Të dhënat e fundit të tranfertave nga vendet e Bashkimit Europian tregojnë se shqiptarët janë ndër popujt më të varur në botë nga të ardhurat që sigurojnë prej të afërmeve të tyre në emigracion. Në vitin 2023, daljet e transfertave personale nga BE-ja (paratë e dërguara nga familjet rezidente të BE-së për familjet jorezidente) arritën një nivel tjetër rekord prej 50.9 miliardë euro, një rritje prej 8% krahasuar me vitin 2022 (47.0 miliardë euro).
Pjesa më e madhe e këtyre daljeve shkoi në Azi (me përjashtim të Lindjes së Afërt dhe të Mesme), duke zënë 21% (10.7 miliardë euro) të totalit të daljeve nga BE, e ndjekur nga vendet evropiane joanëtare të BE-së ku kryeson Kosova, me 21% (10.6 miliardë euro) dhe Afrika e Veriut me 20% (9.8 miliardë euro).
Flukset hyrëse të transfertave personale në BE janë rritur vetëm pak që nga viti 2014, nga 11.6 miliardë euro në 13.9 miliardë euro në 2023, duke rezultuar në një bilanc negativ prej 37.0 miliardë eurosh për BE-në me pjesën tjetër të botës.
Vendet evropiane jo anëtare të BE-së përbënin 50% të flukseve hyrëse totale në BE (6.8 miliardë euro), ndërsa burimi i dytë kryesor i transfertave personale në BE ishte Amerika e Veriut me 21% (2.9 miliardë euro), Afrika Qendrore dhe Jugore kontribuan me 8% (1.2 miliardë euro), e ndjekur nga afër nga Amerika e Jugut gjithashtu me 8% (1.0 miliardë euro).
Kosova është vendi kampion i Europës për sa u përket transfertave. Të dhënat e fundit të Eurostat tregojnë lidhjen e fortë të Diasporës shqiptare të Kosovës me vendlindjen. Shqipëria mban një pozicion të ngjashëm me vendet e tjera të rajonit. Ky është vit zgjedhor në Kosovë dhe Shqipëri. Për herë të parë edhe diaspora e Shqipërisë e fitoi të drejtën e votës.
Normat e varësisë maten duke treguar përqindjen e flukseve hyrëse në transfertat personale dhe kompensimin e punonjësve në raport me PBB-në e një vendi përkatës. Sipas matjeve të Institutit Europian të Statistikave, normat më të larta të varësisë në BE janë vërejtur për Kroacinë (7.2% të PBB-së), Letoninë, Luksemburgun (të dyja 2.9% të PBB-së) dhe Rumaninë (2.8% të PBB-së) në 2023. Ndër ekonomitë më pak të varura në BE nga transfertat është Holanda (0.4% e PBB-së). Për krahasim, vendet juglindore jashtë BE-së dukeshin shumë më të varura nga ky burim të ardhurash: Kosova (17.5% e PBB-së), Mali i Zi (10.7% e PBB-së) dhe Bosnja dhe Hercegovina (10.3% e PBB-së). Shqipëria me 8.6 për qind të PBB-së mban vendin e katërt, kurse Serbia 7.2 dhe Maqedonia e Veriut 2.9, tregon sesa i varur është rajoni ynë nga emigracioni dhe kryesisht nga BE (tabela).
Pas rritjes së vazhdueshme që nga viti 2014, daljet neto të transfertave personale dhe kompensimet e punonjësve ranë për herë të parë në vitin 2020, për shkak të pandemisë. Por më pas u rritën sërish në një nivel rekord prej 73.5 miliardë euro në 2023. Daljet përbëhen, në pjesën më të madhe, nga transferta personale të dërguara jashtë vendit (në vitin 2023: 50.9 miliardë euro). Vlerësohet se dërgesat e emigrantëve shqiptarë në një vit shkojnë mbi 1 miliard euro, si për Shqipërinë ashtu edhe për Kosovën.
Rreth 55% e daljeve totale dhe gjithashtu 55% e hyrjeve totale të transferimeve personale ndërkufitare të të gjitha vendeve të BE-së dhe kompensimi i flukseve të punonjësve në vitin 2023 u zhvillua brenda kufijve të BE-së. Kjo nuk është befasi duke pasur parasysh se qytetarët e BE-së mund të lëvizin dhe të punojnë lirshëm brenda tregut të punës të BE-së. Megjithatë, ka përjashtime: daljet e transfertave personale dhe kompensimet e punonjësve nga Polonia (98%), Spanja (91%), Kroacia dhe Greqia (të dyja 90%) shkuan kryesisht në ekonomitë jashtë BE-së; ndërkohë që edhe Irlanda (99%), Italia (83%) dhe Austria (69%) siguruan prurjet e tyre kryesisht nga jashtë BE-së. Ekonomitë më të përqendruara në BE ishin Luksemburgu me më pak se 1% të daljeve të tij të regjistruara përtej BE-së dhe Sllovenia me vetëm 6% të flukseve hyrëse të marra nga jashtë BE-së.
Në terma absolutë, ekonomitë kryesore që kontribuan në daljet e transfertave personale dhe kompensimin e flukseve të punonjësve (brenda BE plus jashtë BE) në vitin 2023 ishin Gjermania (13% e flukseve totale dalëse të të gjitha vendeve të BE), Franca (11%) dhe Luksemburgu (10%). Flukset dalëse nga Gjermania dhe Luksemburgu vinin kryesisht nga të ardhurat e krijuara nga puna kufitare, sezonale ose afatshkurtër në këto vende, ndërsa flukset dalëse në Francë kryesisht vinin nga transfertat personale të dërguara jashtë vendit.
Ekonomitë kryesore përfituese të transfertave personale dhe kompensimit të fondeve të punonjësve (flukse hyrëse nga brenda BE plus jashtë BE) në 2023 ishin Franca (23% e flukseve totale hyrëse të të gjitha vendeve të BE), Gjermania (13%) dhe Belgjika (9%); të gjitha kryesisht të bazuara në të ardhurat e krijuara nga puna kufitare, sezonale dhe afatshkurtër nga banorët e tyre jashtë vendit.