Ekonomi

PROFIL/ Milton Friedman, ‘luftëtari’ i lumtur i lëvizjes për liri

Shkruar nga Liberale

PROFIL/ Milton Friedman, ‘luftëtari’ i lumtur i lëvizjes

Më 31 korrik u shënua 113-vjetori i lindjes së ekonomistit Milton Friedman, njërit prej avokatëve më të rëndësishëm të tregut të lirë. Vepra e Friedman mbetet një nga më të rëndësishmet në politikat e çdo vendi në mbarë globin.

I lindur më 31 korrik 1912, në një familje emigrantësh të varfër me prejardhje nga Evropa Lindore, në New York City, Milton Friedman nuk kishte vetëm njohuri për ekonominë, por edhe aftësi për të shpjeguar me thjeshtësi për publikun idetë më komplekse ekonomike.

Friedman edhe për këtë arsye përmendet më shpesh sot sesa çdo ekonomist tjetër i shekullit të 20-të, madje është përmendur më shumë vitin e kaluar sesa John Maynard Keynes, Paul Samuelson dhe John Kenneth Galbraith, të marrë së bashku. Prania e tij në mediat sociale tejkalon atë të mendimtarëve të tjerë të tregut të lirë si FA Hayek, Ludwig von Mises, Gary Becker apo Murray Rothbard.

Gjatë 50 viteve të fundit, Friedman pati ndikim në shumë qeveri. Duke këshilluar Presidentin Nixon, ai luajti një rol kyç në dhënien fund të rekrutimit ushtarak në Shtetet e Bashkuara. Ai i njihte dhe i këshilloi si Ronald Reagan ashtu edhe Margaret Thatcher. Siç thotë gazetari dhe autori Nicholas Wapshott për kontributin e Friedman në revolucionin Thatcher: “Kur ministrat e saj të financave nuk bënin atë që ajo donte, ajo bindte Miltonin të vinte dhe t’u mbante leksione.”

Ndikimi i Friedman u ndie deri në Kili, ku ai dhe “Djemtë e Çikagos” - ekonomistë të tregut të lirë të lidhur me Universitetin e Çikagos - furnizuan me “karburant” intelektualët për mrekullitë ekonomike të vendit latin, gjatë viteve 1980. Në Estoni, presidenti i parë post-komunist, Mart Laar, tha se kishte lexuar vetëm një libër mbi ekonominë: atë të Friedman. Ai e përdori atë si një udhëzues për të zbatuar reformat pro-tregut që e shndërruan vendin e tij nga një ekonomi e dobët përballë hiperinflacionit në një nga vendet më të pasura të Evropës Lindore. Gjatë viteve të fundit, në Argjentinë, Presidenti Javier Milei, ndjekës i Friedman dhe ekonomistëve të tjerë të tregut të lirë, po riparon ekonominë e tronditur të vendit me reforma gjithëpërfshirëse libertariane .

Leszek Balcerowicz, një ekonomist polak i cili udhëhoqi reformat e tregut të lirë të vendit si ministër i financave dhe zëvendëskryeministër pas rënies së komunizmit, i dha meritat Friedmanit për idetë në luftën ndaj inflacionit dhe tha: "Kontributi i madh i Friedmanit ishte të ndihmonte në minimin e statizmit" në ekonomitë perëndimore. Për më shumë se një brez, kthimi i Polonisë drejt tregjeve të lira ka qenë një sukses i jashtëzakonshëm. Kur Polonia iu bashkua Bashkimit Evropian dy dekada më parë, PBB-ja e saj për frymë ishte 48 përqind e mesatares së BE-së; deri në vitin 2024 ishte rritur në 82 përqind.

“Friedman ka qenë absolutisht transformues për botën”, thekson Eamonn Butler, drejtor i Institutit Adam Smith me seli në Mbretërinë e Bashkuar. “Ka shumë njerëz në shumë vende që ia detyrohen për lirinë dhe ekonominë e tyre të lirë Milton Friedmanit pa e kuptuar fare.” Butler beson se Friedman vazhdon të jetë me ndikim edhe sot si për shkak të atraktivitetit të ideve të tij të tregut të lirë, ashtu edhe sepse ai ishte një orator i shkëlqyer.

Ajo që Milton Friedman e kuptonte më mirë se shumica ishte se individët, me interesa dhe ekspertizë private, ishin më të aftët për të çuar përpara shoqërinë.

“Askush nuk i shpenzon paratë e dikujt tjetër me aq kujdes sa i shpenzon ai të vetat”, tha ai. “Askush nuk i përdor burimet e dikujt tjetër me aq kujdes sa i përdor ai të vetat. Pra, nëse doni efikasitet dhe efektivitet, nëse doni që edhe dija të përdoret siç duhet, duhet ta bëni këtë përmes pronës private”.

Ndërsa të tjerë të kohës së tij mbështetnin rishpërndarjen dhe planifikimin qendror, Friedman argumentoi se konkurrenca do të ishte katalizatori i suksesit. Ai e kuptoi se thjesht të kesh qëllime të mira është një bazë e pamjaftueshme për politika të shëndosha publike.

“Kur qeveria — në ndjekje të qëllimeve të mira — përpiqet të riorganizojë ekonominë, të nxjerrë ligje për moralin ose të ndihmojë interesat e veçanta, kostoja vjen në formën e joefikasitetit, mungesës së motivimit dhe humbjes së lirisë”, tha ai. “Qeveria duhet të jetë arbitër, jo një lojtar aktiv.”

Paralajmërimi i Friedmanit për të gjykuar politikat sipas rezultateve të tyre dhe jo sipas qëllimeve është një paralajmërim që do të donim që politikëbërësit ta merrnin seriozisht.
I udhëhequr nga njohuritë e tij ekonomike, Friedman e zbatoi mendimin e tij në mënyrë të vazhdueshme, në të gjitha çështjet dhe fushat.

Edhe tani, gati dy dekada pas vdekjes së tij, Milton Friedman konsiderohet gjerësisht një luftëtar i lumtur i lëvizjes për liri.

Përgatiti: A.Muraçi /Liberale.al/

Liberale Newsroom

A duhet të ishin porositur më herët helikopterë për menaxhimin e zjarreve, në vend të investimit për satelitët “Albania 1” dhe “Albania2”

  • Po!
  • Jo!
Powered by the Tomorrow.io Weather API
SHQIPENGLISH