31 korriku është afati i fundit kur bizneset dorëzojnë pasqyrat financiare, në Qendrën Kombëtare të Biznesit. Por prej një muaji sistemi rezulton me probleme teknike dhe nuk pranon aplikimet.
Sipërmarrësit janë të shqetësuar, pasi afati final po shkon drejt përfundimit.
“Ne kemi rreth një muaj që përpiqemi të kryejmë aplikimin. Sistemi na nxjerr error, na bën crash nuk na pranon aplikimet. Janë shumë biznese që po hasin këtë problematikë në çdo orë të ditës. Nga autoritetet nuk kemi asnjë reagim mbi këtë problematike”, shprehet Adela Kanani, drejtore ekzekutive e Aleancës së Profesionistëve të Lirë.
Në rast të mos dorëzimit në kohë të pasqyrave financiare, ligji parashikon dhe penalitete, të cilat gjenerohen direkt nga sistemi.
“Nëse hyn data 1 gusht direkt në sistem gjenerohet gjoba e cila arrin në 60 mijë lekë. Ky është një presion i panevojshëm për të gjithë bizneset të cilët tentojnë në mënyrë të vazhdueshme që ta kryejnë këtë procedurë, por nuk munden. Madje sistemi nuk lë as gjurmë që ne e kemi provuar disa herë, pasi pas çdo problem teknik aplikimi nis nga e para”, sqaroi Kanani.
Dorëzimi i bilanceve bëhet nëpërmjet platformës E-Albania. Të kontaktuar mbi këtë problematikë, Agjencia Kombëtare e Teknologjisë dhe Informacionit dhe Qendra Kombëtare e Biznesit tha se sistemi është në gjendje pune.
Aplikimet po depozitohen edhe pse sistemi ka ngarkesë. Por mbetet për tu parë deri në afatin final nëse të gjithë bizneset do të mund të përfundojnë në kohë këtë procedurë ligjore.