Aktualitet

Udhëkryqi i universiteteve publike

Shkruar nga Liberale
Udhëkryqi i universiteteve publike

PROF. ANDRI KOXHAJ

Disa vite më parë, pas një procesi zgjedhor univer- sitar, duke parë nga afër makinerinë e tjetërsimit të votës dhe shpartallimin e demokracisë së procesit zgjedhor të elitës së arsimit shqiptar, një miku im i mençur profesor më tha: Kjo që ndodhi në universitet, është barometër i zymtë për shoqërinë ku jetojmë. Koha tregoi se profesori i mençur pati të drejtë. Shpejt, e gjithë shoqëria i dha shenjat se e keqja ishte shumë më serioze sesa thjesht një ngjarje episodike.

Për shumë nga ne, fenomeni më i rëndë dhe i dhimbshëm që pason dhe “natyrshëm” do të shoqëronte metastazat e kohës, është largimi në masë i rinisë nga universitetet dhe mungesa e besimit në të ardhmen falë pabesueshmërisë së diplomave të fituara dhe mungesës së tregut real të punës. Kushdo sot e di se jo pak programe universitare janë mbyllur dhe vazhdojnë të mbyllen. Nëse dy dekada më parë familjet shqiptare vazhdonin të planifikonin se në cilën degë universitare mendonin të vazhdonte studimet fëmija i tyre (duke mos lënë të njohur pa sensibilizuar), kjo tendencë deri para një dekade u tkurr ndjeshëm. Sot, vakumi është real, mjaft programe po mbyllen dhe numri i studentëve të interesuar është ulur ndjeshëm.

Indiferenca e strukturave shtetërore, politikëbërëse dhe qeverisëse ndaj strategjive të edukimit në tërësi dhe veçanërisht ndaj atij universitar, është për të ardhur keq. Politika reagon ndaj problemeve universitare vetëm nga protestat masive, çdo thirrje apo përpjekje për sensibilizim të mirëmenduar dhe zhvillim proaktiv në skenarin më të mirë ngelet në letër. Protestat studentore të vitit të kaluar ishin një rreze shprese për gjithë rininë universitare. Aq e sinqertë, e pafajshme, e drejtë, e ndjerë, shpresëdhënëse, e pakontestueshme ishte ajo protestë, saqë pozita, opozita, drejtuesit universitarë, profesorati dhe mbarë shoqëria e inkurajoi atë. Zyrtarisht të gjithë e përshëndetën, por jo pak palë e minuan dhe e sabotuan me të gjitha format, mënyrat, energjitë, arsenalet dhe potencialet që zotëronin.

Të tjerë u përpoqën dinakërisht t’i përdorin. Protesta ishte sjellja më e drejtë dhe e sinqertë ndaj absurdit të kohës, por po aq e pafat. Kur mësimi rifilloi, pashë në auditorë studentë të përlotur. Ishin fyer, thyer, manipuluar, por jo trembur, të gatshëm të nisnin gjithçka nga fillimi. Dhe jam i bindur se nga ajo kohë (ku asgjë nuk ka ndryshuar për mirë, përkundrazi argumentet dhe kërkesat e drejta janë shtuar), zemra dhe energjia e tyre trokasin edhe më fort. Ora e madhe po afron, mundësia që ata të thonë të plotë fjalën e tyre me votë të lirë dhe demokratike është në prag. Protesta ishte e studentëve, po aq sa dhe e profesorëve.

U përpoqën t’i përçajnë, hodhën jo pak gurë në rrugën e tyre të përbashkët. Por studentët, më mirë se kushdo, i njohin profesorët, njohin realisht vlerat dhe dinjitetin e tyre, dinë më mirë se kushdo se cilët u qëndrojnë pranë. Pavarësisht se humbën një përpjekje, ata janë bashkërisht të gatshëm të vazhdojnë përsëri betejën e radhës, më të fortë, më të mençur, për të bërë të tyren atë çka realisht u takon. Në një fjalim programatik drejtuar rinisë, një nga presidentët amerikanë theksonte se ajo shoqëri “…mbështet, motivon dhe promovon ata të rinj që japin prova se përballojnë ngarkesë, kërkojnë sfidë dhe gjenerojnë rezultate”.

Në shoqëri të atilla, vlerësimin për promovimin e bëjnë më së miri institucionet arsimore dhe universitetet, ndërsa në realitetet tona instrumente të tillë vlerësimi fatkeqësisht mungojnë, ose janë tërësisht fiktive. Pse ndodh kjo? Pse në Shqipëri arsimi nuk po hyn dot në rrugë të mbarë? Për çdo shoqëri, roli i edukimit ngelet vendimtar. Komunitete me edukim të cunguar e problematik do të shfaqin përherë e më tepër probleme serioze në të ardhmen. Më ka pëlqyer gjithnjë të mendoj se çdo shoqëri e zhvilluar ka në rrënjë e themel të saj dijen, edukimin, shkencën, punën dhe qytetarinë. Kjo është ndoshta arsyeja pse korrelacioni ndërmjet vendeve të zhvilluara dhe universiteteve prestigjioze që ato kanë, është tepër i fortë.

