Ministri i Brendshëm, Taulant Balla ka paralajmëruar se kushdo efektiv i policisë që ka takuar një person të botës kriminale, apo nëse ka komunikuar me të në rrjetet sociale, do të përjashtohet nga Policia e Shtetit, edhe nëse bisedat e tyre nuk lidhen me aktivitetin kriminal.
Këtë deklaratë Balla e bëri sot teksa diskutonte në Komisionin për Çështjen Europiane.
Mes të tjerash ministri tha se po presin SPAK dhe Interpolin që janë duke zbërthyer rrjete e komunikimi si SKY dhe Encro Chat (rrjete që janë përdorur nga personazhe të botës së krimit), dhe kushdo që është i përfshirë do të pushohet nga detyra.
“Ka punonjës policie të cilët rezultojnë të jenë të përfshirë në kontakte me botën e krimit dhe dua tju informoj që i kam kërkuar drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit dhe AMP duke qenë se jemi në kontakt me INTERPOL, që ne të kemi informacion sa më shpejt të jetë e mundur.
Dua ta them këtu në Kuvendin e Shqipërisë për çdo punonjës së Policisë së Shtetit, i cili do rezultojë të ketë pasur akses në këto rrjete komunikimi, qoftë me SKY apo Encro chat, do të përjashtohet nga policia edhe nëse në rast se në ato komunikme nuk është se rezulton të ketë një aktivitet kriminal.”-tha ministri Balla.