Aktualitet

SHIFRA E DITËS: 35 mijë euro zbret kostoja e çdo të burgosuri shqiptar në Britani pas marrëveshjes. Kush do ta paguajë faturën e mbetur?

Shkruar nga Liberale
SHIFRA E DITËS: 35 mijë euro zbret kostoja e çdo të

Aranit Muraçi

Kostoja e një të burgosuri shqiptar në Britaninë e Madhe vlerësohet në 45 mijë euro në vit ndërsa në Shqipëri rreth 4 herë më pak. Kjo është arsyeja pse Britania e Madhe kërkoi me insistim të arrinte një marrëveshje me qeverinë shqiptare për transferimin e tyre në burgjet e vendit tonë. Mbetet e paqartë nëse kostot e vuajtjes së dënimit pas kthimit të atyre që vuajnë dënimin në vendin ishullor do t’i paguajë Shqipëria apo Britania e Madhe. Megjithatë Britania ka rënë dakord që të investojë në modernizimin dhe shtimin e kapaciteve të burgjeve shqiptare dhe nga shifra e deklaruar duket se një pjesë të faturës do ta paguajë ajo.

Vendit tonë nuk i mbetet gjë tjetër veçse të shtojë personalin për riedukimin e atyre që do të vuajnë dënimin në Shqipëri, në mungesë të investimit të nevojshëm që duhej bërë më herët në sektorë si arsimi.

Qartazi nëse vendi ynë do të ishte orientuar nga ndonjë projekt zhvillimi do të ftonte parnerët e huaj sot që të financonin në modernizimin dhe shtimin e kapaciteteve të shkollave, universiteteve, qendrave kulturore dhe industrisë prodhuese, që të rinjtë shqiptarë ta shihnin të ardhmen në atdhe.

Dhe Shqipëria sot, për shkak të lulëzimit të trafiqeve dhe falsifikimeve, mosgarantimit të garës së ndershme apo konkurrencës, si dhe nivelit të lartë të korrupsionit vuan ende mungesën e një vizioni që qytetarët e saj, kryesisht të rinjtë ta ndërtojnë të ardhmen në vendin e tyre përmes shkollimit, punës dhe sistemit të vlerave. Situata e zymtë reflektohet nga numri i lartë i të rinjve shqiptarë të cilët kanë përfunduar nëpër burgjet e Britanisë së Madhe.

Sipas dekanit të Fakultetit Ekonomik në Universitetin Europian të Tiranës, Elvin Meka “kosto administrative e një të burgosuri në Shqipëri shkon rreth 10,000 euro në vit.”

Edhe kur paga mesatare të shkojë 900 Euro sipas premtimit të qeverisë, kostoja vjetore e një të punësuari në një vit në vendit tonë, shumica me arsim të lartë (pa llogaritur kostot e viteve të shkollimit), do të jetë aq sa ajo e një të dënuari.

Janë pasojat e një projekti totalisht të gabuar që rëndojnë mbi një shoqëri të rrënuar dhe gati të falimentuar, ashru si në vitet e para të tranzicionit, pas rënies së komunizmit, në kohën e piramidave, kur në vend të shkollimit dhe punës, “ustallarët e kaosit” iu mësuan shqiptarëve një “metodë” sesi ata mund të bëheshin milionerë pa punuar për vetëm 3 muaj.

Dhe në një formë apo tjetër pas gati tri dekadave pasojat mbeten të rënda për njerëzit e ndershëm, ata të cilë duan të fitojnë dije dhe ta ndërtojnë të ardhmen e tyre me punë.

“Ndërkohë bëni krahasimet me asistencën dhe ndihmën sociale, pensionet mujore dhe koston që paguhet për 1 student në universitetet publike! Në fund pastaj nxirrni llojin e shoqerisë që është ndërtuar dhe po ndërtohet në Shqipëri!”, - shprehet Elvin Meka.

