Globi

100 të vdekur në përmbytjet në Mianmar pas tajfunit Yagi

Shkruar nga Liberale
100 të vdekur në përmbytjet në Mianmar pas tajfunit Yagi

Më shumë se 100 njerëz kanë vdekur nga përmbytjet dhe rrëshqitjet e dheut të shkaktuara nga mbetjet e tajfunit Yagi në Mianmar.

Mësohet se 113 persona janë konfirmuar të vdekur dhe 64 të tjerë të zhdukur, megjithëse raportet rajonale dyshojnë se numri i vdekjeve mund të jetë më i lartë.

Ndërkohë, mbi 320,000 njerëz janë detyruar të evakuohen në strehimore të përkohshme.

Yagi, stuhia më e fuqishme e Azisë këtë vit, tashmë është dëshmuar shkatërruese pasi përfshiu Vietnamin, Laosin, ishullin kinez të Hainan dhe Filipinet.

Të paktën 287 persona mendohet se kanë vdekur si pasojë e stuhisë para se të arrinte në Mianmar.

Në Myanmar, media shtetërore raporton se gati 66,000 shtëpi ishin shkatërruar që nga mbrëmja e së premtes, së bashku me 375 shkolla dhe një manastir. Gjithashtu që nga e premtja, më shumë se 236,000 njerëz po strehoheshin në 187 kampe ndihmash.

Ndikimet e reshjeve të mëdha janë përqendruar në shtetet Kayah, Kayin, Mandalay, Mon dhe Shan, të cilat mbulojnë rajonin qendror të Mianmarit.

Ministria e informacionit e Mianmarit thotë se punonjësit e urgjencës dhe shëndetësisë janë vendosur në zonat e prekura nga përmbytjet dhe se ka siguruar fonde për ushqim dhe ujë të pijshëm për të evakuuarit.

Gjithashtu ka filluar riparimi i rrugëve dhe urave të dëmtuara, raportojnë mediat shtetërore.

Shkencëtarët thonë se tajfunet dhe uraganet po bëhen më të fortë dhe më të shpeshtë me ndryshimet klimatike.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH