83-vjeçari Fethullah Gulen, i cili ka ndërruar jetë këtë të hënë, ishte një predikues dhe ish-mësues turk, i njohur për krijimin e një lëvizjeje të fuqishme islamike, e njohur si Lëvizja Guleniste.
Lëvizja Gylen është një grup organizatash fetare, arsimore dhe sociale në Turqi dhe jashtë saj, e themeluar dhe frymëzuar nga Fethullah Gylen. Në maj 2016, Turqia e cilësoi lëvizjen një organizatë terroriste, duke iu referuar asaj si Organizata Terroriste Fetullah (FETO).
Gulen u bë i njohur për aktivitetet e tij në arsim, duke themeluar shumë shkolla, universitete dhe institucione edukative në Turqi dhe në vende të tjera.
Por pas grushtit të shtetit të dështuar në vitin 2016, ai u akuzua nga qeveria turke se fshihej pas përpjekjes për të rrëzuar presidentin Recep Tayyip Erdogan, akuza që ai gjithmonë i ka mohuar.
Pas këtij ngjarjeje, Gulen jetoi në Shtetet e Bashkuara, ku kërkoi azil. Ai ka qenë një figurë e polarizuar, me mbështetës dhe kundërshtarë të shumtë.
Gyleni jetonte prej 22 vitesh në Pensilvani të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe pavarësisht kërkesave të vazhdueshme nga qeveria turke për ekstradimin e tij, Uashingtoni e ka refuzuar.
Në Turqi, mijëra ndjekës të Gylenit, ish-aleatë politikë të qeverisë së Erdoganit për disa vite, janë burgosur vitet e fundit, ndërsa mijëra të tjerë janë larguar nga vendi.
Fetollah Gylen lindi në një fshat në provincën lindore turke të Erzurumit në vitin 1941. Djali i një imami ose predikuesi islamik, ai studioi Kuranin që në foshnjëri. Në vitin 1959, Gulen u emërua imam i xhamisë në qytetin veriperëndimor të Edirnesë dhe filloi të bëhej i njohur si predikues në vitet 1960 në provincën perëndimore të Izmirit, ku ngriti konvikte studentore dhe shkonte në çajtore për të predikuar.
Këto shtëpi studentore shënuan fillimin e një rrjeti informal i cili do të përhapej në dekadat në vijim përmes arsimit, biznesit, medias dhe institucioneve shtetërore, duke u dhënë përkrahësve të tij ndikim të gjerë. Ky ndikim u përhap edhe përtej kufijve të Turqisë në republikat turke të Azisë Qendrore, Ballkanit, Afrikës dhe Perëndimit përmes një rrjeti shkollash.
ISH ALEATI I ERDOGANIT
Gulen kishte qenë një aleat i ngushtë i Erdoganit dhe Partisë së tij AK, por tensionet në rritje në marrëdhëniet e tyre shpërthyen në dhjetor 2013 kur dolën në dritë hetimet për korrupsion që synonin ministra dhe zyrtarë të afërt me Erdoganin.
Menjëherë pas grushtit të shtetit të vitit 2016, Erdogan e përshkroi rrjetin e Gylenit si tradhtarë dhe "si një kancer", duke u zotuar se do t'i çrrënjos kudo që të jenë. Qindra shkolla, kompani, media dhe shoqata të lidhura me të u mbyllën dhe pasuritë u sekuestruan.