Sakaq, Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar dhe ajo shqiptare kanë rënë dakord për një marrëveshje që do të bëjë të mundur që qindra të burgosur shqiptarë të kthehen në vendin e tyre në këmbim të mbështetjes së Mbretërisë së Bashkuar për të ndihmuar në modernizimin e sistemit të burgjeve shqiptare.

Sipas marrëveshjes, 200 shtetas shqiptarë në burgjet në Angli dhe Uells që vuajnë dënimet prej 4 vjetësh ose më shumë do të kthehen të parët për të kaluar pjesën e mbetur të afatit të tyre në burgjet shqiptare, ndërsa qeveria britanike do të ndihmojë në modernizimin e burgjeve në Shqipëri.

Aktualisht sipas vlerësimit nga qeveria Britanike kushton afro 40,000 £ (45 mijë euro) në vit për të strehuar çdo të burgosur në Angli dhe Uells. Kostoja totale e marrëveshjes pritet të jetë rreth 10 milionë euro për 2 vjet, e barabartë me 32 paund për të burgosur në ditë, krahasuar me 109 paund që duheshin në ditë për t'i strehuar ata në burgjet në Angli dhe Uells.

Më 31 mars 2023, në burgjet e Anglisë dhe Uellsit ishin 1393 shqiptarë të cilët vuanin dënimin në Britaninë e Madhe sipas shifrave zyrtare. Në 3 vitet e fundit 10,000 shkelës të huaj nga e gjithë bota janë dëbuar nga Mbretëria e Bashkuar në vendin e tyre.

Marrëveshja bazohet në komunikatën e përbashkët të nënshkruar nga kryeministrat britanik dhe shqiptar në dhjetor 2022 dhe diskutimet që ata zhvilluan në Londër në mars 2023.

Ministri i Drejtësisë, Alex Chalk, lidhur me këtë marrëveshje tha:”I jam mirënjohës homologut tim shqiptar, z. Ulsi Manja, për përpjekjet e tij për të formësuar partneritetin tonë në rritje për çështjet e drejtësisë. Publiku pret që kriminelët e huaj të vuajnë dënimin jashtë shtetit – jo në burgjet tona në kurriz të taksapaguesve.

Kjo marrëveshje do të përshpejtojë largimin e tyre dhe do t'u japë viktimave besimin se kriminelët e krimeve të rënda do të vazhdojnë të përballen me drejtësinë dhe të kalojnë pjesën e mbetur të dënimit pas hekurave. Bashkëpunimi me partnerët tanë ndërkombëtarë është një pjesë thelbësore për ta bërë këtë të mundur.”

Ulsi Manja, ministri shqiptar i Drejtësisë, tha:

Kjo marrëveshje e re demonstron partneritetin e fortë midis qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar dhe asaj shqiptare. Dy vjet pas ratifikimit të marrëveshjes për transferimin e të burgosurve nga Mbretëria e Bashkuar në Shqipëri, ne kemi lidhur një marrëveshje teknike nga e cila do të përfitojnë të dyja vendet.

Në thelb, çdo të dënuari shqiptar në Mbretërinë e Bashkuar do t'i jepet mundësia për të vuajtur dënimin e mbetur në Shqipëri, pranë familjeve të tyre, ndërkohë që shtojmë përpjekjet tona për të siguruar modernizimin e sistemit penitenciar shqiptar.

Nëpërmjet marrëveshjes, qeveria e Mbretërisë së Bashkuar do të ofrojë mbështetje për modernizimin dhe zgjerimin e sistemit të burgjeve shqiptare, për t'u siguruar që ata të kenë kapacitetin për të mbajtur këta të burgosur. Këto përmirësime do të përshpejtojnë gjithashtu transferimet e ardhshme të të burgosurve.”

Marrëveshja do të thotë që shkelësit duhet të kalojnë të paktën të njëjtën kohë në paraburgim siç u dënuan nga gjykatat në MB. Ata gjithashtu janë të ndaluar të kthehen në Mbretërinë e Bashkuar.

Veç kostos gjithashtu qëllimi është që të çlirojë kapacitetin e burgjeve në Angli dhe Uells duke përshpejtuar largimin e të dënuarve të huaj.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH