Grupi austriak Raiffeisen konfirmoi zyrtarisht sot se do të qëndrojë në Shqipëri, duke përgënjeshtruar zërat e muajve të fundit që flisnin për shitjen e filialit shqiptar. Në një njoftim zyrtar të bankës, Kryetari i Këshillit Drejtues të Raiffeisen Bank Shqipëri, Peter Lennkh, u shpreh se Raiffeisen Bank International nuk do të largohet nga tregu shqiptar.
“Javët e fundit janë përsëritur spekulime për të ardhmen e Raiffeisen Bank sh.a. Prandaj, në funksionin tim si Kryetar i Këshillit Drejtues të Raiffeisen Bank sh.a., dëshiroj të sqaroj se Raiffeisen Bank International nuk synon të largohet nga tregu shqiptar. Banka jonë ka një pozicion të fortë në treg dhe gëzon një reputacion të lartë dhe vlerësime shumë të mira nga klientët tanë. Për më tepër, ne kemi një pikëpamje pozitive për zhvillimet e ekonomisë së Shqipërisë, e cila mbështetet nga perspektiva e anëtarësimit në BE. Ne do të vazhdojmë t’u shërbejmë klientëve tanë në mënyrën më të mirë të mundshme,” tha z.Lennkh.
Në vijim të prononcimit të Bordit, Drejtori i Përgjithshëm i Raiffeisen Bank Shqipëri, Christian Canacaris iu drejtua me një mesazh stafit të bankës.
“Mezi po pres të festojmë së bashku përvjetorin e 20-të të Raiffeisen Bank në Shqipëri dhe të gjitha arritjet tona,” thuhet në mesazhin e z.Canacaris.
Prej muajsh në treg qarkullonin zëra se Raiffeisen Shqipëri ishte në negociata për tu shitur tek një nga grupet më të mëdha të biznesit shqiptar.
Aktualisht, Raiffeisen Bank është banka e tretë më e madhe në tregun shqiptar. Sipas të dhënave nga Shoqata Shqiptare e Bankave, në mesin e këtij viti Raiffeisen Bank zotëronte 15.2% të tregut bankar në Shqipëri, për një total aktivesh prej 275 miliardë lekësh ose 2.35 miliardë eurosh. Raiffeisen është njëkohësisht banka e dytë më e madhe huadhënëse e ekonomisë, me një portofol total prej 113 miliardë lekësh ose 16.6% e kredisë totale të dhënë nga sektori bankar shqiptar deri në mesin e këtij viti.
Grupi Raiffeisen hyri në Shqipëri në vitin 2004, kur finalizoi privatizimin e Bankës së Kursimeve. Hyrja në treg e Raiffeisen i dha një shtysë të fortë rritjes së sektorit bankar në Shqipëri, sidomos deri në vitin 2009, kur në treg filluan të shfaqeshin pasojat e krizës financiare globale.