Showbiz

19-vjeçari në Kinë është pacienti më i ri në botë që diagnostikohet me Alzheimer

Shkruar nga Liberale
19-vjeçari në Kinë është pacienti më i ri

Një ekip studiuesish kinezë thonë se kanë zbuluar pacientin më të ri në botë me sëmundjen Alzheimer. Shkencëtarët nga spitali Xuanwu, i cili është i lidhur me Capital Medical University, publikuan gjetjet e tyre në Journal of Alzheimer's Disease më 31 janar.

Sipas studimit, pacienti 19-vjeçar nga Pekini u diagnostikua me sëmundjen "e mundshme" të Alzheimer-it, pasi përjetoi vështirësi në përqendrim dhe humbje të kujtesës në moshën 17-vjeçare.

Pacienti filloi të vuante nga humbja e kujtesës afatshkurtër një vit më vonë, pa mundur të kujtonte se ku i kishte vendosur gjërat e tij si dhe ngjarjet e një dite më parë. Ai gjithashtu përjetoi reagime të vonuara dhe vështirësi në lexim.

Autorët, të udhëhequr nga Jia Jianping nga Qendra e Inovacionit për Çrregullime Neurologjike të spitalit, thanë se pacienti nuk kishte histori familjare të sëmundjes ose ndonjë shkak tjetër të njohur të dëmtimit të kujtesës, duke e bërë rastin jashtëzakonisht të rrallë.

Në një deklaratë, studiuesit theksuan se si gjetjet e tyre sfidojnë besimin e përhapur se sëmundja e Alzheimerit është ekskluzive për të moshuarit.

"Studimi propozoi t'i kushtohej vëmendje sëmundjes së hershme të Alzheimerit," shpjeguan ata. "Eksplorimi i mistereve të të rinjve me sëmundjen Alzheimer mund të bëhet një nga pyetjet më sfiduese shkencore të së ardhmes."

Sëmundja e hershme e Alzheimerit, e cila prek njerëzit më të rinj se 65 vjeç, konsiderohet e pazakontë pasi përbën vetëm 5-10% të të gjitha rasteve të njohura.

Autorët theksojnë se pothuajse të gjithë pacientët më të rinj se 30 vjeç kanë mutacione të gjeneve patologjike. Pacienti i mëparshëm më i ri i sëmundjes Alzheimer ishte një 21-vjeçar i cili në mënyrë të ngjashme mbante një mutacion të tillë gjenik.

Pacienti adoleshent nga Kina është një rast unik pasi shkencëtarët nuk gjetën ndonjë mutacion gjenetik të njohur tek ai.

“Ky është rasti më i ri i raportuar ndonjëherë për të përmbushur kriteret diagnostike të sëmundjes së Alzheimerit, pa mutacione gjenetike të njohura”, thanë autorët.

Studiuesit zbuluan se një dietë e shëndetshme, aktiviteti njohës, ushtrimet e rregullta fizike, largimi nga alkooli dhe mospirja e duhanit mund të luftojnë rënien e kujtesës pavarësisht pranisë së APOE ε4.

"Dieta e shëndetshme kishte efektin më të fortë mbrojtës në kujtesë, e ndjekur nga një aktivitet njohës dhe ushtrime fizike," vunë në dukje studiuesit në studimin e tyre të botuar në British Medical Journal./Liberale.al

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH