Kosova

Kurti fajëson opozitën për sulm institucional, opozita e bën atë fajtor për shkelje të Kushtetutës

Shkruar nga Liberale

Kurti fajëson opozitën për sulm institucional, opozita e bën

Dorëheqja e vonuar e Albin Kurtit nga posti i kryeministrit, që çoi në mosvotimin e raportit të komisionit për verifikimin e mandateve të deputetëve, e që rrjedhimisht e pengoi konstituimin e Kuvendit të Kosovës, po shihet si e qëllimshme.

Kyeministri Albin Kurti ka akuzuar opozitën për siç ka thënë, “sulm institucional ndaj Kosovës", e opozita e fajësoi atë për përpjekje për ta shkelur Kushtetutën.

Kryeministri në detyrë ka shkruar në Facebook se kjo është situatë e paparë për shtetin dhe shtoi se partitë opozitare e Lista Serbe treguan “se janë edhe kundër vetvetes”.

“Deputetët e opozitës PDK, LDK, Lista Serbe dhe AAK sot votuan kundër raportit të komisionit për verifikimin e mandateve. Në një votim krejt formal e teknik që bazohet në dokumentacionin e KQZ-së, ata u rebeluan kundër betimit të deputetëve dhe konstituimit të legjislaturës së nëntë. Ky është sulm brenda institucional kundër Republikës së Kosovës dhe zgjedhjeve demokratike. Kjo është situatë e paparë në shtetin tonë e shumë më gjerë”, tha Kurti.

Me frymë të ngjashme ka folur edhe ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila tha se opozita ka qasje bllokuese.

Haxhiu tha se rezultati zgjedhor është i certifikuar dhe nuk ka kuptim të hapet një çështje e organeve zgjedhore kur kanë përfunduar të gjitha procedurat.

“Para se të ndodhë certifikimi i rezultateve, ne, secili nga ne e kemi njoftuar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve që e pranojmë mandatin e deputetit dhe rrjedhimisht, duke qenë që sot ka qenë seanca konstituive, në rast se kjo seancë konstituive ndodh ne i kemi kryer obligimet që kemi pasur me dorëheqje dhe ne kemi pasur një komunikim me përfaqësuesin e PDK-së për këtë çështje: tha letra s’më bindi, çka t’i bëjmë? Nuk e paska bindur letra”, tha Haxhiu.

Kryetarët e partive opozitare thanë se përfaqësuesit e LVV-së po e shkelin ligjin për Qeverinë, që e miratoi vetë Qeveria Kurti 2, i cili i obligon zyrtarët me pozita ekzekutive të dorëhiqen në prag të certifikimit të rezultateve.

“Po e përcjelli njoftimin: cilin njoftim? Ku është njoftimi? Jam efektivisht i dorëhequr. Jo, jo efektivisht nuk je i dorëhequr, shkruaje dorëheqjen dhe në rregull është. Kanë dhënë edhe më herët kryeministrat dorëheqje dhe kanë qëndruar në zyrë, por s’ka pasur Ligj për Qeverinë. Këta more e kanë bërë ligjin vetë, nuk ua kemi bërë ne”, tha kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi.

“Në qoftë se është dhënë një letër dorëheqjeje dhe të njëjtët kanë vazhduar në zyrë dhe zyrat i kanë këtu, atëherë çfarë vlere ka kjo letër një njeri që jep dorëheqje nuk e vazhdon punën si kryeministër i Kosovës, ju lus të shkoni tek kryeministria ta shihni se a është kryeministri i Kosovës kryeministër apo është deputet në Kuvendin e Kosovës sepse të dyja s’mundet”, tha kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku.

Ndërsa kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka deklaruar se konstituimi i Kuvendit u bllokua nga vetë kryeministri në detyrë, Albin Kurti, duke thënë se ligji nuk lejon mbajtjen e postit të kryeministrit apo të ministrit “dhe të betohesh si deputet”.

Haradinaj është shprehur se “nuk mund të ulesh në dy karrige njëkohësisht”, duke shtuar se raportin e Komisionit nuk e vlerësuan pasi “nuk mund ta shkelim Kushtetutën”.

Njohësit e punës së Kuvendit e të Qeverisë barrën për formimin e tyre ia faturojnë Lëvizjes Vetëvendosje si fituese e zgjedhjeve, teksa shtojnë se këto vonesa janë të qëllimshme, pasi nuk ka votat e mjaftueshme.
“Mungesa e votave të Lëvizjes Vetëvendosje për ta kaluar raportin është indikator që mungojnë numrat edhe për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, por që në parim është hapi i parë dhe dështimi në të është tregues i keq se mund të kemi bllokada institucionale“, u shpreh Eugen Cakolli nga Instituti i Kosovës për Demokraci.

Kryesuesi i seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, të martën ka njoftuar se me anë të një letrës do të kërkojë sqarime nga Presidentja e vendit për procedurat se si do të vazhdohet tutje.
Presidenca e Kosovës nuk ka pranuar ende një letër të tillë. Ndërprerja e seancës nuk mund të zgjasë më shumë se 48 orë.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH