Një ngjarje e rëndë ka tronditur opinionin publik në Kaliforni, kur autoritetet zbuluan detaje të reja për vdekjen brutale të Oscar Hernandez, një 13-vjeçar nga Los Angeles, i cili u zhduk në fund të muajit mars dhe u gjet pa jetë disa ditë më vonë në një hendek në Ventura County.
Oscar kishte marrë trenin për në Antelope Valley për të ndihmuar trajnerin e tij, Mario Edgardo Garcia Aquino, me uniformat e skuadrës së futbollit. Por ai nuk u kthye më kurrë në shtëpi. Autopsia zbuloi se ai kishte ndërruar jetë nga “helmim akut me alkool”, ndërsa hetuesit dyshojnë se fëmija mund të jetë viktimë e një akti të rëndë kriminal.
Mario Garcia Aquino, 43 vjeç, shtetas nga El Salvadori, është vënë nën akuzë për vrasje me rrethana rënduese. Sipas autoriteteve, krimi është kryer gjatë tentativës për të keqtrajtuar të miturin. Nëse shpallet fajtor, ai rrezikon dënimin me vdekje – megjithëse ky dënim është aktualisht i pezulluar në Kaliforni.
Hetuesit dyshojnë gjithashtu se Garcia Aquino është i përfshirë edhe në dy raste të tjera të ngjashme të ndodhura në vitet 2022 dhe 2025. Madje, një urdhër-arresti për të ishte lëshuar vetëm tre ditë para se të zbulohej trupi i Oscarit.
Garcia Aquino është deklaruar i pafajshëm në seancën e parë gjyqësore, ndërsa gjykimi pritet të vijojë në muajin gusht.
Sipas një raporti të Los Angeles Times, i dyshuari ndodhej në mënyrë të paligjshme në SHBA. Autoritetet federale e kanë përshkruar atë si një individ të rrezikshëm, që nuk duhej të kishte qenë në territorin amerikan.
Ndërkaq, hetimet po vazhdojnë nga FBI dhe Policia e Los Angeles. Familja e Oscarit kërkon drejtësi dhe dënim maksimal për autorin e dyshuar të kësaj ngjarjeje tronditëse.