
Një 55-vjeçare ka hapur derën është hedhur nga furgoni duke gjetur vdekjen e menjëhershme në aksin rrugor Peqin-Elbasan, pranë fshatit Papër.
Merushe Gjuzi udhëtonte paraditen e sotme së bashku me një shoqen e saj drejt Elbasanit kur në një moment dyshohet se ka hapur derën e furgonit dhe është hedhur duke gjetur vdekjen e menjëhershme.
Shoqja e viktimës Merushe Gjuzi me të cilën udhëtonin këtë mëngjes tha se 55-vjeçarja kishte debatuar me bashkëshortin.
“Gjithmonë rrinim të ulura në vendin e parë të furgonit, por këtë mëngjes deshi të ulej pas dhe u ul vetëm”, ka thënë shoqja e viktimës.
Kurse shoferi i furgonit u shoqërua në komisariat, pas vdekjes së 55-vjeçares.
"Rreth orës 09:00, në aksin rrugor Peqin-Elbasan, në fshatin Papër, shtetasja M. Gj., rreth 50 vjeçe, ndërkohë që udhëtonte në automjetin furgon që drejtohej nga shtetasi S. T., 30 vjeç, dyshohet se ka hapur derën e pasme të furgonit dhe është vetëhedhur. Si pasojë e dëmtimeve, shtetasja M. Gj. ka humbur jetën.
Drejtuesi i furgonit, shtetasi S. T., po shoqërohet në Komisariat, për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.Shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor ndodhen në vendngjarje dhe po punojnë për sqarimin e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje", njofton policia.