Aktualitet

Zhani Ciko: Ai që na dhuroi Çelësin e Solit të Milanos

Shkruar nga Liberale

Ndërron jëtë muzikanti i madh italian Marcello Abbado, njohësi dhe mbështetësi më i shquar i Shkollës violinistike shqiptare prej vitit 1989

Abbado që nuk njohim

Ka ndërruar jetë në moshën 93 vjeçare, mjeshtri i muzikës italiane Marcello Abbado, kompozitori, pianisti, e një prej figurave udhëheqëse në botën muzikore, por edhe miku i madh i instrumentistëve shqiptarë.

Në një intervistë televizive të disa viteve më parë, pas një koncerti premierë, në Teatrin e Operas dhe Baletit me orkestrën shqiptare të drejtuar nga Maestro Zhani Ciko, Abbado ka vlerësuar me nota maksimale shkollën violinistike shqiptare, duke shprehur habinë dhe entuziasmin e tij për cilësinë e lartë artistike të instrumentistëve të dalë nga kjo shkollë.

Me një emocion që nuk arrin dot ta fshehë, Maestro Ciko, sot pedagog në Akademinë e Arteve të Universitetit Europian të Tiranës, ndan ekskluzivisht me ne, historinë e një miqësie të gjatë, me një njeri dhe muzikant të rrallë – siç thotë ai -  për të cilin jo të gjithë e dinë, se i ka çmuar dhe mbështetur si pakkush tjetër, artistët shqiptarë”.

-Atëherë Caro Maestro do të takohemi në ditët me tonalitet maxhor, që me siguri do të vijnë, sipas raporteve të fundit.

-Këtu në Streza do të më kesh, në shtëpinë që ti e njeh Caro Gianni.

-Më pëlqen timbri i zërit tuaj. Ke bërë vokaliza Maestro?

Me këtë përshëndetje miqësore u ndamë në telefonatën e fundit. Ishte 30 maj 2020, ora 11.32'. Ditët në këtë mbyllje solitare, veç idesë së mbijetesës kishin dhe idenë e të kaluarit me pak filozofi, veç të tjerave dhe për të ruajtur lidhje shpirtërore me miq të vyer e sidomos të mëdhej, pse jo dhe të famshëm; jo vetëm për të treguar respekt e mirënjohje, por edhe për ta mbajtur më lart se e përditshmja tonusin e jetës.

4 qershor ora 22.55', një telefonatë e vonë e mikut dhe dirigjentit të njohur Vittorio Parisi më shqetësoi që në tingëllim: "Mi dispiace Zhani, sapo lexova lajmin e hidhur. Ka ndërruar jetë Maesto Abbado. M’u duk me vend të të njoftoja megjithë orën e vonë për një lajm si ky..."

Që në atë moment dhe gjithë natën e pafund, Marcello Abbado nuk ishte më Miku i madh i të dyve, por Personaliteti i lartë muzikor që na kishte lartësuar dhe ne, me afrimitetin dhe bashkëpunimin e tij.

Së pari ishte djali i madh i Michelangelo Abbado-s, violinistit, dirigjentit dhe didaktit të shquar italian të shkollës moderne të krijuar nga Enrico Pollo, themelues i orkestrës së parë italiane të stilit barok dhe atij që për 50 vite kishte drejtuar katedrën e violinës në Konservatorin "G.Verdi" të Milanos.

Marcello, djali i madh në plotësimin e kësaj dinastie muzikore, përqafoi pianon si instrument bazë, por edhe pse pa ma shprehur asnjëherë, kuptova se në shtëpinë e tyre Violina ishte mbreti. E njihte thellë dhe e shfaqte interesin për artin  violinistik vazhdueshëm.

Djali i dytë, Claudio Abbado dirigjenti më i madh europian së paku nga vitet 50 e deri në këto ditë kur emri i tij gjallon më shumë se kurrë, ndonëse i ndarë nga skena dhe jeta para kohe. Të tjeret, pjesëtarë të dinastisë, artistë dirigjentë, regjizorë dhe emra aktivë në panoramën muzikore botërore.

Lidhja me Shqipërinë dhe kulturën muzikore shqiptare erdhi natyrshëm, por edhe si me porosi. Mbas '95, pak nga pak diçka po lëvizte dhe tek ne. Dëshira më e madhe për ne të artit, ishit kapërcimi i izolimit kulturor. Në Liceun Artistik ku unë jepja mësimin e violinës bashkë me kolegë të tjerë, kishte rezultate të larta. Megjithë largimin e Papavramëve, atë e bir, dhe të rinjve të tjerë super të talentuar, që shteti i dha bursa studimi, ne që mbetëm vijuam traditën me zell. Unë kisha krijuar madje një orkestër harqesh me talentet e shkollës, që gëzonte emër. Pas një paraqitjeje në Greqi dhe më pas në Austri, kishim korrur elozhe pa fund, në shtyp e skenë.

Me rekomandimin e dirigjentit të parë italian që vizitoi Tiranën, Vittorio Parisit, Konservatori i Milanos"G.Verdi", ftoi orkertrën e harqeve të krijuar e drejtuar prej meje, të japë një koncert në sallën Verdi, salla më e madhe koncertore e Milanos asokohe, si dhe të zhvillonte një turne në disa qytete të Italisë, organizuar nga Instituti i Kulturës i Ambasadës me drejtor Serena Luciani. Përgjegjësi dhe nder i madh njëkohesisht!

