
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka konfirmuar në detyrë gjyqtarin Pëllumb Zaimi.
Procesi i vetingut për gjyqtarin Zaimi u krye nga trupa e kryesuar nga Firdes Shuli, me relatore Brunilda Bekteshin dhe anëtare Suela Zhegun. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte i pranishëm Gerrit Sprenger.
Gjatë seancës dëgjimore u evidentuan balanca negative për kursimet në dy vite, të cilat ai i cilësoi si modeste dhe të pamjaftueshme për të sjellë penalizim. Në seancë u relatuan raste të konfliktit të interesit në dukje në shqyrtimin e disa çështjeve, gjetje të cilat u kundërshtuan nga subjekti.
Pëllumb Zaimi e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1994 në Skrapar dhe pas mbylljes së asaj gjykate vitin 2007, u emërua në 2008-ën në Gjykatën e Beratit, ku dhe e ushtron aktualisht detyrën. /Liberale.al