Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama e cilësoi ndërtimin e portit turistik të Durrësit, si mundësinë që jo vetëm qyteti ku do të bëhet ky investim, por e gjithë Shqipëria të ndryshojnë njëherë e përgjithmonë.
“Ky është një projekt që do të ndryshojë përgjithmonë jo vetëm Durrësin, por gjithë Shqipërinë. Me ndërtimin e këtij porti të rritet eksponencialisht vlera e pasurisë së të gjithë qytetarëve të Durrësit, do të rritet vlera e të gjitha hoteleve në vijën bregdetare. Këtu është fjala për imazhin komplet tjetër që do të ketë Shqipëria në botë. Nëse sot pagat në Malin e Zi janë më të larta në rajon kjo nisi me “Porto Monte Negro”. Durrësi do të jetë porti më i madh i Mesdheut, do të jetë port binjak i marinës së Dubait. Ky port hap një perspektivë të re.
Shteti shqiptar në këtë port nuk do të jetë siç është parafytyruar dikur si thjeshtë etniteti që i jep tokën një investitori, shteti shqiptar aty do të jetë aksioner. Shteti është ortak kur ata që negociojnë mendojnë për shtetin dhe jo për veten e tyre. Porti turistik i Vlorës ndërkohë ka filluar, në Sarandë po ashtu ka filluar, po punojmë për projektin e Shëngjinit”, u shpreh Rama.