Aktualitet

E qeshura dhe harresa

Shkruar nga Liberale

Kolana UETPRESS- 15 vjet

Titulli: Zogu i zi

Autor: Ylli Pango

Nga Parid Teferiçi

Nuk do të lexojmë autobiografinë e autorit, as historinë e lagjes së tij të vegjëlisë, ndoshta as ndonjë libër. Do të lexojmë siç lexohen termometri, sahati i ujit, tabelat rrugore, sytë e fëmijës. Autori rrëfen fëmijërinë e tij, por nuk e sheh botën me sytë e një fëmije. Djaloshi i djeshëm vetëm sa e shoqëron burrin e sotëm përdore në lagjen e dikurshme. I del dorëzanë për të përshkuar, dhe më pas përshkruar, një periudhë të historisë sonë mes viteve ’60 dhe ’70 të shekullit që lamë pas (dhe që na la pas). “Para se ta prishnim me rusin” e deri “para se ta prishnim me kinezin”. Këtë e bën duke e njohur me bashkëkohësit e tij, moshatarë apo të rritur, zogazias apo të “botëkuptimeve” të tjera. Jetë paralele, ose të kithëta, të dhëna jo në rrëfime lineare, por me kërcimet dhe luhatjet e “pesëminutëshave” të lavdisë së secilit, përballë jo vetëm pllaneve të lavdishme pesëvjeçare, por edhe ngjarjeve më të mëdha të globit dhe të historisë. Në Termopilet e atij pallati në formë L-je, treqind spartanë zogaziaz ndalin trimërisht hordhitë e panumërta armike të imagjinatës së tyre, sidomos duke u ndeshur mes veti në ca “singullare” të paharrueshme.

Këta nuk janë djemtë e rrugës Pal, janë çunat e Zogut të Zi. Trazimet e moshës së brishtë nakatosen me trazimet e një epoke të dhunshme, sherret e kalamajve me luftën e klasave, ëndërrimet fëminore përplasen përditë me një realitet të shëmtuar nga një ëndërr kolektive. Shpëtimi i vetëm nga zymtia është humori i zi dhe te “Zogu i Zi” e qeshura na shpëton vërtet.

Por ky libër nuk është për të qeshur. Ky është libër për të qeshurën dhe harresën, nëse perifrazojmë një titull të Kunderës. Tek “1984” e Orwell-it, kontrolli i së kaluarës nga Partia kryhet me anë të “përditësimit të përditshëm”, përshtatjes së të kaluarës me ortodoksinë aktuale, dhe detyrë e qytetarit që i ka përjetuar është që jo vetëm të pranojë se ngjarjet kanë ndodhur ashtu, por edhe “t’i kujtojë” si të tilla. “E nëse duhet vënë rregull në kujtesë, duke e ndrequr me dokumente të shkruara, më pas është e nevojshme të harrohet se kjo u bë”. Dhe e gjitha kjo çon në njëfarë të sotmeje ku “çdo dokument është shkatërruar apo falsifikuar, çdo libër është rishkruar, çdo pikturë është retushuar, çdo statujë, çdo rrugë, çdo ndërtesë kanë ndërruar emër, çdo datë është ndryshuar.”

Edhe pasi rrëzohet, diktatura ka dy bashkëpunëtorë të papritur në modifikimin e së kaluarës dhe relativizimin e tmerreve të saj: harrimin dhe nostalgjinë. Përpiqemi të hapim sa më rrallë disa sirtarë kujtese ku gjenden dhimbje, turpe, vuajtje, zhgënjime, poshtërime (tonat apo të shkaktuara prej nesh). Është njerëzore, na ndihmon të shohim përpara. Edhe më shumë njerëzore është ajo stolisje e trëndafiltë e së shkuarës kur kthejmë kokën të shikojmë jetën tonë. Në të kaluarën kemi qenë më të rinj.

Por këto gjymtime të kujtesave individuale sjellin një histori të rreme kolektive, e cila do të tingëllojë si përrallë dhe do të përgjumë ndërgjegjen dhe arsyen e brezit të nesërm, dhe ky është gjumi që pjell monstra.

