Kryeministri italian, Giuseppe Conte teksa mori pjesë në Konferencën për 45 vjetorin e Traktatit të Helsinikit, mbajtur sot në Romë në Pallatin Borromeo tha se integrimi i Shqipërisë në BE dhe i vendeve të ish-Jugosllavisë duhet të vazhdojë.
“Janë pesë vende të ish-Jugosllavisë dhe Shqipëria, të cilat aspirojnë të jenë pjesë e familjes europiane. Është një proces shumë kompleks e shumë delikat”, tha Conte duke shtuar se “është i bindur që ky proces duhet absolutisht të vazhdojë”, raportojnë mediat italiane.
Më tej ai tha se procesi i integrimit europian i këtyre vendeve duhet të kryhet sepse nëse nuk arrihet ky objektiv do të rrezikojmë të shohim këto vende të heqin sytë nga Europa dhe të kërkojnë aleatët e tyre të vjetër.
Për kryeministrin italian me procesin e integrimit të Shqipërisë dhe të vendeve të ish Jugosllavisë është në lojë kredibiliteti i politikës së jashtme europiane.