Anasjelltas, vende problematike e të prapambetura pashmangshmërisht kanë sisteme edukimi mjerane dhe detyrimisht formacione universitare qesharake. Në kaq vite sa punoj në Universitetin e Tiranës, fatkeqësisht kam parë ndjeshëm fenomene negative. Por pavarësisht ngjarjeve të tilla, kam pasur dhe vazhdoj të kem bindjen më të thellë se asetet dhe potencialet intelektuale e shkencore kanë qenë dhe ngelen realisht prezente pothuajse në çdo fushë. Gjatë kohës së pandemisë, çdo ditë, me dhjetëra kolegë të afirmuar komunikonin nga e gjithë bota. S’besoj ngeli vend pa u prezantuar me bashkatdhetarë aq dinjitoze. Po si shpjegohet që kudo shkojnë perlat shqiptare ndriçojnë aq fort, ndërsa në këtë realitetin tonë “të çuditshëm” jo pak të rinj të zotë, por edhe profesorë e akademikë dinjitozë janë lënë krejt në harresë?!

I shoh të tërhequr plotësisht nga çdo aktivitet shoqëror, intelektual e lëre më pastaj shkencor apo akademik!!! Çfarë e detyron profesoratin të izolohet dhe të heqë dorë nga beteja për të korrigjuar atë që të gjithë e dinë se po shkon keq? Janë dorëzuar profesorët e gjorë nga realiteti absurd që po jetojmë. Janë tërhequr dhe dhimbshëm shohin ngjarjet që i parakalojnë si një film i keq para syve … Jo pak kolegë më kanë treguar se në disa raste i kanë rrëshqitur lot dhimbjeje në auditorë nga situatat e krijuara … Në menaxhim ka një aksiomë: “Performanca nuk matet nga inputet, por nga outputet”.

Një e vërtetë e madhe, që merr shumë kuptim në realitetet tona, por e dhimbshme për kontekstin tonë. Kaq vlera e asete intelektuale në universitetet shqiptare dhe rezultati të jetë kaq mjeran. Dhe të mendosh se të tilla perla në perëndim shkëlqejnë fort … Sigurisht, nuk është faji i profesoratit, por i sistemeve të mbrapshta, drejtimit me politika të pastudiuara të edukimit, vëmendjes zero ndaj universiteteve (përjashtuar klithmën e protestave të vitit 2019), mospasjes së asnjë strategjie për zhvillimin akademik, pranisë së ligjeve në arsimin e lartë të kontestuara njëzëri nga pothuaj i gjithë profesorati dhe masa e studentëve, ballafaqimin me buxhete anemike, etj etj., dhe të gjitha këto sigurisht s’mund të rezultojnë ndryshe, veçse me këtë krijesë që përpiqet të mbijetojë duke mos performuar pothuajse asgjë veç dhimbjes, dobësisë, mëshirës e anemisë dhe që quhet universitet … Në mjaft teori politike për vendet në zhvillim thuhet se nga mënyra sesi zhvillohen zgjedhjet dhe serioziteti që tregohet gjatë atyre procedurave, varet ndjeshëm e ardhmja. Shoqëria jonë “nën orientimet e politikës” bindshëm ka treguar se ka vullnetin më të hekurt për të shkatërruar çdo proces zgjedhor.

Kjo është realisht fatkeqësi e madhe. Sigurisht, pas kësaj, asgjë e mirë s’mund të pritet. Ashtu si vazhdimisht zgjedhjet kombëtare e lokale janë kontestuar, edhe zgjedhjet e fundit universitare të vitit 2016 u anatemuan mjaft. Ndërhyrja dhe interferenca e bandave dhe “çunave problematikë” në zgjedhjet e fundit universitare, solli shijen e hidhur se edhe akademia kishte interesin e ‘të fortëve’. Konkluzion i trishtë. Duke analizuar situatën në këndvështrimin politik, ekonomik, social e kohor që shoqëria shqiptare po kalon, zgjedhjet aktuale universitare janë tepër të rëndësishme për disa arsye: Së pari, sepse duke u zhvilluar sipas standardeve, me përfaqësim real të çdo subjekti garues, pa pasur kontestime palësh, dhe duke respektuar realisht parimet demokratike, universitetet japin shembullin më të mirë (dhe të vetëm) sesi mund të administrohet një proces zgjedhor në këtë shoqëri me kaq probleme.

