Dossier

Dëshmia e Ahmet Nivicës: Në Francë u vura në shërbim të agjenturave

               Publikuar në : 14:51 - 26/03/20 liberale

Dashnor Kaloçi

Memorie.al publikon historinë e panjohur të Ahmet Beqo Nivicës me origjinë nga fshati i Kurveleshit prej nga ai ka trshëguar mbiemërin, i cili pasi u shkollua në Tregtaren e Vlorës, në periudhën e Luftës Antifashiste ishte komandant i çetave të Rinisë së Ballit Kombëtar në Qarkun e Gjirokastrës dhe në fundin e vitit 1944, mundi që të largohej nga Shqipëria me disa prej eksponentët kryesorë të organizatave nacionaliste të Ballit Kombëtar dhe Legalitetit, si Mit’hat Frashëri, Hasan Dosti, Abaz Kupi etj., duke u vendosur në Itali në kampet e azilantëve politikë që kishin hapur anglo-amerikanët asokohe.

Largimi i Ahmetit nga Italia për në Francë së bashku me Sadik Premten, pasi ai rrezikohej të arrestohej dhe të dilte para gjyqit, i akuzuar për vrasjen e disa robërve italianë në Selenicë të Vlorës në vitin 1943 dhe stabilizimi i tij në Paris ku dhe ndoqi studimet e larta duke u diplomuar për Kimi-Industriale. Miqësia e Ahmetit me disa nga emigrantët politikë shqiptarë që ishin asokohe në Francë dhe gjithashtu afrimi dhe miqësia shumë e ngushtë e tij me Llambi Peçinin, i cili kryente detyrën e oficerit të Zbulimit Shqiptar, pranë ambasadës shqiptare në Paris, i kamufluar si diplomat.

Riatdhesimi i Ahmet Nivicës në vitin 1958 në Shqipëri pas një amnistie që dha asokohe regjimi komunist dhe caktimi i tij në punë si përgjegjës i një Ndërrmarje Tregtare në qytetin e Elbasanit, ku më pas ministri i Punëve të Brendëshme Kadri Hazbiu, së bashku me Kryetarin e Degës së Punëve të Brendëshme, Shim Kolli, e thirën dhe i kërkuan që ai të bashkëpunonte me organet e Sigurimit të Shtetit, duke u afruar me disa persona që kishin synime për t’u arratisur jashtë shtetit dhe do kërkonin ndihmën e tij. Refuzimi i Ahmetit për të punuar për Sigurimin dhe arrestimi i tij në vitin 1960, duke u dënuar me shumë vite burg, të cilat i vuajti në kampin e Spaçit nga ku në vitin 1983 e morrën dhe e sollën në “Repartin 313” të Tiranës, duke i kërkuar që të dëshmonte kundër Kadri Hazbiut dhe Llambi Peçinit

“Në ambientet e burgut 313 të Tiranës, në atë kohë ndodheshin edhe qelitë ku mbaheshin të izoluar nën masa të rrepta sigurie, Kadri Hazbiu, Feçorr Shehu, Llambi Peçini, Llambi Ziçishti, Nesti Nase, e disa të tjerë që konsideroheshin si bashkëpunëtorë të tyre. Ndërsa po më çonin në hetuesinë speciale e cila ishte një ferr i vërtetë prej dyerëve të hekurit që hapeshin e mbylleshin me një zhurmë të frikëshme, duke u ngjitur shkallëve, u përballëm me një oficer dhe një civil që po zbrisnin poshtë. Sapo u afruam një metër distancë me ata të dy, oficerët që më shoqëronin mua më ndaluan dhe më kthyen me kurriz, me qëllim që të mos e shikonim njëri tjetrin. Por unë e dallova fare mirë atë njeri, i cili ishte ish-kryehetuesi i Republikës, Nevzat Haznedari”. Njeriu që flet dhe dëshmon për Memorie.al, është Ahmet Nivica, ish-komandant i çetave të Rinisë së Ballit Kombëtar gjatë viteve të Luftës dhe më pas emigrant politik në Itali e Francë deri në vitin 1958, i cili rrëfen të gjithë aventurën e tij me kuadrot e lartë të Sigurimit të Shtetit që i kërkonin të dëshmonte kundër ish-Drejtorit të Sigurimit për udhëheqjen e lartë, Llambi Peçinit dhe Ministrit të Brendshëm Kadri Hazbiut.

