shfaqi ngurrim – ngurrim që ndikoi ndjeshëm në ndryshimin e kursit të Turqisë nëpolitikën e jashtme. BE mund t’i ofronte Turqisë vetëm “partneritet të privilegjuar”.
Nga kjo pikë, orientimi turk do të ndryshonte – duke u bërë një shtet tipik pivot. Sistemi ndërkombëtar - i riformatuar me shfaqjen e disa poleve, i dërrmuar nga kriza financiare e viteve 2008–9, i paaftë për t’i zgjidhur krizat globale vetëm nga Perëndimi – mundësoi shfaqjen e fuqive rajonale imponuese, njëprej të cilave është edhe Turqia.
Turqia është e qartë në rrugën e vet: Perëndimin e ka sa rival aq edhe partner.
4. Thelbi i çështjes është: cilën trajektore të ndjekë Shqipëria – me madhësinë dhe kapacitetet e veta?
Deklarata e kryeministrit shqiptar duhet të ketë habitur shumë evropianë. Është një deklaratë sa sfiduese ndaj Perëndimit aq edhe jehuese për pozicionin e Shqipërisë.
Shqipëria e zhytur në kriza të përditshme në politikën e saj të brendshme – në bazë të resurseve që zotëron (pozicioni gjeografik, efekti stabilizues në rajon, influenca relative mbi hapësirën shqiptare, përfshirja në aleanca pro-perëndimore - ndër të tjera) duhet të dijë të përfitojë nga fuqitë që kanë interesa që përputhen me ato të vetë Shqipërisë.
BE është përcaktuar si rruga më e dobishme për shqiptarët pasi këtë gjë kanë dashur prej 30 vjetësh. Është një proces që i shtohet rëndësia, pasi mbështetet edhe nga SHBA. Turqia mund të këtë rolin e saj të kufizuar në këtë ekuacion.
Ky ekuacion gjen zgjidhje me dy pyetje:
Çfarë pozicioni do të kishte Shqipëria pa mbështetje nga BE/SHBA dhe me mbështetje nga Turqia? Po e kundërta: çfarë pozicioni do të kishte Shqipëria me mbështetje nga BE/SHBA dhe pa mbështetje nga Turqia?
Në marrëdhëniet ndërkombëtare, madhësia – që shoqërohet normalisht nga kapacitetet shtetërore - ka shumë rëndësi. Për shkak të dobësive dhe nevojave të ndryshme, Shqipëria duhet të ketë objektiva të qartë në politikën e jashtme në raport me shtetet e fuqishme. Dhe duhet të krijojë ekuilibra mes këtyre shteteve aleate - në raportet që ndërton me ta. Tendenca për të prishur këta ekuilibra shkon vetëm në dëm të Shqipërisë.
Diplomacia si disiplinë e shpjegon qartë se çfarë rruge duhet të ndjekin shtetet e vogla: të shfrytëzojnë sa më shumë diplomacinë me qëllim që të kapërcejë dobësitë e veta – por diplomacinë në mediume demokratike. Rekomandohet që shtetet e vogla të ndjekin diplomacinë shumëpalëshe – në rastin e Shqipërisë në një forum multilateral si Bashkimi Evropian.Pozicioni i Shqipërisë forcohet nga pjesëmarrja në organizata – përfshirë NATO, OKB etj. Një shtet i vogël si Shqipëria mund të përfitojë nga kjo gjë – siç ka ndodhur me mandatin në Këshillin e Sigurimit, kryesimin e OSBE-së dhe aktivizimin në nisma të tjera. Në këtë kontekst, procesi i angazhimit në BE është vendimtar, pasi ndikon edhe në plane të tjera ku realizohet diplomaci shumëpalëshe.
Shtetet e vogla mund të kompensojnë kufizimet për madhësinë dhe kapacitetet e dobëta të tyre, dhe të ushtrojnë ndikim në politikën rajonale dhe më gjerë, vetëm në rast se zbatojnë një strategji efikase – dhe domosdoshmërisht të ekuilibruar.