Gazeta e njohur POLITICO ka analizuar së fundmi ambicien e Kryeministrit Edi Rama për ta bërë Shqipërinë shoqërinë e parë pa para të gatshme deri në vitin 2030. Sipas shkrimit, ky plan synon të luftojë ekonominë informale të madhe dhe sasinë e lartë të parave të paligjshme, që vlerësohet të zërë 29 deri në 50 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB).
Megjithatë, POLITICO thekson se ky tranzicion është një sfidë e madhe për shkak të mosbesimit të thellë të shqiptarëve ndaj sistemit bankar.
Pse shqiptarët kanë mosbesim ndaj bankave?
Shkrimi thekson se mosbesimi te bankat rrjedh nga një “traumë historike” e thellë. Pas rënies së komunizmit, mashtrimet e skemave piramidale shkaktuan humbjen e rreth 1.2 miliardë dollarëve dhe çuan në trazirat e vitit 1997. Kjo ngjarje, sipas shkrimit, shkatërroi besimin e shqiptarëve tek institucionet financiare dhe shteti.
Sot, ky mosbesim vazhdon. Vetëm 34% e popullsisë i beson bankave dhe më pak se 50% kanë një llogari bankare.
Eksperti i ekonomisë, profesor Selami Xhepa, cituar nga POLITICO, shpjegon se bankat ofrojnë pak përfitime dhe janë të shtrenjta për t’u përdorur.
Ai përmend norma interesi diskriminuese (të larta për kreditë dhe të ulëta për kursimet), si dhe tarifat e larta të transaksioneve ndërkombëtare, të cilat dekurajojnë emigrantët të dërgojnë para nëpërmjet bankave. Për shembull, dërgimi i 500 eurove mund të kushtojë deri në 50 euro.
Sipas shkrimit, edhe bizneset preferojnë paratë në dorë, pasi paguajnë deri në 3.5% tarifë për transaksionet me kartë, gjë që u jep mundësi të shmangin taksat.
Edhe pse qeveria po punon për integrimin me sistemin e pagesave të BE-së (SEPA), POLITICO thekson se pagesat me para në dorë janë ende normë. Shumë biznese të vogla, si kafene apo parukeri, nuk pranojnë karta. Kritika ndaj planit vijnë edhe nga politika, siç është Genc Pollo, i cili e cilëson idenë si një “sulm ndaj lirisë personale” dhe e krahason me “vrasjen e pulave me artileri” për të luftuar ekonominë informale. Ai sugjeron se rregullime më të mençura dhe më shumë konkurrencë nga platformat online do të ishin një rrugë më e mirë.
Sipas ekspertëve, suksesi i planit të Ramës varet nga krijimi i një infrastrukture digjitale të lehtë dhe me kosto të ulët.
Në përfundim, POLITICO thekson se ndonëse Banka e Shqipërisë ka studiuar mundësinë e një monedhe digjitale (stablecoin), mungesa e një plani zyrtar e bën ëndrrën për një Shqipëri pa para të gatshme deri në vitin 2030 thjesht aspiratë. POLITICO