Aktualitet

Olsian Çela, kryeprokurori i pranuar nga të gjithë

Shkruar nga Liberale
Olsian Çela, kryeprokurori i pranuar nga të gjithë

Reldar Dedaj

Me siguri mund të jetë gjendja e krijuar pas tërmetit në vendin tonë, ndoshta mund të jetë pesha që ka sot posti i kryeprokurorit, ndoshta mund të jenë edhe shumë arsye të tjera, të pazbuluara për opinionin publik, më të thella, më të fshehta ose ndoshta asgjë tjetër më shumë se kaq sa është publikuar, por pavarësisht këtyre arsyeve dhe dhjetra të tjera që mund të hamendësohen, duket se zgjedhja e kandidaturës së Olsian Çelës si kryeprokurori i ri i Shqipërisë, të krijon bindjen se është pranuar nga të gjitha palët politike. Ky është institucioni i parë zyrtar dhe i rregullt i reformës në drejtësi, që merr formë pas tre vite e gjysmë, edhe pse është institucioni më pak i rëndësishëm i kësaj reforme. Olsian Çela ka fatin e keq në këto çaste pasi është i pari kryeprokuror që zgjidhet pas ndryshimeve kushtetuese dhe ligjore për reformën e re të drejtësisë. Kompetencat e kryeprokurorit tashmë janë ulur dhe ai s’ka më fuqinë e mëparshme.

Me një karrierë të shkëlqyer, me pasuri të pakontestuar, njohës i katër gjuhëve të huaja dhe i trajnuar në disa vende të BE-së dhe SHBA-së; kryeprokurori i ri i Shqipërisë, Olsian Çela pritet të sjellë një impuls të ri në punën e Prokurorisë së Përgjithshme. Ai po e shkel këtë truall, pasi të gjithë shërbëtorët dhe prodhimi i tyre e shkeli pa mëshirë kohë më parë, për t’ia mbathur përsëri. U zhdukën duke skërmitur dhëmbët dhe duke lënë pas veprën e tmerrshme. Për vete nuk u dukën më, por as njerëzit nuk i kërkuan; hëngrën të keqen që lanë ata, u helmuan, u budallallosën dhe kaq… Lanë pas mafien, krimin dhe korrupsionin dhe ia mbathën vrapit. Duhet hetimi i dosjeve. Fatkeqësisht, çdo kryeprokuror ka ikur i përkëdhelur nga njëra palë politike, por i anatemuar nga pjesa tjetër. Shoqja e klasës që i dorëzoi çelësat e zyrës Çelës, kur futi këmbën në Prokurorinë e Përgjithshme, ndërmori veprime në kundërshtim me ligjin dhe vetë Kushtetutën e pas reformës, veprime këto që konsiderohen nga juristët si shpërdorim detyre, por që vlenin për qeverisjen socialiste. Pa hetime pra nuk kemi shtet. Këtu fillon drejtësia, nëse e duam, ndryshe: “kaloni o barbarë, këtej kalohet!”.

Karriera

Menjëherë pas përfundimit të Shkollës së Magjistraturës në vitin 2001 Olsian Çela u emërua si prokuror në Prokurorinë e Tiranës. Vetëm tre vjet qëndroi në këtë pozicion, pasi duke lënë pas hetime të “kopsitura mirë” emri i tij nuk u diskutua aspak dhe kaloi në vitin 2004 si Prokuror i Krimeve të Rënda, një strukturë e re e krijuar për të luftuar krimin e organizuar.

Trajnime të shumta, dosje të bujshme të kaluara nëpër duar dhe pikë kontakti nga misionet vëzhguese të drejtësisë europiane ishin kurrikulum i pasur që Çela të mëtonte edhe për më lart. Padyshim që aftësitë profesionale dhe formimi individual janë benefite të cilat ia ka ushqyer vetes. Në raport me Markun, kurrikulumi i Çelës është më i pasur.

Sot Markun askush nuk e akuzon si “të korruptuar” materialisht dhe padyshim që në këtë vend ku çdo ligësi e shkelje ligji ka një çmim, ky ishte virtyt, por ish-kryeprokurorja gjithsesi nuk i shpëton dot akuzës së madhe se u “moleps politikisht”. Në këtë pjesë Çela mbetet për t’u provuar. Nën qepjen e kostumit të “Drejtësisë së Re”, ai e ka më të lehtë të konsiderohet i paanshëm politikisht për t’i dhënë vendit atë që ka më shumë nevojë: Drejtësinë…

Çështjet që po trokasin me bujë pas dere

Për të “shkëlqyer” në atë detyrë nuk mjafton vetëm të mos bësh atë që ka bërë paraardhësja, pasi edhe ky do ishte një sukses, por kryeprokurori i ri edhe pse jo më me kompetencat e mëparshme ka pas dere një sërë çështjesh që po i trokasin me forcë dhe bujë. Ai është i detyruar me i marrë në duar ato dhe për t’i studiuar një e nga një, sipas radhës. Jemi tepër të vetëdijshëm se kompetencat e kryeprokurorit janë ulur dhe ai nuk ka më fuqinë e mëparshme, por sërish mund të jetë transmetuesi i frymës që vjen nga lart-poshtë.