Marcello Abbado, drejtori pritës, me një emër të lartë dhe emocionues, nuk na priti në zyrë apo ambjent tjetër. Salla Verdi ishte e hapur; unë me zë të tharë, i thirra "kalamajtë e orkestrës", 10‐14 vjeçarë, të bëheshin gati për provë. Kur ishim gati në të mbaruar, konststova se në rreshtat e fundit të gerisë, ishte ulur dikush. Erdhi variacioni i fundit i Kapricit 24 të Paganinit që mbyllte programin dhe menjëherë zotëria në fund të sallës duartrokiti fort dhe bërtiti një Bravo…!

Bravo!!! E njoha pa e takuar ende! Ishte Marcello Abbado! Në mbrëmje pas koncertit, duartrokitjet, entusiazmi, ia lanë vendin konsideratave të çmuara të personalitetit më të madh muzikor, që kisha takuar unë dhe fëmijët e talentuar shqiptarë.

-Kam dëgjuar ansamble violinistike të famshme…. ja Orkesta e Bolshoit… Po ata kanë vetëm 4 violinistë që luajnë unison Motto perpetuon e Paganinit; të tjerët janë shoqërues. Nuk njoh absolutisht asnjë tjetër që luan unison kapricin me 20 violinista dhe pa asnjë thjeshtim të partit.

I shpërndau të gjithëve orkestrantëve ftesa për pjesëmarrje në konkursin"M.Abbado", si dhe premtoi se do vinte të vizitonte Shqipërinë dhe të bashkëpunonim në vijimësi.

Nuk mund t’jua përshkruaj gëzimin e virtuozëve të vegjël dhe gjullurdinë e tyre në hotel, për gjithë natën.

Abbado i Madh e mbajti fjalën; erdhi shumë shpejt në Shqipëri. Luajti Koncertin e 4 të Prokofievit, për vetëm dorën e majtë, vepër të cilën autori e shkroi për një mikun e tij që e humbi dorën në luftën e dytë. Zgjedhje e mençur; me këtë rast njohu dhe muzikantë të tjerë shqiptarë dhe vizitoi institucionet kryesore.

Pas '90- tës e ftova nga RTSH të festonte me ne një përvjetor të Mozartit. Programi i veçantë përmbante 3 koncerte; për 1, për 2 dhe për 3 piano dhe orkestër. Ishin ditët e vështira të një tranzicioni dhe krize ekonomike të ndjeshme. Pas Koncertit në darkën e shtruar në Hotel Dajti, më shoqëroi deri tek shkallët e jashtme -diçka e çuditshme kjo- dhe më tha: "Guarda Gianni, nëse nuk e përballon dot realitetin, ke në dispozicion çelësat e një klase të violinës në konservatorin tim. Mendohu dhe më jep përgjigje nesër në aeroport".

Të nesërmen më pyeti dhe unë me zë të dridhur iu gjegja - Maestro po Orkestrën e Radios kujt do t’ia le; po virtuozët e vegjël?!

-Jam dakord me zgjidhjen tënde. Por ti do të vish për të dhënë masterclass herë pas here, si dhe do jesh anëtar në juritë që kryesoj unë. – ishte përgjigjia e Abbados.

Këto impenjime nuk i harroi kurrë, derisa mundi të organizojë konkurse, deri vitet e fundit.

Në vitet e drejtimit tim në Teatrin e Operas dhe Baletit, interesohej vazhdimisht për ecurinë.

Kur ai po festonte në gjithë botën 85 vjetorin e tij,  i thashe: Po tek ne Maestro a do vish?

-Me kënaqësi dhe madje do ju bëj një surprizë. Do të prezantoj në premierë botërore Koncertin tim të ri për dy piano dhe orkestër, bashkë me Gloria Campaner qe ti e ke ftuar dhe më parë. Dhe Koncertin dua të ma drejtosh ti, nëse pranon…

-E kam për nder Maestro!

Në faqen e tij në youtube ka vendosur një intervistë të vetën nga ky event si dhe vlerëimet më të larta për ndryshimet dhe zhvillimet tona muzikore.

Ky është Abbado që pata privilegjin të njoh unë, njeri dhe muzikant i madh!

Faleminderit Maestro!

Marcello Abbado drejtoi Konservatorin e Muzikës 'Giuseppe Nicolini' në Piacenza (1958-66), pastaj Konservatorin 'Gioachino Rossini' në Pesaro (1966-72) dhe Konservatorin 'Giuseppe Verdi' të Milanos (1972-96).

Në vitin 1993 ai formoi së bashku me Vladimir Delman, Orkestrën Simfonike 'Giuseppe Verdi' në Milano. Lindur në Milano në 7 tetor 1926 nga një familje muzikantësh, Marcello Abbado filloi trajnimin e tij akademik në Konservatorin e qytetit të tij, për të shkëlqyer me një karrierë të gjatë koncertale, duke interpretuar në sallat më të rëndësishme të koncerteve në Londër, Montreal, Neë York, Pekin, Rio de Janeiro, Tokio, etj. Abbado luajti dhe zhvilloi me  Filarmoninë e Vjenës të gjitha koncertet e pianos Mozart. Si kompozitor, katalogu i tij përfshin kompozime për orkestër, dhomë, muzikë skenike.

Mjeshtri i madh Marcello Abbado ushqeu një bashkëpunim të mrekullueshëm me muzikantët shqiptarë, veçanërisht violinistët e drejtuar nga Maestro Zhani Ciko. /Gazeta Liberale

 

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH