Aktualitet

SHIFRA E DITËS: 101,151 euro paga më e lartë vjetore e infermierit në Europë, ndryshimi nga njëri vend në tjetrin

Shkruar nga Liberale

Aranit Muraçi

Kudo në Europë, së fundmi edhe mjekët dhe infermierët po protestojnë, që të paktën qeveritë të bëjnë indeksimin e pagave me rritjen e kostos së jetesës, e cila po bëhet gjithmonë e më e shtrenjtë. Përmes sindikatave, në vende të ndryshme, jo vetëm bluzat e bardha por edhe arsimtarët, punonjësit e shërbimeve, shoferët etj, janë duke zhvilluar greva të ngjashme.

Mungesa e sindikatave nga njëra anë dhe politizimi i të gjithë sektorëve thuajse e bën të pavlerë çdo grevë dhe protestë të qytetarëve, në vendin tonë, të cilët kërkojnë të drejtat e tyre.

Në mungesë të sindikatave atyre u mbetet si alternativë, që të drejtat t’i kërkojnë përmes angazhimit në një prej partive që është, ose shpresohet të vijë në pushtet. Edhe pse Shqipëria nuk është e përfshirë në listën e vendeve ku është llogaritur paga e bluzave të bardha, por ashtu si në çdo sektor tjetër, ka pagat më të ulëta në Europë.

Shërbimi Shëndetësor Kombëtar i Mbretërisë së Bashkuar (NHS) organizoi grevën më të madhe këtë të hënë, ndërsa edhe punonjësit e ambulancave janë bashkuar me infermierët dhe mjekët.

Dhjetëra mijëra infermierë në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar dolën në grevë më 15 dhe 20 dhjetor. Këto ishin grevat e para të organizuara nga sindikata e tyre, në historinë 106-vjeçare të bluzave të bardha në Britani. Shifrat e fundit të pagave dhe inflacionit tregojnë se grevat nuk duhet të shihen si surprizë. Pagat bruto vjetore të bluzave të bardha, në Mbretërinë e Bashkuar, u rritën me 10 për qind, në terma nominalë, por ranë me 6 për qind në terma realë, midis 2010 dhe 2019, sipas të dhënave të publikuara nga Organizata për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (OECD).Mbretëria e Bashkuar nuk është i vetmi vend në të cilin punonjësit e shëndetësisë u futën në grevë, në vitin 2022.

Cilat vende kanë zhvilluar greva në Evropë dhe cili është ndikimi në ekonomi?

[caption id="attachment_1326641" align="alignnone" width="791"] Pagat bruto vjetore të infermierëve për sa i përket barazisë së fuqisë blerëse 2020.[/caption]

Në Spanjë, mijëra punonjës të personelit shëndetësor, përfshirë mjekë që punojnë në shërbimet e urgjencës, u futën në grevë në muajin nëntor. Përveç rritjes së konsiderueshme të pagave të tyre, ata kërkuan më shumë staf dhe më shumë burime.

Në Francë, punonjësit e shëndetësisë iu bashkuan protestave në disa qytete, në muajin qershor, me kërkesa të ngjashme. Mjekët në Gjermani hynë në grevë në muajin mars. Në Turqi, personeli shëndetësor hyri në grevë për pagesa dhe kushte më të mira pune po në muajin mars. Ata dolën gjithashtu në rrugë në disa qytete turke, në korrik, për të kërkuar më shumë reagim nga shteti, për të parandaluar dhunën pasi një kardiolog u qëllua për vdekje nga një i afërm i një pacienti.

[caption id="attachment_1326644" align="alignnone" width="928"] Pagat bruto vjetore të infermierëve 2020[/caption]

Sipas Shoqatës së Mjekëve Turke, mijëra mjekë turq kanë lënë postet e tyre për të punuar jashtë vendit gjatë dekadës së fundit. Ata kryesisht preferojnë të shpërngulen në vendet perëndimore, veçanërisht në Gjermani.

Personeli shëndetësor, veçanërisht infermierët e spitaleve, kanë punuar pandërprerë gjatë pandemisë COVID-19. Në shumë vende evropiane, ata po kërkojnë paga më të mira, kushte të përmirësuara të punës dhe më shumë mjete.

Sa paguhen infermierët në Evropë? Cilat vende i paguajnë më shumë dhe më pak infermierët dhe sa kanë ndryshuar pagat e infermierëve në dekadën e fundit?

[caption id="attachment_1326640" align="alignnone" width="781"] Raporti i pagave te infermiereve ndaj pagës mesatare[/caption]

Ka dallime të konsiderueshme në pagat e infermierëve në të gjithë Evropën.

Në vitin 2020 ose viti më i afërt me të dhënat e disponueshme, pagat zyrtare vjetore bruto në spitale varionin nga rreth 11,880 euro në Lituani në 101,151 euro në Luksemburg, sipas OECD. Të dhënat përfshijnë 25 vende evropiane.

Përveç Luksemburgut, paga fillestare bruto vjetore ishte mbi 50,000 € në shtatë vende. Gjermania (46,829 €) dhe Britania e Madhe (42,588 €) nuk janë mes tyre, sipas të dhënave të OECD. Infermierët në Francë dhe Itali fitojnë gjysmën e asaj që fitojnë kolegët e tyre në Belgjikë dhe Zvicër

Paga vjetore për një infermiere në Francë (35,531 €) ose Itali (29,222 €) ishte më pak se gjysma e pagës vjetore në Belgjikë (72,508 €) dhe pothuajse saktësisht sa gjysma e asaj në Zvicër (70,965 €). Me pagat më të ulëta për infermierët, Lituania (11,880 €) pasohet nga Turqia (12,172 €) dhe Letonia (13,551 €).

Renditja ndryshon kur shikojmë pagat për sa i përket barazisë së fuqisë blerëse (PPP). PPP është një tregues i diferencave të nivelit të çmimeve. Me fjalë të tjera, ai zbulon se sa njësi valutore kushton një sasi e caktuar mallrash ose shërbimesh në vende të ndryshme.

Përdorimi i PPP mund të “eliminojë efektin e diferencave të nivelit të çmimeve midis vendeve”, sipas Eurostat-it pasi mund të përdoret si një lloj kursi i konvertimit të monedhës për të kthyer shpenzimet e shprehura në monedha kombëtare, në një monedhë të përbashkët por “hipotetike”.

Në vitin 2020, pagat e infermierëve të bazuara në PPP varionin nga 18,700 € në Lituani në 66,800 € në Luksemburg. Mesatarja midis 20 vendeve të BE-së ishte 35,300 €. Boshllëqet në PPP midis vendeve janë më të ngushta në krahasim me diferencat e pagave nominale. Ato ndryshojnë ndjeshëm.

Belgjika (62,300 €) dhe Holanda (50,600 €) pasojnë Luksemburgun për sa i përket pagave më të larta të bazuara në PPP. Në fund, Lituania pasohet nga Letonia (18,800 €) dhe Portugalia (21,400 €). Në Finlandë (31,200 €), paga e infermierëve me bazë PPP ishte më e ulët se mesatarja e BE-së.

Çuditërisht, Turqia (31,700 €) kishte një pagë më të lartë të bazuar në PPP për infermierët sesa disa vende të BE-së si Finlanda, Italia dhe Greqia. Raporti i pagave të infermierëve me pagat mesatare në çdo vend është gjithashtu një tregues i dobishëm. Paga mesatare në një vend bazohet në pagat totale të paguara dhe numrin mesatar të të punësuarve në ekonominë totale.

Në vitin 2020, raporti i pagës së një infermiereje me pagën mesatare varionte nga 0,88 në Lituani në 1,58 në Belgjikë. Kjo do të thotë se infermierët në Belgjikë fitojnë 1.58 herë më shumë se paga mesatare në vendin e tyre. Ky raport ishte mesatarisht 1.2 për 20 vende të tjera të BE-së.

Në Finlandë, Letoni, Francë, Zvicër dhe Lituani, infermierët paguhen më pak se paga mesatare e vendit. Raporti i pagës së një infermiere me pagën mesatare ishte 0,91 në Francë dhe 0,88 në Zvicër. Raportet ishin më të larta në Spanjë (1.5), Republikën Çeke (1.42) dhe Poloni (1.36).

Si kanë ndryshuar pagat e infermierëve në dekadën e fundit?

[caption id="attachment_1326637" align="aligncenter" width="842"] Ndryshimet-nominale-te-pagave-te-infermiereve-ne-euro-ndermjet-viteve-2010-dhe-2020[/caption]

Ndryshimi nominal në pagat bruto vjetore të infermierëve midis 2010 dhe 2020 ishte më i lartë në Islandë, ku pagat u rritën me 123 për qind, në dekadën e fundit. Ndryshimi nominal i referohet vlerave të marra kur nuk merret parasysh inflacioni.

Disa vende anëtare të BE-së, si Hungaria (104 për qind), Estonia (94 për qind), Republika Çeke (92 për qind) dhe Sllovakia (91 për qind), gjithashtu panë rritje dramatike në këtë periudhë.

Pagat e infermierëve ranë në tre vende evropiane midis 2010 dhe 2020: Norvegji (1 për qind), Itali (4 për qind) dhe Greqi (16 për qind). Në Norvegji, rënia është shkaktuar nga ndryshimet në kursin e këmbimit.

Ndryshimi në terma realë është më kuptimplotë pasi merr parasysh inflacionin. Midis nëntë vendeve të përzgjedhura, pagat u rritën në shtatë vende në terma realë midis 2010 dhe 2020 (Hungaria, Sllovakia, Polonia, Republika Çeke, Holanda, Spanja dhe Belgjika). Megjithatë, ato ranë me 6 për qind në Mbretërinë e Bashkuar në këtë periudhë (2010-2019) dhe nuk ndryshuan në Francë.

Në Britaninë e Madhe, shifrat tregojnë se si pagat e infermierëve ranë në terma realë, ndërsa pagat nominale u rritën midis 2010 dhe 2019. Paga nominale dhe paga në terma realë ishin të barabarta në vitin 2010, në 100 pikë. Më pas, paga nominale u rrit vazhdimisht, duke arritur në 110 pikë në vitin 2019. Megjithatë, duke marrë parasysh inflacionin, paga në terma realë u ulën gradualisht deri në vitin 2017, duke arritur në 93 pikë dhe u rritën me vetëm një pikë në 2019-n.

Kjo shifër tregon se pagat vjetore bruto të infermierëve të spitaleve në Mbretërinë e Bashkuar u rritën me 10 për qind në terma nominalë, por ranë me 6 për qind në terma realë midis 2010 dhe 2019.

/Liberale.al/

[caption id="attachment_1326645" align="alignnone" width="791"] Pagat bruto vjetore të infermierëve për sa i përket barazisë së fuqisë blerëse 2020[/caption]

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH