Nga Luiza Pinderi
Pas një beteje të gjatë gati 10 vjeçare, më 14 mars, në Ditën Botërore të Veprimit për Lumenjtë, Këshilli i Ministrave bëri të ditur se kishte miratuar vendimin për shpalljen Park Kombëtar të Lumit Vjosë në të gjithë gjatësinë e tij, bashkë me të tri degët më të rëndësishme që e ushqejnë: Drino, Bënçë, Shushicë. Sipërfaqja e mbrojtur është shtrirë tashmë në mbi 12,727 ha, e gjithë sipërfaqja ujore dhe bregore e lumit bashkë me sipërfaqe të tjera tokësore.
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro e quajti një arritje të institucioneve shqiptare me ndihmën e ekspertëve të huaj, por në fakt arritja për këtë ditë ishte një luftë e gjatë e shumë organizatave dhe ekspertëve vendas dhe ndërkombëtarë, pa të cilët Vjosa do të ishte zhdukur. Lumi është strehë e mbi 1,100 specieve, duke përfshirë 13 specie kafshësh dhe 2 bimësh të kërcënuara globalisht dhe e të paktën 50 specie kafshësh dhe 24 bimësh të cilat janë të përfshira në Listat e Kuqe të Shqipërisë.
Nga “Der Spiegel”, te protestat dhe fushtat ndërkombëtare
Për herë rë parë në 12 janar 2014, gazeta e madhe gjermane “Der Spiegel” foli për Vjosën dhe ngriti alarmin për zhdukjen e lumit të vetëm të egër në Evropë, i cili në atë kohë po kërcënohej nga projektmi i disa hidrocentraleve, kryesisht ai i Kalivaçit, që po ndërtohej nga biznesmeni italian Francesco Becceti. Përgjatë këtij viti u organizua një konferencë pranë lumit me pjesëmarrjen e disa zyrtarëve dhe kryebashkiakvë të cilët i kërkuan qeverisë të anulonte planet për devijimin e rrjedhës së lumit. Interesi i ndërkombëtarëve mbeti i ndezur gjatë këtyre viteve të cilët i dhanë një zë të fortë kësaj çështjeje, duke kontribuar fuqishëm në shpalljen si Park Kombëtar.
Ideja u hodh së pari nga Ulrich Eichelmann, CEO i Riverëatch, gjatë kësaj konference në maj të 2014, ku ndër të tjera ai do të shprehej: “Shumë ekspertë ndërkombëtarë të ujërave të ëmbla nuk janë në dijeni se një lumë me vlerë kaq të lartë ekologjike ekziston ende në Evropë. Jo vetëm Shqipëria do të përfitonte nga krijimi I një Parku Kombëtar të Vjosës, por edhe Evropa dhe e gjithë bota”. Përpjekjet për ta mbajtur lumin siç ka qenë, aty ku ka qenë, vijuan me nisma nga më të ndryshmet, brenda dhe jashtë vendit. Gati 50 ekspertë zbarkuan në brigjet e lumit për të studiuar speciet bimore shtazore, ndërsa studime më të thelluara u realizuan përgjatë viteve të mëvonshme.
Në vitin 2015, çështja u bë axhendë e Parlamentit Europian, ndërsa eurodeputetët kërkuan nga qeveria shqiptare të braktiste planet e veta për ndërtimin e hidrocentraleve. Ndërgjegjësimi vijoi me protesta dhe koncerte madhore, shoqëruar edhe me procese gjyqësore siç ishte ai i banorëve, së bashku me OJQ-të kombëtare dhe ndërkombëtare kundër hidrocentralit të Poçemit në Vjosë, një projekt i inicijuar rishtas nga qeveria shqiptare. Ndërsa gjykimi vijonte në instancat më të larta të drejtësisë, në 2017 qeveria i dha të drejtën e koncesionit kompanisë turke “Ayen Eneji” për vijimin e punimeve me hidrocentralin e Kalivaçit.
Në shkurt të 2020, 776 shkencëtarë nga 46 vende të ndryshme nënshkruan një nga peticionet më të mëdha shkencore në ekologjinë e ujrave të ëmbla, ku kërkonin ndalimin e procesit të digave në lumin Vjosë dhe për të ndjekur standardet ndërkombëtare në këtë çështje. Një vit më vonë, 20 organizata mjedisore shqiptare nën nismën e EcoAlbania paraqitën një propozim të hollësishëm për shpalljen e Parkut Kombëtar të Vjosës pranë Ministrit të Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi. Në janar 2022, qeveria shqiptare shpalli lumin Vjosa Park Natyror (kategoria IV e zonave të mbrojtura) dhe më 14 mars 2023 e shpalli atë Park Kombëtar.
Përfshirja dhe apeli i fortë i Leonardo DiCaprio-s
Çështja e Vjosës mori vëmendjen e aktorit të njohur të Hollivudit, fituesit të çmimit Oscar, Leonardo DiCaprio, i cili duket se me zërin e tij e çoi para axhendën e ruajtjes së Lumit Vjosë. Ai e ngriti fort publikisht zërin, të paktën 4 herë.
