
Përshatati dhe përgatiti për Liberale.al, Laert MIRAKU
Disa fshatarë në Hokse, një fshat i largët në Nepal, janë joshur të shesin veshkat e tyre me një premtim se do të rriteshin sërish.
Hokse, dikur i njohur si "Lugina e veshkave", sepse së paku nga një person nga pothuajse çdo familje ka shitur veshkën e tij/saj.
Trafikantët e organeve vizitojnë zonën dhe i bindin njerëzit të shesin organet me pretendimin se do ju rriten sërish. Tani, viktimat thonë se ndihen të mashtruar dhe të shfrytëzuar.
Disa kanë vdekur si pasojë e asaj që u është bërë trupave të tyre. Kanchha dhe Ram, të dy në të 40-at, ngrenë këmisha për të zbuluar plagët e gjera në trup. Të dy shitën veshkat e tyre, të shtyrë nga varfëria e skajshme.
Kanchha tha për SkyNews se ai është ende në dhimbje dhe i paaftë për të punuar për shkak të efekteve anësore nga operacioni.
"Është e pamundur të numërosh se sa e kanë bërë mëkat fatal," thotë Kanchha. “Thuajse kudo në zonën tonë, nga ky fshat apo fshatrat përreth njihesh me kaq shumë njerëz kanë shitur veshkat e tyre.”
Tani situata në Hokse ka arritur një pikë kritike, me një numër alarmant të të rinjve emigrantë që kthehen në fshat me një veshkë të dëmtuar dhe me nevojë urgjente për transplantim të veshkave.
Disa shkencëtarë ia atribuojnë këtë fenomen kushteve të vështira të punës jashtë vendit për shkak të ekspozimit ndaj nxehtësisë ekstreme dhe dehidrimit të rëndë.
Një prej migrantëve të tillë, Suman, kujton përvojën e tij të shitjes së veshkës në Indi nga dëshpërimi i plotë. Suman tha se ishte i rrënuar totalisht nga ana ekonomike dhe emocional, kishte menduar edhe t'i jepte fund jetës së tij.
Në rrëfimin e tij, Suman tregon se ndjeu se nuk kishte "asnjë alternativë" veçse të udhëtonte në Indi për t'i shitur veshkën e tij një gruaje që pretendonte të ishte motra e tij dhe u pagua 3,000 £ për të.
"U ndjeva i dobët dhe humba vetëdijen," thotë Suman. “Kur u zgjova, më dhimbte vërtet. Tani nuk mund të punoj dhe përpiqem t'i them kujtdo që mundem, të mos ia shesë veshkën”.
Kanchha tha se “agjentët e tij bënë dokumente të rreme në Katmandu, duke përfshirë kartat e identitetit indian… Veshka ime iu dha një motre false. Mendoj se doktori në Indi e dinte që e kisha shitur.”
Ndërsa Jit Bahadur Gurung, 29 vjeç, punoi në Arabinë Saudite për tre vjet, ai tani duhet t'i nënshtrohet katër orë dializë në Qendrën Kombëtare të Veshkave në Katmandu, tre herë në javë.
Edhe me ndalesat ligjore në fuqi, trafikimi i organeve është ende një problem i madh në mbarë botën, si dhe në Indi.
Hetimet për skemat e paligjshme “Para në dorë për veshka” kanë zbuluar bashkëpunimin e mjekëve dhe spitaleve në vazhdimësinë e kësaj tregtie në tregun e zi. Vlerësohet se në nivel global, një në 10 organe të transplantuara janë trafikuar.
Megjithëse vendasit e Nepalit këmbëngulin se shitjet e veshkave kanë pushuar, disa banorë vazhdojnë të ndërmarrin rreziqe të dëshpëruara në kërkim të një jete më të mirë.