Për të shmangur këtë, nevojitet një përpjekje e secilit me kujtesën dhe ndërgjegjen e tij. Më tepër se për të vërtetën, kjo është përpjekje për identitet. David Hume na mëson se identiteti prodhohet kryesisht nga kujtesa. Me të arrijmë të kapim marrëdhëniet shkak-pasojë, të cilat përbëjnë unin dhe veten e secilit. Ndërsa për rrethanat dhe ngjarjet e harruara, kujtesa “nuk e prodhon, por e zbulon identitetin personal”. Prej vitesh profesor Pango, në leksionet e tij mbi psikologjinë sociale, ka zbuluar shembuj dhe raste nga përvojat e tij. Episode dhe tipa të veçantë i ngacmonin kujtesën. Në fillim ishin anekdota dhe “qyfyre” nëpër biseda, pastaj shtjella e këtyre kujtimeve nisi të bëhej më e vrullshme, asociacionet tërhiqnin në sipërfaqe copëza të harruara, gjersa mbërritëm në këtë vorbull përthithëse me qindra personazhe dhe ngjarje nga lagjja e tij e fëminisë. Dhe ndiejmë se kjo vorbull, në të vërtetë, përbën boshtin e tij identitar. Ndiejmë, gjithashtu, të njëjtën shpoti’ që autori na bënte në librin “VIP”: “që të mos kujtosh se je dikush (ose askush), përpiqu të kujtosh”.

Është zbavitëse për këdo të gjendet befas i thithur nga kjo shtjellë njerëzore, me përjetimet dhe privimet e saj, me emrat dhe nofkat, me bëmat dhe të pabërat, me virtytet dhe veset e një faune të harruar e të çuditshme, e prapë kaq të ngjashme me ne. E shpesh jemi ne, me pseudonime. Por akoma më rëndësi, te kjo prozë e rrëmbyeshme, ka ndjellja që na jep për të krijuar një vorbull të tillë tonën, e për të rithithur kujtimet që na kanë braktisur apo i kemi braktisur, për të parë sërish ato fytyra, të cilat, duke i parë dhe duke na parë dikur, na dhanë pamjen që kemi sot, thinjat, vragat, rrudhat, mënyrën si qeshim apo si dëshpërohemi, si habitemi apo neveritemi. Identiteti ynë ka nevojë për këtë, më tepër sesa për pasqyrën. Mund të shihemi si Narcisi në pellgun e kujtimeve tona, ose të kridhemi herë pas here në atë pellg e të shihemi aty siç jemi në të vërtetë, në natyrën tonë të dyfishtë si njerëz dhe si valë.

Pjesë nga libri

Pse Zogu i Zi?

…Të gjitha këto nisën më vonë të zvogëlohen e të zvogëlohen, ndërkohë që hapësira e jetës hapej: dora -dorës që ne rriteshim, ndiheshim gjithnjë e më të mëdhenj dhe dilnim jashtë kufijve të Zogut të Zi, të lagjes, qytetit, pastaj akoma më larg, tej kufijve gjeografikë, deri përtej fare dhe madje edhe vetë kufijve të fantazisë. Dhe nisi të na dukej se ishin bërë pas vitesh aq të vogla aq sa dukej se nuk ishin më ato që kishin mbajtur brenda aq shumë njerëz e ngjarje, vuajtje, gëzime, drama, jetë të tëra njerëzish…

Por aso kohe e gjithë jeta, na dukej se ishte mpiksur atje. Zogu i Zi, shtëpitë e pallatet përreth, nuk ishin vetëm hyrja, por dhe gjithë qyteti, fryma, karakteri i tij. Madje edhe bota e madhe për ne futej e filtrohej brenda në Zog të Zi, me gjithë ç’kishte e ç’nuk kishte; me ngjarjet, bëmat, historitë që dëgjonim e që komentoheshin nga të rriturit, përjetoheshin e përqaseshin sipas mënyrës sonë, në apartament-furriqet tona, në oborrin e madh, sheshet e fushat përreth, rrugët që na dukeshin aso kohe aq të mëdha. Dhe kishte kaq shumë ngjarje, njerëz, histori, intrigë, luftëra, ndeshje, art, pisllëk, spiunllëk, në botën e madhe të njerëzve e në botën po aq të madhe të Zogut të Zi, që e gëlltiste atë, a në rastin më të mirë për botën, përqasej me të, sa që jo më kot mendonim se të gjitha bëheshin e përziheshin atje. E kjo ndodh edhe tani kur ulem e shkruaj për ndodhitë dhe për njerëzit e asaj kohe e nis e i kujtoj përsëri, të gjitha; tani kur në fillimin e muzgut të jetës, më zhdrivillohen e tirren si vetvetiu hollë e më hollë kujtimet, e njëra dallgë tërheq e nxjerr në breg të kujtesës tjetrën, e kur pastaj këto kujtime derdhen e më shfaqen të shkruara përpara syve të mi, qesh me vete e më duket se jam përsëri atje mes kalamajve, mu në mes të oborrit të Zogut të Zi Atëherë habitem sesi sërish rriten ngjarjet, njerëzit, vitet, jeta e fëminisë, Zogu i Zi dhe zvogëlohem unë, bashkë me gjithë bredhjet e mia pa fund nëpër botë, e përsëri mblidhemi të gjithë aty bashkë, aty ku mbështillej në të vërtetë e gjithë jeta e asaj kohe e aty ku në thelb është edhe sot, brenda lëvozhgës së Zogut të Zi. Ata që e jetuan atë jetë le ta gjykojnë…Ata që jetuan, ata që vdiqën, por dhe ata që më vonë ikën së andejmi, e shkuan larg në botë; lanë pas pallatin e madh, lagjen e madhe, ku u rrita unë e shumë të tjerë, Zogun e Zi... Por edhe ata që do të lexojnë këtë libër. Sido që të jetë a të ketë qenë...

