Ish-deputetja e PD-së, Albana Vokshi ka reaguar për garën e kreut të Autoritetit të Mediave Audiovizive.
Vokshi shkruan se si drejtues i AMA është projektuar djali i Pirro Mishës, i cili la këtë detyrë, pasi kryeministri e caktoi drejtor të Bibliotekës Kombëtare.
"Gara për kreun e Autoritetit të Mediave Audiovizive ka degjeneruar. Ai që Rilindja ka projektuar si kryetar është djali i babit që lëshoi karriken në AMA për t’u bërë drejtor pensionist në Bibliotekën Kombëtare. Tani vendin do e zërë i biri, duke vijuar besnikërinë dhe përuljen ndaj udhëheqjes.
Nuk kishte si të ndodhte ndryshe: Dy kandidatët që paraqitën aplikimin në parlament për postin vacant të kryetarit të AMA ishin të dy zëdhënës ministrish. “Fatosat” e partisë janë gati për të marrë shpërblim dhe të bëjnë kamikazin për uzurpimin e tregut të medias audiovizive, për të penguar me çdo çmim fjalën e lirë dhe për të burgosur e sakatuar gazetarët.
T’i bëjnë të 99-at medias, për “ta rilindur” dhe atë, siç po bëjnë me “sukses” kudo!", shkruan Vokshi./Gazeta Liberale