Albulena Haxhiu, ministre në detyrë e Drejtësisë, u propozua sërish për kryetare të Kuvendit të Kosovës por nuk arriti të sigurojë shumicën e nevojshme të votave në seancën konstituive
E propozuar për herë të dytë nga Lëvizja Vetëvendosje, ajo mori vetëm 57 vota, ndërsa për t’u zgjedhur duhen të paktën 61 vota nga gjithsej 120 deputetë.
Në sallë ishin të pranishëm 115 deputetë, duke plotësuar kuorumin për votim, por numrat nuk ishin të mjaftueshëm për ta kaluar kandidaturën e Haxhiut.
Ilir Kërçeli, deputeti i zgjedhur i Lëvizjes Vetëvendosje, tha se nuk do të ndryshojë propozimi i LVV-së që Albulena Haxhiu të marrë postin e kryeparlamentares së legjislaturës së nëntë, edhe pasi ky propozim dështoi dy herë të marrë mbështetjen e nevojshme.
Sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës, posti i kryetarit të Kuvendit i takon partisë së parë, që në këtë rast është Vetëvendosje. Kjo do të thotë se vetëm kjo parti ka të drejtë ta propozojë kandidatin për këtë post, por pas kësaj, mbetet e paqartë nëse do të ketë një emër të ri apo rivotim në ditët në vijim.
Pas ndërprerjes së seancës plenare, kreu i Nismës, Fatmir Limaj, e cilësoi si lajm të mirë votimin e raportit për verifikimin e mandateve dhe betimin e deputetëve.
“Kosova tani ka Parlament dhe deputetë dhe ata do të gjejnë rrugë për hapa të tjerë”, tha ai.
“Shumë shpejt edhe këto pjesë tjera do të përfundojnë dhe sipas ligjit dhe Kushtetutës të konstituohet Kuvendi dhe Qeveria”, shtoi Limaj.
Megjithatë, ai nuk iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve pse tre votat e Nismës ishin abstenim për propozimin e LVV-së për postin e kryetares së Kuvendit.
Kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, tha se ai dhe deputetët e tjerë të zgjedhur nuk janë të obliguar të votojnë pro propozimit të Lëvizjes Vetëvendosje për postin e kryeparlamentarit.
“Ne shpresojmë që kjo bllokadë të mos vazhdojë sepse e vërteta është që propozimi i takon grupit paraamentar me numrin më të madh të deputetëve, por nuk është obligative që deputetët ta votojnë”, tha Krasniqi.
“Shpresoj që ata do të mendojnë, do të provojnë të kenë ndonjë kandidat/e tjetër që mund të ketë mbështetje më të madhe”, shtoi ai.
Ai e tha këtë pasi Glauk Konjufca i LVV-së u bëri thirrje të gjithë deputetëve të përkrahin propozimin për herë të dytë të Albulena Haxhiut për kryeparlamentare pasi tha se kjo e drejtë i takon ekskluzivisht partisë fituese të zgjedhjeve.