... Ne shkuam atje kur ende nuk ishin hequr telat me gjemba përreth pallatit dhe karakolli i rojeve të të burgosurve që e ndërtuan atë. Pallati, po e quajmë, i Zogut të Zi, zemra e tij, është ndërtuar duke qenë tërë kohën i rrethuar nga tela me gjemba, mu mbi atë vend ku u ndërtua së bashku me të, si pjesë e tij, edhe kafe-restoranti, që i dha emrin gjithë lagjes, Zogu i Zi. Kështu kur telat u hoqën, karakolli ra e në pallat filluan të vinin njerëz, Zogu i Zi filloi të rritej ca nga ca, hapi krahët e u bë i famshëm në gjithë Tiranën e më tej. A ia dha emrin restoranti me bëmat e tij, apo këtë emër ai vend e mori para se të ndërtohej pallati ynë? As atëherë e as sot nuk e di me siguri. Njerëz të ndryshëm e tregojnë ndryshe. Ne fëmijët kur na pyesnin, ku e ke shtëpinë, përgjigjeshim “ke Zogu i Zi” dhe për rrjedhojë dhe veten e quanim zogazias. Në variantin më të hershëm, thuhej se kohë më parë, ndoshta që në kohë të Zogut, jo atij të ziut, por mbretit, diku aty rrotull, s’dihej saktë se ku, jepeshin shfaqje lakuriq dhe zogu i zi “ishte ajo vegla” në zhargonin e Zogut të Zi, apo më saktë të banorëve autoktonë të asaj lagjeje mu në hyrje të Tiranës, që ende edhe kur erdhëm ne, banonin në shtëpitë e tyre përdhese rreth Zogut të Zi. Disa thoshin se lagjja jonë u quajt kështu shumë më vonë, pasi u ndërtua pallati ynë i famshëm, i Zogut të Zi, së bashku me kafe-restorantin poshtë, atë ku jepeshin ato shfaqjet ku thuhej se shihej “ajo vegla”. (së paku lidhur me kuptimin e emrit “Zogu i zi” në të dyja variantet, apo dhe në debatet mes zogaziasve të rinj e të vjetër, është rënë gjithnjë dakord). Madje ca shtonin se aty veç shfaqjeve bëheshin dhe orgji nudo, por ne të vegjlit, kurrë nuk kishim parë të tilla. Asgjë, veç klientëve që hanin ulur në ato tryezat me mbulesa me kuadrate mediokre, të kohëve të shoqërisë së konsumit të qenit, dhe të kamerierit tipik me origjinë minoritare greke, të mbiquajtur nga ne kalamajtë “Llambraq”. Pra derisa aty ishte salla e madhe ku hahej dhe ca më thellë dritarja e vockël e kuzhinës nga merrej furnizimi, nuk e përfytyronim se ku, (ku pra ku?!); ku në Zogun e Zi shfaqej ai “zogu”. Veç në mos në thellësi të kuzhinës a në magazinat prapa saj ku depozitoheshin mishi e zarzavatet. Aty ku meqë ra fjala, mbretëronte me satër në dorë, gruaja trupmadhe, kuzhinierja e Zogut të Zi, që ka mbetur edhe sot në përfytyrimin tonë, gjithnjë me hanxhar në dorë e duke prerë mish. Kishte një çember në majë të kokës, dhe vinte ca si më e hollë lart e shumë më e gjerë poshtë, me ca këmbë të trasha, që e bënin në tërësi të ngjasonte si ca lloj dinozaurësh mishngrënës. Ne e thërrisnim “kofsha.” Nuk di pse, për shkak të mishit që priste a për shkak të këmbëve të stërmëdha… Ne i shkonim gjithnjë poshtë penxherkës së vogël nga pas restorant Zogut të Zi dhe i bërtisnim në kor kalamajsh: “Duam kofshën, duam kofshën”, derisa një ditë pasi e kuptoi më në fund ç’thoshim, “Kofsha” i bëri nënat tona njëjës duke na sharë së bashku në grup: “Ç’kofshë doni more, të satëme?” Këmbët ishin të trasha, mishi që pritej i trashë, ndaj as vetë nuk e dinim kë kofshë kërkonim, të asaj a të viçit.

... Studiuesi autodidakt, Pip Milli, që përveç bëmave të Rasputinit, ka shkruar edhe për Zogun e Zi, vë në dukje se restoranti ka qenë me dy kate dhe në katin e dytë, ku zakonisht qëndronte orkestra, interpretonte dhe këngëtarja, Dudie, që zakonisht nuk vishte të mbathura. Të rinjtë e asaj kohe, por sidomos elita e porsaardhur nga studimet universitare nga Lindja, (se dielli lindte veç nga lindja aso kohe, nga të quajturat demokraci lindore me në krye Bashkimin e madh Sovjetik); sillnin me vete edhe liberalizmin e atjeshëm, që natyrisht nuk i afrohej atij perëndimor, por që ishte ku e ku më përpara me atë të vendeve tona pocaqi. Ata rrinin poshtë, në pjesën më të gjerë të sallës së restorantit, që shërbente kështu edhe si një lloj plateje ku veç ushqimit shijohej edhe spektakël. Meqë spektakli siç thamë, na ishte në kat të dytë, ata ngrinin kokat lart për të parë dhe së bashku me orkestrën sodisnin edhe zogun e zi të këngëtares. Por ka dhe ca të tjerë (më pak) që mendojnë edhe sot se sekreti fshihej te kinema Ushtari, që binte diku prapa pallatit tonë. Aty ku ishte një repart i vogël ushtarësh dhe atje brenda rrethimit të kazermës, në një mur me tulla, të lyer me bojë të bardhë, vihej një beze e bardhë dhe shfaqeshin filma për ushtarët, por edhe për ne komshinjtë e tyre të lagjes Zogu i Zi. Aty personazhi më tërheqës dhe më i suksesshëm ishte natyrisht ushtar- operator Xhelali, që na shfaqte filmat dhe me të cilin ne mendonim se shumica e vajzave të pallatit patën rënë në dashuri. Ndoshta se e identifikonin me gjithë aktorët e mëdhenj e të bukur që shihnin në ekran. Po sado që e vrisnim mendjen, të paktën ne vetë kalamajtë, s’arrinim të kujtonim nëse kish pasur ndonjëherë gjëra turpe në ekran, madje as puthje, a gjëra të tjera të ndaluara si në filmin e madh të Tornatores. Pra dhe ky variant i kishte këmbët të lëkundura sepse as aty zor se kish pasur zog të zi të shfaqur në ekran, madje edhe përpara se të vinim ne, veç në mos në ëndrrat e ushtarëve që herë -herë hallaviteshin pa lejen e rreshterit rrotull mëhallës sonë për t’i marrë mendjen ndonjërës. Ndoshta së fundmi duhet pyetur Simoni, nëse ka mbetur ende gjallë, ai që i futi duart dhe kapi për gjoksi vajzën Nimaqet të sigurimsit të rangut të ulët, a ndryshe siç quheshin, të kalecit Naqme. Simoni banonte me të tjerë në ato shtëpitë e vogla fare, pranë fabrikës së çokollatave, ku rrinte dhe shoku ynë Cili, i dobët në trup, por me teknikë të mirë driblimi në futboll. Së fundmi unë mendoj se duhet besuar më së shumti varianti i Cancos dhe i ca tironcave të tjerë të vjetër që kanë argumente të forta se çdo gjë lidhet me atë filmin hungarez. Mbështetur kjo edhe në faktin që shqiptari është imitues i paparë dhe përgjithësisht që nga emrat e kalamajve e deri në ato të vendeve të famshme, vazhdon t’i marrë nga të tjerë, shtete a perandori të mëdha, që nga ato zaptuese si turku e deri vite tëhu nga superfuqitë e sotme të mëdha. Kështu morëm aq shumë nga rusi, sa s’nisëm dhe nga kinezi, e më vonë nga amerikani. Po kështu edhe nga personazhet e filmave e në rastin tonë edhe nga vende a lagje qytetesh si Broadway etj. Filmat që u shfaqën aso kohe ishin disi më liberalë sesa ata të mëvonshmit e fillimviteve ’70, pak para fillimit të revolucionit shtazor kulturor.

***

E pra në ato kohëra ishte shfaqur në ekrane kinemaje në Tiranë, edhe një film hungarez me titull “Për një gotë birrë”. Aty na ishte dhe një lokal i njohur në Budapest me emrin Zogu i Zi, ku shkonin e pinin shoferët dhe kishte aty dhe femra të zhveshura që i ksehasnin ata. Prej këndej, sipas Cancos e tironcave, që përmendëm më sipër, filluan ta quanin Zogu i Zi, edhe atë restorantin poshtë pallatit tonë, atë restorant në këndin e “L”-së, ku vinin që pa gdhirë tufa shoferësh që zinin të pinin herët e që vazhdonin kësisoj në afshin e rakisë e shkumëzimin e birrës, gjithë ditën e lume deri natën vonë. A u shfaqën dhe aty ato femra nudo a gjysmë nudo, si ato që ishin parë në filmin hungarez. Siç e thamë më sipër, ne fëmijët, këtë as e pamë e as nuk e morëm vesh kurrë. Gjithsesi emri i bar-restorantit, sipas cilitdo variant qoftë, mbeti e vazhdon edhe sot e kësaj dite të jetë, Zogu i Zi, kreu i rrugës së Durrësit, lagja e vjetër e Tironës, krenaria jonë, por dhe barku i thagmave të kësaj historie me njerëz dhe minj. /Gazeta Liberale

Liberale Newsroom

Lirimi i hapësirave publike, a duhej bërë në mes të sezonit turistik?

  • Po!
  • Jo!
Powered by the Tomorrow.io Weather API
SHQIPENGLISH