(Sociologia Eris Dhamo)
Krimi makabër i ndodhur më 23 korrik në Fier, ku një vajzë 25-vjeçare vrau babanë e saj dhe nëna ndihmoi në inskenimin e ngjarjes si aksidentale, ka tronditur opinionin publik dhe ka ngritur shumë pikëpyetje mbi gjendjen e shoqërisë, dhunën në familje dhe mungesën e ndërhyrjes institucionale.
Për të analizuar më thellë këtë ngjarje, sociologia Eris Dhamo ishte e ftuar në studion e e Tv Klan.
Sipas Dhamo-s, ngjarje të tilla nuk ndodhin papritur. Ato janë pasojë e një historie të gjatë dhune dhe heshtjeje, që në shumë raste mbahen brenda mureve të shtëpisë.
“Sigurisht që kemi një mbivendosje dhe një agravim të rasteve të dhunës ose zënkave të mëparshme, të një dialogu të ngurtë për të gjetur zgjidhje. Kemi të bëjmë minimalisht me një individ që nuk funksionon normalisht. Nuk është krim i momentit që mund të justifikohet me presion të madh psikologjik, është krim i menduar, i paramenduar, kemi të bëjmë me një individ që unë do thoja që ka një natyrë ‘kriminale’, që shkon përtej zgjidhjes. Këto janë indiciet e para. Këto janë ato çfarë thuhen aktualisht nga autoritetet dhe nuk duhet të nxitojmë. Faktet aktuale tregojnë një impenjim dhe mendim të individit që ka kryer krimin.”, shprehet ajo.
Sociologia thekson se ngjarje të tilla janë pasojë e drejtpërdrejtë e dështimit të shërbimeve sociale dhe mekanizmave institucionalë për mbrojtjen nga dhuna në familje.
“Duhet të jemi më prezent në komunitet. Mos të lejojmë që dhuna të na kthejë mbrapsht dhe pastaj ne të mblidhemi sëbashku dhe të pyesim çfarë ndodhi, pse ndodhi… duhet të jenë sa më të aksesueshme për gratë linjat e këshillimit të grave, shërbimet në dispozicion të grave, në mënyrë që të mos presim agravimin e dhunës dhe të kemi këto raste ekstreme, që ne pastaj të mund të rinisim me edukimin.”, shton ajo.
Duke vënë theksin në mungesën e ndërhyrjes parandaluese, ajo pyet: “Mund të ketë ndodhur për një njeri që nuk është minimalisht në kushte të mira të shëndetit mendor, kemi të bëjmë me një krim makabër, që rrallë ndodhin në mënyrë të menjëhershme. Ka krime të mëparshme? Ku janë institucionet? A janë ato disponibël? Sa të aksesueshme janë? Sa raste të mëparshme kanë zgjidhur? Sa lehtësisht e aksesueshme është drejtësia, në mënyrë që të krijojnë besimin e duhur dhe t’i drejtohen organeve të drejtësisë.”
A është kjo thjesht një vrasje apo një histori bashkëvuajtjeje?
Përfshirja e nënës në krim është një tjetër element tronditës që, sipas Dhamo-s, tregon thellësinë e traumës që kjo familje ka kaluar. Ajo ngre pyetjen nëse vajzën dhe nënën duhet t’i shohim vetëm si kriminele apo edhe si bashkëvuajtëse.
“Një vajzë e cila vret baba, aq më keq një nënë e cila ndihmon vajzën e saj në këtë lloj krimi, ky nuk është thjesht një krim. Për të thënë që shoqëria, institucionet kanë dështuar në të gjitha dimensionet. A kemi të bëjmë vërtet me një krim kaq të ftohtë? Mos ishte një histori e gjatë e dramave në familje, apo erdhi papritur? Mos kemi të bëjmë me një dhunë kronike në familje, sepse kemi dhe përfshirjen e nënës, cili është ambienti që e ka favorizuar, marrëdhëniet e tjera familjare, cili është shkaku? Nuk besoj se mund ta mësojmë shkakun. Pyetja tjetër, a ka bashkëvuajtës të tjerë historia? A duhet parë dhe ajo si bashkëvuajtëse, derisa të vijë në statusin e një krimineli. Është histori e një nëne që ka jetuar me dhimbjen e gjatë dhe duhet të bëjë njanshmëri, është dhunë që s’mund të konsiderohet kurrsesi spontante, por kemi të bëjmë me një akumulim të brengës, mërzisë, pse jo dhe dhunës së ushtruar që është toleruar prej kohësh. Të mos lejojmë një grumbullim mbivendosjesh.”- shprehet sociologia.
Faktorët që ndikojnë
Dhamo thekson se faktorë si mungesa e arsimimit, presioni social, inferioriteti dhe mungesa e empatisë janë thelbësore për të kuptuar si ndodhin këto akte ekstreme.
Ajo shton: “Studimet thonë që me ndërrimin e stinëve, ne kemi elementë të shtuar të çregullimeve psikologjike. Shtohen problemet psikologjike por nuk besoj se i referohemi çështjes për të cilën po flasim.”
Sot Gjykata e Fierit la në burg pa afat nënë e bijë, Valbona dhe Emalinda Rama, për vrasjen e burrit të familjes, Anesti Rama. Si bashkëpunëtor i tyre në qeli u mbyll edhe Çlirim Dogani, 55 vjeç, i cili kishte ardhur në ndihmë vajzës së viktimës./tvklan.al