Sigurisht, kjo s’është e thjeshtë. Ngjarjet e ndodhura deri tani, në rastin më të mirë, tregojnë se konfliktet mund të precipitojnë me të tilla dinamika dhe të denigrojnë gjithë procesin. Dhe duke konsideruar se gjithçka ndodh brenda një realiteti politik të caktuar (i cili me gjasat më normale vetëm negativisht mund të afektojë zhvillimet), kërkohet nga të gjithë strukturat dhe kolegët të tregohen të përgjegjshëm për të reaguar në mënyrë qytetare për çdo shkelje apo makinacion të mundshëm.

Së dyti, sepse duke zhvilluar zgjedhje reale, të ndershme e të pakontestuara, dhe që është tepër e rëndësishme ‘të pandikuara nga askush’, bëhet e mundur që zgjedhjet të realizojnë atë që shpesh universiteteve u mungon: Një filozofi dhe frymë të re dhe natyrshëm një demokraci dhe çlirim sinergjik energjish, për të cilën koha dhe shoqëria realisht ka nevojë më tepër se kurrë.

Së treti, zgjedhjet reale, demokratike e me standarde, duhet të ofrojnë edhe për studentët vlera dhe përfaqësi reale. Kjo do të thotë që studentët, nëpërmjet një procesi real, do të nxjerrin përfaqësuesit e tyre jo vetëm dinjitozë (me mesatare të lartë dhe integritet), por edhe bashkëstudentë që duhet të dinë dhe të mbrojnë më së miri interesat e tyre. Sistemi aktual i përfaqësimit i ekuivalenton studentët me 10 % të totalit të votave për zgjedhjen e funksionarëve më të lartë të drejtimit të universiteteve (rektor e dekan), shifër kjo që realisht duhet konsideruar. Së katërti, zgjedhjet në universitete kanë impakt jo të vogël mbi të gjithë shoqërinë.

Nëse universitetet bëjnë zgjedhjet e duhura dhe prodhojnë atë çka realisht koha kërkon, mënyra sesi do të menaxhohen, ato pritet të ndryshojë. Kjo do të sjellë (sigurisht në kohë) rritjen e performancës së universiteteve, seriozitetin dhe rankimin e tyre në nivele mjaft më dinjitoze. Kjo do të bëjë që shumë familje shqiptare, të cilat kanë rezerva serioze për mënyrën sesi funksionojnë universitetet tona dhe pretendime për edukimin e fëmijëve të tyre duke i dërguar me studime në universitete të huaja (nëpërmjet shfrytëzimit të çdo mundësie dhe kredimarrje), të kthejnë kokën dhe të konsiderojnë seriozisht akademinë shqiptare. Së pesti, zgjedhjet e lira dhe demokratike krijojnë mundësinë që potencialet dhe asetet reale, intelektuale dhe shkencore që universitet kanë të menaxhohen në mënyrë sinergjike. Janë të njëjtat perla që në perëndim shkëlqejnë aq fort, por në errësirën shqiptare humbasin dhe treten.

Do të jetë e pafalshme që në vitet në vazhdim shoqëria (dhe veçanërisht komunitet akademike) të tregohen indiferente ndaj tyre. Së gjashti, zgjedhjet demokratike dhe me standarde në universitete (nëse do të jenë falë Zotit të tilla) do përbëjnë jo vetëm precedentin më pozitiv për shoqërinë, por edhe udhëzuesin e vetëm të detyrueshëm për “zgjedhjet në politikën e madhe”. Në të kundërt, nëse zgjedhjet universitare dështojnë, shoqëria në të ardhmen shanset i ka të kapërcejë absurdin.

Nëse më pyesni cili është vizioni për universitetin e së ardhmes, do përgjigjesha: Një institucion i lirë, demokratik e i pavarur, një universitet serioz e dinjitoz, që fton dhe është i aftë të mbledhë rininë në auditorë, një universitet ku studenti që diplomohet të kujtojë përherë me nderim e respekt kohën e studimeve, një universitet i ndershëm, tërësisht në shërbim të studentit dhe me respektin maksimal për profesoratin, një universitet që gëzon vlerësimin dhe respektin e shoqërisë, që grumbullon elita, mirëkujdeset për to dhe prodhon vlera. Nëse pretendojmë një shoqëri më të mirë, hapi i parë u takon akademikëve dhe menaxhimit të institucioneve akademike përmes shembullit më të mirë të proceseve zgjedhore demokratike dhe garave të ndershme, të bazuara në platforma zhvillimi dhe mentalitet modern. Përndryshe, profesori i mençur do të përballet përsëri me bandat dhe shoqëria do të kalojë në një stad tjetër absurdi.

*Pedagog, Fakulteti i Ekonomisë, Universiteti i Tiranës

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH