Të dhënat e fundit të Bankës së Shqipërisë bënë të ditur se në tre muajt e parë të këtij viti, fluksi i Investimeve të Huaja Direkte sipas aktivitetit të pasurive të paluajtshme arriti në 104 milionë euro, me një rritje prej 24% në krahasim me të njëjtën periudhë më parë.
Të dhënat historike tregojnë se ky është niveli i dytë më i lartë i investimeve në një tremujor, pas tetor-dhjetor 2024, kur treguesi arriti në 110 milionë euro.
Vitet e fundit Shqipëria është bërë një treg interesant për blerjen e pasurive të paluajtshme nga të huajt, sidomos në bregdet, ku çmimet ishin të lira në krahasim me vendet e tjera të rajonit si Kroacia, apo Mali i Zi.
Në vitin 2024, të huajt blenë prona me vlerë rreth 380 milionë euro. Që nga viti 2021, kur filloi interesi i huajve, kryesisht në bregdetin shqiptar, deri në mars 2025, të huajt kanë blerë rreth 1.3 miliardë euro prona në vend, sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, që i llogarit këto flukse si investime të huaja direkte në sektorin e pasurive të paluajtshme.
Rëndësia e investimeve në pasuri të paluajtshme në raport me totalin e investimeve në vend është rritur ndjeshëm. Në vitin2014, blerjet e pronave nga të huajt zinin vetëm 5.7% të investimeve të huaja, ndërsa në 2024-n, kjo peshë u rrit në 24%.
Rekordi u shënua në tremujorin e parë të këtij viti, ku blerjet e shtëpive nga të huajt zunë gati 29% të totalit të fluksit të investimeve të huaja në vend.