“Në këto kushte unë mendoj se ka tashmë mundësi që prokurori të ndryshojë, për t’u dhënë jetë ideve të reja dhe të arrijmë ato që të gjithë presim me padurim. Vendi po përballet me një krizë, për shkak të ngjarjeve në fund të muajit nëntor dhe përgjigjja që duhet të japë prokuroria duhet të spikasë. Njerëzit kërkojnë drejtësi, prandaj kjo kërkon një angazhim maksimal dhe të tregojmë se jemi në lartësinë e duhur”, tha kryeprokurori Olsian Çela.

Fjalia: “njerëzit duan drejtësi” mbetet më domethënëse se çdo artikulim tjetër, sepse vendi ka nevojë ulëritëse për drejtësi. Sfida e parë e menjëhershme është pikërisht hetimi i thelluar për pasojat e tërmetit tragjik që la pas 51 të vdekur, mijëra banesa të shkatërruara dhe dukshëm një përgjegjësi të madhe nga lukuni zyrtarësh lokal dhe qendror. Gjithashtu, dy dosje të krimit elektoral qëndrojnë ende si “gurrë varri” në dy prokurori, atë të Krimeve të Rënda dhe të Dibrës. Bllokimi i hetimeve për megaaferat e rënda korruptive, ku bie në sy ajo e “Astirit” (20 milionë Euro për një kilometër), projektin qindramilionësh të rrugës Milot-Balldre, etj. Dikush duhet të “shkundë” dhe pavarësisht mungesës së kompetencave për të ndërhyrë direkt në çështje hetimore konkrete, çdo nxitje nga kryeprokurori do vinte në lëvizje vartësit e tij, tashmë jo të paaftë, por të trembur dhe të frikësuar nga pushteti politik.

Prokurori i dosjeve të nxehta

Olsian Çela njihet si prokurori i “dosjeve të forta”. Ai ka hetuar disa nga çështjet më të bujshme dhe ka çuar prapa hekurave disa figura të njohura. Gjatë drejtimit të Krimeve të Rënda, Olsian Çela ‘çarmatosi’ disa nga grupet e forta kriminale që operonin në Shqipëri. Një prej dosjeve më të bujshme është ajo e njohur si ‘Xibraka’, ku la në burg nipin e ish-diktatorit Enver Hoxha, Ermal Hoxhën dhe tetë anëtarët e tjerë të skuadrës së kokainës.

Çela ka hetuar grabitjen në aeroportin e Rinasit në 2016, ku me firmën e tij në kërkim ndërkombëtar është Aleks Pepa. Më herët, ai hetoi për masakrën e Kartodromit apo grupin e Niklës. Prokurori Olsian Çela ka pasur nën hetim edhe Emiljano Shullazin, çështje për të cilën u përplas edhe me drejtuesen e Prokurorisë për Krimet e Rënda në vitin 2017, Donika Prelën.

Vizioni i Prokurorit dhe drejtësia për të dobtin

Në intervistimin për më shumë se 60 minuta përballë KLP-së, më 13 nëntor, Olsian Çela ka kritikuar drejtësinë. Sipas tij, ajo ka qenë e ashpër me shtresat e dobëta duke krijuar probleme të rënda sociale. “Duke thelluar problemet sociale ne përgatisim breza të rinj që janë në rrugë sot dhe nuk kanë të ardhme dhe që nesër janë fidanishte të krimit”, ka thënë prokurori Çela. Hetimi dhe çuarja përpara drejtësisë e të fortëve, ndëshkimi i ‘ndërtuesve vrasës’, hetimi i korrupsionit në qeveri, mbrojtja e të dobtëve, këto janë pritshmëritë e publikut për Olsian Çelën. /Gazeta Liberale

Liberale Newsroom

Lirimi i hapësirave publike, a duhej bërë në mes të sezonit turistik?

  • Po!
  • Jo!
Powered by the Tomorrow.io Weather API
SHQIPENGLISH