Kush është Ahmet Nivica dhe çfarë veprimtarie zhvilloi ai gjatë viteve 1949-1958-të që ishte si emigrant politik në Francë? Çfarë i kërkonin atij shërbimet sekrete të disa vendeve perendimore dhe përse i vunë si detyrë parësore që ai duhet të rekrutonte sekretarin e parë të ambasadës shqiptare në Paris, i cili më pas u kthye në Tiranë dhe për shumë vite mbajti funksione të larta në Sigurimin e Shtetit? Çfarë bisedonin në kabaretë e Parisit deri në orët e vona të natës, emigranti politik shqiptar, me bashkëpatriotin e tij, i cili realisht ushtronte detyrën e Shefit të Sigurimit, por të kamufluar nën petkun e diplomatit? Çfarë i kërkonin njëri-tjetrit dhe përse Ahmet Nivica u bind për t’u kthyer në Shqipëri në vitin 1958? Kush e priti në aeroportin e Rinasit, çfarë deklarate i dha ai gazetarit Petrit Mullisi dhe kush ishin njerzit që e vizituan atë fillimisht në hotelet “Vollga” dhe “Dajti”?! Ku u sistemua me punë Ahmet Nivica dhe cilat ishin marrëdhëniet e tij me Llambi Peçinin, ish-diplomatin e ambasadës shqiptare të Parisit, i cili pas kthimit në Tiranë, u bë krahu i djathtë i Mehmet Shehut e Kadri Hazbiut? Çfarë i kërkuan Ahmetit në vitin 1963 Kadri Hazbiu me Shim Kollin dhe përse ai nuk pranoi të vihej në shërbim të tyre?

<
>
AHMET_NIVICA9 AHMET_NIVICA_ULUR_PI_KAFE AHMET_NIVICA8 AHMET_NIVICA11 AHMET_NIVICA444 Llambi-Peçini-ne-gjyqin-e-Kadri-Hazbiut.tif gjyqi-444.tif (1)

Zoti Ahmet, më lart u shprehët se qarqet antikomuniste me të cilat ishit lidhur ju, u sugjeruan që të lidheshit me Llambi Peçinin, për arsye se edhe ai i përkiste një klani në udhëheqjen e lartë komuniste të Shqipërisë, i cili synonte rrëzimin e Enverit. Nga e dinit ju atë fakt për Peçinin, a ua kishte shprehur ai atë gjë, dhe anasjelltas, ju a i kishit shprehur atij qëllimet që kishin qarqet antikomuniste me të cilat ishin lidhur e punonit ju?

Në mënyrë apsolute Llambi Peçini nuk më ishte shprehur asnjëherë hapur lidhur me klanin që ai i përkiste në udhëheqjen e lartë shqiptare apo qëllimet që kishte ai klan. Po kështu edhe unë nuk i isha shprehur asnjëherë atij hapur lidhur me detyrat që më ishin dhënë, por kjo gjë lihej të nënkuptohej fare lehtë nga bisedat që bënim me njëri-tjetrin. Nuk ishte aspak e vështirë që ne të dy të kuptonim se çfarë qëllimesh kishim.

U shprehët se për Peçinin u kishin dhënë detyra. Përveç qarqeve antikomuniste shqiptare që thatë më lart, a mund të na tregoni se a fshihej njeri tjetër pas jush. Me një fjalë, kush ishin ata që u detyruan që ju të takoheshit dhe të krijonit miqësi me Peçinin dhe çfarë detyrash ju kishin dhënë?

Po, aty nga fillimi i vitit 1957, më erdhi dhe më takoi një person i cili m’u paraqit si korrier i Prefekturës apo Bashkisë. Ai më tha që duhet të paraqitesha në një vënd në qytetin X në Rrugën e Ariut dhe aty do të më prisnin disa persona. Në fund të fjalës së tij, ai më tha që do bëja mirë që të shkoja në atë vënd, spse ishte për të mirën time. Unë pranova që të shkoja atje ku më thanë dhe e kuptova menjëherë se ata që më kërkonin ishin të shërbimeve sekrete, por se të kujt vëndi, këtë nuk e dija me ekzaktësi. Personat që kontaktuan me mua, më treguan se ata punonin për rrëzimin e qeverisë së Enver Hoxhës dhe më kërkuan që të bashkëpunoja me ta, duke më përmëndur edhe disa emra personash të cilët unë i njihja. Sipas tyre edhe ata kishin nënshkruar bashkëpunimin dhe vazhdonin të punonin për atë rrjet agjenturor.