Hera e parë ishte në 31 tetor 2019, duke iu referuar një artikulli të Associated Press, DiCaprio ngrinte pyetjen se për sa kohë Vjosa do të mbetej lumi i fundit i egër i Evropës, ndërsa shkruante në Instagram: “Lumenjtë janë një pjesë thelbësore e ciklit global të ujit. Ato veprojnë si arteriet e natyrës, duke bartur energji dhe lëndë ushqyese nëpër peizazhe të gjera, duke siguruar ujë për pije, prodhimin e ushqimit dhe industrinë”.
Aktori reagoi sërish dy vjet më vonë në 11 mars të 2021, ndërsa vazhdonin përpjekjet për të bindur qeverinë se Vjosa duhej të shpallej Park Kombëtar. Ai shkruante se e shtrirë nga malet e Greqisë deri në detin Adriatik, Vjosa ishte shtëpia e më shumë se 1100 llojeve të kafshëve të egra, shumica prej të cilave mbeteshein të kërcënuara. “Vjosa është kurora e #ZemërBlueEurope dhe njerëzit në mbarë Shqipërinë duan ta mbrojnë atë përgjithmonë. Ata i kërkojnë qeverisë shqiptare të krijojë #VjosaNationalParkTani, i cili do të ishte parku i parë i lumit të egër në Europë”, shkruante DiCaprio.
View this post on Instagram
Dy javë më vonë ai etiketoi në rrjetet sociale kryeminsitrin Edi Rama dhe dy drejtuesit e opozitës, Lulzim Basha dhe Monika kryemadhi, duke iu kërkuar shpërndarjen e një video mbi magjinë e Vjosës. Thirrja e tij vinte një ditë pasi Parlamenti Europian u kërkoi autoriteteve shqiptare “të krijojnë sa më shpejt Parkun Kombëtar të Vjosës, duke shtrirë në të gjithë gjatësinë e lumit”. Apeli i fundit erdhi më 7 korrik të 2022, pasi qeveria vendosi ta shpallte Vjosën Park Natyror, duke risjellë në vëmendje cilësitë e këtij lumi, teks theksonte se Vjosa ishe një hap larg shpalljes së saj Park Kombëtar. Një ditë më parë, ai ripostoi një shkrim ku thuhej se tashmë ishte bërë histori dhe se Vjosa do të rridhte e lirë përgjithmonë, për t’u shijuar nga brezat e ardhshëm.
View this post on Instagram
Çfarë do të ndodhë tani me Vjosën?
Me shpalljen e Vjosës park Kombëtar, duket se ka nisur një betejë akoma më e gjatë dhe më e rëndësishme, për ta ruajtur këtë zonë edhe për ta menaxhuar në mënyrën më të mirë të mundshme, në funksion të banorëve vendas dhe zhvillimit të turizmit. Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro lajmëroi se në bashkëpunim me organizatën e njohur ndërkombëtae Patagonia dhe IUCN do nisë menjëherë puna për planin e menaxhimit, për t’u dhënë mundësi njerëzve e bashkive që janë pranë Vjosës të zhvillojnë agroturizme dhe ekoturizëm. Po ashtu ajo tregoi në A2CNN, se detyra për ta mbrojtur këtë park i takon Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura. “Nuk e fsheh që kapacitetet që kemi gjetur aty nuk janë të mjaftueshme në krahasim me rritjen e territorit të mbrojtur. Pjesë e planit të menaxhimit është krijimi i një drejtorie të re rajonale të dedikuar për Vjosën. Kjo ka një kosto të shtuar, por shkon paralel me rëndësinë që i japim Vjosës”, tha Kumbaro.
Në Raportin e Studimit të Fisibilitetit, publikuar në dhjetor të 2022, theksohej se kalimi i Vjosës në Park Kombëtar do të bëhej në dy faza, së pari, për të gjithë gjatësinë e Vjosës në Shqipëri, duke përfshirë 3 degët e saj dhe në vitet në vijim do të shtohen lumenj dhe përrenj me rrjedhje të lirë, si dhe një zonë më e gjerë rreth lumenjve. faza e dytë, aspiron përfshirjen e burimit në vargmalin e Pindit në Greqi, si zona e ardhshme e mbrojtur ndërkufitare. Në raport theksohet se ky park do të krijojë më shumë mundësi, në mënyrë që banorët, dhe në veçanti të rinjtë, të mund të qëndrojnë ose, ata që janë larguar, të vijnë në shtëpi. Do të ndihmojë në tërheqjen e më shumë vizitorëve nga Shqipëria, Evropa, dhe në mbarë botën, dhe të krijojë mundësi të reja ekonomike për vendasit, kryesisht nëpërmjet turizmit të qëndrueshëm dhe bujqësisë.
Përveç kësaj, Parku Kombëtar do të përshpejtojë zgjidhjet për disa nga problemet më themelore në këtë zonë. Tri sfidat e mëdha që shihen më emergjente janë uji dhe ndotja e tokës, menaxhimi i mbetjeve dhe shpyllëzimi. Rikthimi i pyllit në Vjosë dhe shpateve përgjatë luginës është një nga çështjet më të rëndësishme restauruese. Zonat e ripyllëzuara do të ndihmojnë në krijimin e ekosistemeve të vlefshme dhe peizazheve për qëllime rekreative, minimizojnë erozionin e tokës dhe reduktojnë përmbytjet. Mbrojtja do të ndihmojë njëkohësisht për ruajtjen dhe rikthimin e një sërë speciesh të rralla tokësore dhe ujore./Liberale.al