(Në foto: Pjetër Mëshkalla në të majtë dhe djathtas Viktor Martini)
Sot, në ditëlindjen e at Pjetër Mëshkallës, simbol i maritirizmit të kishës katolike, ish i burgosuri politik, Viktor Martini, kujton në një intervistë për gazetën Liberale “heroin dhe mësuesin e tij shpirtëror e moral”.
Çfarë përfaqëson per ju personalisht, At Pjeter Meshkalla?
Meshkalla, për mu përfaqëson njeriun shkamb si njeri si misionar me një kurajo shumë të rrallë që shifet në historinë e njerëzimit.
Ju kemi diferencë moshe me të. A keni njohur personalisht? Në çfarë rrethanash?
Po ne kemi diferencë moshe. Meshkalla ashtë i datëlindjes Shtator 1901, dhe ka vdek me 28 korrik 1988. Kurse unë i datëlindjes 12 prill 1940. Kam pasun fatin e mirë me e njoftë në burgun e Burrelit qi kishte të shkrume në mur “burgu i zhdukjes së armiqve të popullit”, lye me gëlqere, por dallohej shkrimi.
A mund të na e përshkruani me disa penalata pamjen e tij?
Sikur e shifni edhe në foto pamja e ti i përngjet Dante Aligerit të dalun nga Ferri. Kishte pamjen e një njeriut të fortë.
Çfarë ju ka mbetur në kujtesë nga takimi i pare me të?
Kisha nigju për famën e këtij kolosi. Mu dhe vllaun tim na transferuen nga burgu i Shkodrës në Burrel, në vitin 1958. Na vendosën në dhomën numër 3. Ne, të nesërmen në mengjez na nxorrën në oborr për ajrosje ku na u grumullune të burgosunit tu na pyte se kush jeni dhe nga vini. Më falni se po shkputëm pak nga pyetja e juej për Meshkallën. Njeriu i parë që më pyeti si e ke emnin ishte një burrë në moshë me një pamje madhështore fisnike. Ishte Visarjon Gjovani, krypeshkopi i kishës ortodokse. Viktor, ju përgjegja. Ai çoj kryt nga qilli e tha: “Ooo zot, të falenderoj që prune në mesin tonë këtë krijesë kaq të njomë”..Mendova se ky njeri mund të mos të jetë në rregull nga ana mendore, por jo, dora e tin atenore e vendosun mbi kokën time mu fregi. “Shikjo biri i jonë, ne e ndjejm thellë në shpirt praninë tuje këtu, por për ne je një dhurat e Zotit, sepse kur na nuk do të jemi, po të ngarkoj te jesh dëshmitar i vujtjeve tona”.
E ashtu u bana misjonar i vujtjeve të ktyne intelektualve me një edukatë përëndimore që koha hala nuk i ka zëvendësu. Pastaj një burrë i shkurt m’u prezentu: Jam Pader Meshkalla. U trulloasa sepse fama e tij kishte marrë dheun. “Nuk po ju trazoj sot se kena me pas kohë. Baba i jot ka vdek në durt e mija tu me lanun sa amanete. Ishalla jeni si ai”, na tha mue e vllaut. U përmallova deri në ngashnjim.
Ky ishte prezentimi i parë me at Meshkallën. Gjatë burgut në Burrel u ba heroj i imi, u ba mësusi im shpirtnor e moral. Në Janarin e vitit ‘61 më kishin denu në qeli, në çimento pa batanije. Hejte e akullit qëndonin para hekurave të dritares. Ashtu si isha në kamë, vuna re se u hap sporteli, një qese e vogël u duk në çimento e një pale doreza leshit i tërhoqa me të shpejtë në sportel. Dallova fytyrën e Meshkallës. U dridha: Po sikur ta kapin?
Para se të dilte nga burgu më la një amanet që ti mësoja disa poezi. I premtova. U liru gjashtë muj para meje.
A keni patur rast ta takoni herë tjetër më vonë jashtë burgut? Nëse po, a mund të na thoni si gjetët në krahasim me takimin e parë?
Shumë e shumë herë. Herën e parë kur u lirova më erdhi në shtëpi me m’uru për daljen. Mbasi biseduam, më pyti: A u ba ba gja për ato poezitë? Për çka bahet fjalë? Për cilat poezi, Pader? Ftyra e ti u mvrejt e tha: Ah lene, lene se s’keka gja. Ateherë unë fllova ti recitoj poezitë që i kisha mësu përmendësh. Sa i madh qe gëzimi i tij.
Rasti që nuk harrohet ishin Pashkët e vitit '62, më kishte thirrun për pashkë. Në shtëpinë time e në sofrën tonë në këtë ditë ndodhej veçse një supë e vorfën. Nana mu lut që të shkoja te Padra se mendonte për mu. ”Shikjo mor bir i im, ato dy pare që qesin duhet me çu ushqim tre femive” (vllaznëve tjerë që ishin në burg). “Mir nan po shkoj”, i thashë. U nisa dhe zuna vend ku ashtë xhamija sot në Shkodër karshi Coloseum. Ndeja deri në orën dy e u ktheva në shtëpi. Pa hi mbrena, nana me pyeti: “He, si kalut”? “Ska ma mirë, po Padra kishte nevoj me e ndihmu për diçka. Veç erdha sa me diftu e po shkoj”. U nisa sa me ba një vizitë. “Sa shumë u vonove”! tha Padra e më ftoj të ulem në tryezë me nanën e tij. “Po unë kam hangër Pader”! “ Ec ,ec”, tha ai “se dy të hangra nuk të bajnë keq, dy të rrahuna po. E në dac mos me e marrun ket të dyten, ulu”.
Biseda ne tryezë ishin rreth situatave politike. Meshkalla, plot optimizëm, të bante me besu se e ardhmja e lirisë ishte shumë afër. Ma vonë kishat u mbyllën. Vumja e kunores të martesës në kishë ishte e pa mujjtun e kështu një ditë e thirrme që të na vente kunorën në shtëpi. Po sa erdhi, kërkoi rrathët e martesës. Nuk kemi Pader, po nuk prish punë, vëhet edhe me dy fije barit. Gruja ime Liza u ul poshtë e solli dy fijet e barit e vumë kunorë. Sot, kur e kujtoj, ato dy fijet e barit janë krenari e kënaqësi.
Cilat janë disa nga aktet kulmore për të cilat kujtohet e do të kujtohet At Meshkalla?
Aktet e tia janë të pafund por kulmorja janë e biseda e tij me Mehmet Shehun kur erdhi në Burrel për na vizitu si në kopsht zoologjik dhe të na testojë pulsin se çka mendoni. Meshkalla ishte në dhome 1 ku hyni Mehmet Shehu. U ndal te Meshkall dhe iu drejtue me këto fjale: “Padër, padër ju e shitët te fashizmi Shqipninë”. Mbas këtyne fjalve Meshklla i ishte përgjigj: “Nuk ashtë vërtet e në kjoft se Shqipnia e shqitarët kanë këtë emën, e kanë nga kleri katolik e ata që e kanë shitun SHQYPNIN JANE SHEHAT E HOXHAT. Rasti tjetër kulmor ishte kur e thirrën në institutin pedagogjk për ta diskredituar në prani të popullit shkodran. E nisën me këto fjalë: “Ju kena thirr sot me të diftu se sa te don populli”. “Unë e di mirë se çka ky popull në zemër, si katolik, si muslimanët edhe ortodoksëet, por do ishte krim ti kërkosh mbrojte. Sepse e keni lidhun me bukën e gojës”...
Pyetja tjetër nga tribuna:” Ju keni pasun paturpësinë me i shkrue kryeministrit tuj i kërku me pas mëshirë për rininë shqiptare që po e korruptoni me bukën e gojës”! “Jo”, u përgjigj Meshkalla. “Kam pasun krenarinë me lajmërue se ku po përfundon Shqipnija e shqiptarit”. Dhe pasi dikush ia ktheu me ironi se: “Shen Shtoma ne ungjillin tuj ka thanë kështu e ashtu. Meshkall u përgjigj: “Ne recetat tuaja shof shumë gabime ne latinisht, po të doni ma dilni ungjillin këtu e tu bindi ju se çka thotë Thoma”. “Po nuk kena ku ta marrim se ungjllin tuj të dashtun se e ka djeg populli”... Meshkalla: “Jo, jo! E keni djeg ju po ne e keni dëshirë kërkoni nëpër botë”. Tribuna: “Ju vdisni për Papën”. Meshkalla: “A mund të ju pyes cili asht ideali juaj”? Tribuna:” Komunizmi”. .
Meshkalla: ”Po a jeni ju të gatshëm për Udheheqësi tuaj? Tribuna:”Pooo, na jena të gatshëm me vdek”. Meshkalla: “Po jua besoj besoj. Unë jam një misionar ku vdes për Krishtin e për Papen. Ju me keni thirrun me frigsu. Gaboheni, kur ju te me gozhdoni ne kryq atehere une kam kry betyren time si misjonar ndaj Papes e ndaj popullit”.
Sa herë u munduen ta poshtojnë aq ma shumë rritej admirimi i njerëzve për të.
Intervista u përgatit nga kryeredaktori i “Liberale”, Aranit Muraçi