Për kë rrjet agjenturor bëhet fjalë dhe çfarë detyre konkrete ju dhanë ato?

Ato ishin disa rrjete agjenturore që bashkëpunonin ngushtë me njëri tjetrin. Por mund t’ju them se njëri prej tyre ishte dhe është aktualisht një nga rrjetet më të fuqishme të shërbimeve sekrete që ka sot bota. Si fillim ata më kërkuan që unë të rekrutoja Sekretarin e Parë të ambasadës shqiptare të Parisit, Llambi Peçinin, i cili faktikisht kryente funksionin e Shefit të Zbulimit për vëndet Perendimore dhe fshihej nën petkun e diplomatit.

Si iu përgjigjët ju kërkesës së tyre për të bashkëpunuar me ta?

Në fillim unë hezitova duke u thënë se parimisht isha për rrëzimin e qeverisë komuniste të Enver Hoxhës dhe për këtë kisha dhënë prova duke luftuar me armë në dorë kundër tyre që gjatë viteve të Luftës. Por ai fakt, kursesi nuk do të thoshte që unë të bëhesha spiun.

A insituan ata në kërkesën e tyre dhe si u mbyll ai problem?

Mbas pesë orë diskutimesh, (nga ora 13 deri në 18) duke mos pasur rrëgëdalje tjetër, unë dhashë fjalën që do të punoja për ta dhe nënshkrova disa dokumenta që ata m’i vunë përpara për t’i firmosur.

Pas kësaj, si u lidhët me Llambi Peçinin. Kush ishte personi që ju prezantoi me të?

Pasi nënshkrova bashkëpunimin me ta, unë iu vura punës për të gjetur mundësinë se si të hyja në lidhje me Peçinin dhe personi që kishte njohje me të, ishte Salvator Pistuli, me origjinë nga Shkodra. Unë i kërkova Salvatorit që të më krijonte një mundësi takimi me Peçinin, duke i thënë se kisha dëshirë që të kthehesha në Shqipëri dhe ai si diplomat i ambasadës, mund të më ndihmonte për atë gjë. Salvatori më prezantoi me Llambin dhe pas atij takimi unë zura një miqësi të ngushtë me të. Ne të dy vazhdimisht pinim bashkë nëpër lokalet dhe kabaretë e Parist, ku kishte raste që na zinte edhe mëngjezi.

Nga e dinit ju se Llambi Peçini i përkiste një klani të udhëheqjes së lartë komuniste shqiptare i cili ishte rival dhe synonte për të zënë postin e Enverit?

Nisur nga fakti se shërbimet e huaja sekrete me të cilat u lidha unë kërkonin me insistim që ta rekrutoja atë, kjo gjë nuk ishte e vështirë të kuptohej. Pra ata kishin dijeni për lidhjet e tij me klanin e udhëheqjes në Tiranë, si dhe qëllimet e atij klani rival të Enverit dhe prandaj kërkonin që ta rekrutonin”.

Pas takimeve të shumta që bëje me Peçinin, si veprove për rekrutimin e tij?

Si fillim desha t’ju them, se pas detyrave që mora nga shërbimet e huaja sekrete, me të cilët nënshkrova dhe deklaratën e bashkëpunimit, unë vura në dijeni Komandantin e Përgjithshëm të Ballit Kombëtar, që vepronte në mërgatën shqiptare të vëndeve perendimore dhe ai më tha: “Vazhdo detyrën që të është dhënë, sepse kjo është dhe në interesin e kauzës sonë”. Por edhe pas miratimit që mora nga komandanti i Ballit, unë u vura në një pozitë shumë të vështirë dhe nuk dija se si të veproja. Unë nuk kisha asnjë dëshirë që të hyja në ato punë të mëdha, pasi e dija shumë mirë se ekzistonte edhe rreziku i eleminimit tim fizik. Po kështu, megjithëse Llambi Peçini ishte komunist, unë nuk doja që ta dorëzoja atë në duart e shërbimeve të huaja sekrete. Nisur nga dilema e madhe në të cilën u ndodha, vendosa që të konsultohesha me një shokun tim të ngushtë, ish-oficer rus dhe antikomunist i tërbuar, (i njohur si Ismail) duke ia treguar gjithshka që më kishte ndodhur. Pasi më dëgjoi më vëmëndje, ai më tha: “Ta dish se po nuk e bëre detyrën që të kanë caktuar, ata do të vrasin. Këto janë rregulla strikte që kanë agjenturat dhe ata nuk mund t’i shkelnin, se ndryshe dekonspirohen dhe dalin krejtësisht të zbuluar”.

Çfarë bëtë pasi u konsultuat me shokun tuaj rus?

Unë rashë në një gjëndje tepër të vështirë, pasi agjentura e huaj më kërkonte vazhdimisht raporte se çfarë po bëja për detyrën që më ishte ngarkuar. Nisur nga ky fakt, unë vendosa që të mos punoja për këtë qëllim dhe pësëri u konsultova me një shokun tim shqiptar të quajtur, Anton M. me origjinë nga Shkodra. Ai ra dakort me mua që të ktheheshim të dy në Shqipëri. Pas kësaj unë shkova dhe takova përsëri Komandantin e Përgjithshëm të Ballit Kombëtar dhe ai ma aprovoi kërkesën time për t’u kthyer në Shqipëri.

Po si ua aprovoi ai kërkesën për t’u kthyer në Shqipëri, kur më parë u kishte thënë që të vazhdonit detyrën për të rekrutuar Peçinin?

E para, se ai kishte shumë besim tek unë, dhe e dyta, edhe këtu në Shqipëri, unë do të vija me detyra të tjera që i mora po nga ai person. Pra me pak fjalë ai ma aprovoi kërkesën për t’u kthyer në Shqipëri, në vazhdim të detyrave që më kishte ngarkuar më parë.

A nuk kishit frikë se kur të vinit në Shqipëri ju do të burgoseshit, pasi figuronit në listën e “Kriminelëve të Luftës” që kishte nxjerrë qeveria komuniste e Tiranës?

Në atë kohë emri im ishte hequr nga ajo listë prej amnistive që jepeshin herë pas here nga qeveria shqiptare, sidomos me rastin e festave të çlirimit. Po kështu në atë kohë, pra në fundin e vitit 1957 dhe fillimin e vitit 1958, nisur nga politika liberale e Hrushovit, Bashkimi Sovjetik dhe shumica e vëndeve komuniste të Lindjes, dhanë një amnisti të gjërë për emigranët e tyre politikë që jetonin në Perëndim. Në këtë kuadër shumë antikomunistë që jetonin në shtetet perendimore, u kthyen në vëndet e tyre. Në këtë konteks të ngjarjeve edhe Shqipëria sa për sy e faqe vendosi që të bënte një amnisti, por sigurisht jo në ato përmasa si vëndet e tjera të Lindjes, si p.sh. Çekia e Polonia.

Përveç jush, a pati emigrantë të tjerë antikomunistë shqiptarë që u kthyen në atë kohë në vëndin e tyre në akuadrin e asaj amnistie?

Në atë kohë nga vëndet perendimore u kthyen në Shqipëri rreth 22 persona. Ata nuk erdhën të gjithë përnjëherë, por me grupe të vogla e në kohë të ndryshme.

Ata që u kthyen, a ishin eksponentë të njohur antikomunistë apo emra të panjohur. A mund të na thoni ndonjë emër prej tyre?

Në fakt nga eksponentët e njohur që kishim edhe emrat në listën e atyre që ishim konsideruar si “Kriminelë lufte”, isha vetëm unë me Dr. Ali Kumbaron. Të gjithë të tjerët ishin vetëm ushtarë të thjeshtë, apo siç i quanin komunistët “të gënjyer”. Siç thashë më lart, qeveria komuniste shqiptare e asaj kohe e bëri atë gjë sa për sy e faqe.

Kur u kthyet ju, kush ju priti në Shqipëri dhe çfarë ju thanë fillimisht?

Unë u ktheva në Shqipëri më 3 prill të vitit 1958. Në aeroportin e Rinasit kishin dalë për të më pritur një komisjon nga Kryeministria dhe disa persona të Sigurimit të Shtetit të cilët më futën në një lokal të veçantë ku dhe më qerasën. Ata më bënë propagandë duke më thanë se kisha bërë shumë mirë që isha kthyer. Aty në Rinas unë dhashë dhe një intervistë për një gazetë që dilte jashtë Shqipërisë dhe gazetari i saj, quhej Petrit Mullisi.

Çfarë thatë në atë intervistë?

Aty thashë shprehimisht: “Unë jam larguar nga Shqipëria kur kali tërhiqte zvarrë kalorsin dhe u ktheva tani që këtu u hidhka vallja e haresë. Jam akuzuar si kriminel lufte, sikur kam vrarë 20 vetë dhe si spiun i italianëve e gjermanëve. Unë kërkoj që të gjykohem për këto akuza.

Çfarë u thanë pas kësaj interviste?

Ata të kryeministrisë më thanë: “Atëhere ishte luftë, ti tashti je i pafajshëm, ke përfituar dhe je falur nga amnistia”.

Zoti Ahmet, në çfarë itinerari udhëtuat kur u kthyet në Shqipëri?

Kthimi im për në Shqipëri nuk ishte i lehtë pasi gjatë ndalesës së avionit në Beograd, mua më morën shërbimet e fshehta jugosllave (UDB) dhe mbajtën për 15 ditë në hotelin “Beograd”, duke më thënë se duhet të prisja pasi nuk kishte avion për në Rinas. Gjatë atyre ditëve në hotelin ku më kishin akomoduar, vinin vazhdimisht njerëzit e policisë sekrete duke më pyetur se nga vija, ku shkoja, kë kisha në Shqipëri dhe shumë pyetje të tjera nga më të ndryshmet, duke më lënë që të kuptoja se ata donin të më rekrutonin. Pas 15 ditëve me ndërhyrjen e ambasadës sonë në Beograd, ata më lejuan që të largohesha dhe kështu siç ju thashë më lart, më 3 prill të vitit 1958 unë mbërrita në aeroportin e Rinasit.

Pas mbërritjes në Rinas, ku ju dërguan më pas?

Pas pritjes që m’u bë në Rinas nga komisjoni i Kryeministrisë të cilin e kryesonte koloneli i Sigurimit, Th. Dine, mua më sollën në Tiranë dhe më sistemuan në Hotel “Vollga” ku erdhën përsëri disa oficerë të Sigurimit të cilët më morën në pyetje duke më kërkuar të vërtetën se përse isha kthyer në Shqipëri. Pas dy-tre ditësh, teksa më kishin hequr nga “Vollga” dhe ndodhesha në hotel “Dajti”, erdhi Llambi Peçini nga Franca dhe më takoi aty në hotel. Ai më tha: “E bëre si burrat që u ktheve, e lexova në gazetë intervistën që kishe dhënë dhe ajo bëri bujë të madhe në të gjithë koloninë shqiptare të Parisit”.

Çfarë biseduat tjetër me Peçinin?

Ne bëmë biseda të ndryshme, si të thuash muhabete të përgjithshme pa ndonjë temë të caktuar. Para se të largohej, ai më tha se për çdo pengesë që të kisha, të shkoja dhe të takoja Kadri Hazbiun apo dhe Mehmet Shehun.

Kë takuat tjetër ato ditë të para të ardhjes suaj në Tiranë?

Vetëm pak minuta pas largimit të Llambit, në dhomën time në “Dajti” erdhi major Eshref Gjoliku dhe më tha se kërkonte për të më takuar babai i tij në shtëpi, kolonel, Jaho Gjoliku, të cilin ne e kishim mik shtëpie që nga koha e Luftës. Në atë kohë Jaho ishte liruar si ushtarak dhe qëndronte në shtëpi i paralizuar. Unë shkova në shtëpinë e Jahos atë ditë dhe disa herë të tjera. Në një nga ato vizita ai më tha: “Ahmet, para disa ditësh këtu në shtëpinë time kisha Enverin me Hysniun. Unë i fola atyre dhe për ty me fjalët më të mira. Enveri më tha: “Sa të jem unë dhe Partia, Ahmetit nuk i pritet koka, se ka mbajtur qëndrim të pastër politik”./Memorie.al

Tags: , ,

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back