Klubi portugez Gondomar SC, aty ku nisën hapat e parë në futboll Diogo Jota dhe vëllai i tij Andre Silva, ka bërë një gjest të veçantë dhe prekës për të nderuar kujtimin e dy vëllezërve që humbën jetën në një aksident tragjik në Spanjë, më 3 korrik.
Në uniformën zyrtare për sezonin e ri, skuadra e kategorisë së katërt ka vendosur imazhin e Diogo Jotës, sulmuesit të Liverpoolit dhe Portugalisë, dhe të vëllait të tij Silva, i cili luante për ekipin portugez Penafiel. Në pjesën e pasme të fanellave janë shkruar emrat e tyre, të shoqëruar me një simbol të pafundësisë – një kujtesë se ata do të jetojnë përgjithmonë në zemrat e tifozëve dhe historinë e klubit.
Në një postim emocional në rrjetet sociale, Gondomar SC shkruan:
“Më shumë se një fanellë, një homazh i përjetshëm. Sepse futbolli është më shumë se fitore dhe gola – është trashëgimi, është familje, është dashuri për tokën tonë."
Ata shtojnë se:
“Fanella jonë e re sjell imazhin e madh të Diogo Jotës dhe vëllait të tij Andre Silva, dy djem të Gondomarit që na lanë shumë shpejt, por që do të jetojnë përgjithmonë në historinë e klubit dhe të futbollit tonë. Sa herë që atletët tanë veshin këtë fanellë, është sikur të dalin në fushë me ta.”
Në nder të vëllezërve, edhe klubi Liverpool ka marrë masa simbolike. Pas një marrëveshjeje me familjen, fanella me numër 20 e Diogo Jotës do të tërhiqet përfundimisht nga përdorimi në të gjitha ekipet e klubit, përfshirë ekipin e parë, ekipet e akademisë dhe ato të femrave.
Gjithashtu, lojtarët e Liverpoolit do të mbajnë këtë sezon stemën “Forever 20” në fanella dhe xhaketa, si një shenjë përkujtimi për Jotën dhe Silvën.
Diogo Jota dhe Andre Silva u rritën në Gondomar, një qytet në periferi të Portos, dhe ishin të lidhur ngushtë me komunitetin dhe futbollin vendas.