Kosova

Kuvendi i Kosovës mblidhet sot për të vijuar me seancën konstituive pas dështimit të djeshëm

Shkruar nga Liberale

Kuvendi i Kosovës mblidhet sot për të vijuar me seancën

Kuvendi i Kosovës pritet të mblidhet mesditën e kësaj të enjteje për të vijuar me seancën konstituive, e cila u ndërpre më herët këtë javë për shkak të mungesës së votave për miratimin e raportit të Komisionit për Verifikimin e Mandateve.

Njoftimi për mbajtjen e seancës vjen pasi presidentja e vendit, Vjosa Osmani, iu përgjigj me shkrim kryesuesit të seancës, Avni Dehari, i cili i ishte drejtuar me një letër për të kërkuar sugjerime pas ndërprerjes së punimeve.

Në letrën e saj, Osmani theksoi se Kushtetuta e Kosovës detyron institucionet që të përmbushin proceset demokratike, dhe jo t’i bllokojnë ato. Ajo rikujtoi se interpretimi i dispozitave kushtetuese duhet të bëhet në frymën e mundësimit të funksionimit të institucioneve.

“Dispozitat që ndërlidhen me konstituimin e institucioneve shtetërore duhet të interpretohen në mënyrë që ta mundësojnë dhe jo ta pengojnë themelimin dhe funksionimin kushtetues të tyre,” shkruan Osmani.

Ajo përmendi edhe Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2014, duke i bërë thirrje kryesuesit që seanca të vazhdojë jo më vonë se brenda 48 orëve nga ndërprerja.

“Ju ftoj që ta realizoni seancën konstituive në përputhje me parimet kushtetuese, Rregulloren e Kuvendit dhe legjislacionin në fuqi,” përfundon letra e presidentes.

Seanca e mëparshme u ndërpre pasi raporti i Komisionit për Verifikimin e Mandateve nuk mori mbështetjen e partive opozitare: PDK-së, LDK-së dhe AAK-së. Këto parti kërkuan dorëheqje formale të anëtarëve të qeverisë që kanë fituar mandat si deputetë, para se të bëjnë betimin në Kuvend.

LDK ka konfirmuar pjesëmarrjen në seancën e sotme në orën 10:00, ndërsa kryetari i saj, Lumir Abdixhiku, ka përsëritur kërkesën për dorëheqjen e anëtarëve të qeverisë që janë zgjedhur deputetë.

Edhe PDK ka njoftuar se do të marrë pjesë në seancë, me nënkryetaren Vlora Çitaku që deklaroi se kjo është një “obligim mbi bazën e rregullores së punës”.

Megjithatë, ajo konfirmoi se qëndrimi i partisë mbetet i pandryshuar sa i përket kërkesës për dorëheqjet formale.

Liberale Newsroom

Poll
Powered by the Tomorrow.io Weather API
SHQIPENGLISH