Përdorimi i duhanit është shkaku kryesor i 16% të të gjitha vdekjeve tek të rriturit e moshës 30 vjeç e lart në Evropë, që është mbi mesataren globale prej 12%. Shumë nga këto vdekje të parakohshme vijnë nga lloje të shumta të kancerit dhe sëmundjeve kardiovaskulare dhe të frymëmarrjes të lidhura me përdorimin e duhanit. Prevalenca e pirjes së duhanit në mesin e popullsisë së moshës 15 vjeç e lart ra midis viteve 2009 dhe 2023, nga 29% në 24%
Objektivi i zhvillimit të qëndrueshëm "Shëndet dhe mirëqenie e mirë" (OZH 3), një objektiv i Bashkimit Europian për vendet anëtare, synon të sigurojë shëndetin dhe të promovojë mirëqenien për njerëzit e të gjitha moshave duke përmirësuar shëndetin riprodhues, të nënës dhe të fëmijës, duke i dhënë fund epidemive të sëmundjeve kryesore ngjitëse dhe duke zvogëluar sëmundjet jo-ngjitëse apo edhe mendore. Ai gjithashtu kërkon zvogëlimin e faktorëve të rrezikut të shëndetit të sjelljes dhe mjedisit.
Një nga treguesit e Eurostat për të matur progresin në OZHQ 3 është prevalenca e pirjes së duhanit në popullatën e moshës 15 vjeç e lart. Në vitin 2023, 24% e popullsisë së BE-së të moshës 15 vjeç e lart pinte duhan, sipas të dhënave zyrtare të Eurostat (Instituti Europian i Statistikave) duke treguar një rënie prej 2 pikësh përqindjeje krahasuar me vitin 2017 (26%). Ndër burrat, përqindja ishte 28%, ndërsa 21% e grave pinin duhan. Ndonëse për Shqipërinë dhe vendet e Ballkanit Perëndimor nuk ka të dhënat, treguesi mbi vendet e tjera, kryesisht Greqinë, është domethënës.
Suedia raportoi përqindjen më të ulët të duhanpirësve (8%) në mesin e popullsisë së moshës 15 vjeç e lart, e ndjekur nga Holanda (11%) dhe Danimarka (14%). Këto 3 vende regjistruan gjithashtu shkallën më të ulët të duhanpirjes si për burrat ashtu edhe për gratë: Suedia (9% e burrave dhe 8% e grave), Holanda (13% dhe 10%) dhe Danimarka (16% dhe 12%).
Nga ana tjetër, Bullgaria kishte përqindjen më të lartë të përgjithshme të duhanpirësve (37%), e ndjekur nga Greqia (36%) dhe Kroacia (35%). Pothuajse gjysma e popullsisë mashkullore pinte duhan në Bullgari (49%), Letoni (48%) dhe Lituani (43%). Ndër gratë, nivelet më të larta të pirjes së duhanit u regjistruan në Greqi (32%), Kroaci (30%) dhe Rumani (29%).
Prevalenca e pirjes së duhanit sipas gjinisë dhe vendit, 2023, % e popullsisë së moshës 15 vjeç e lart (Grafiku)
Në vitin 2023, më shumë burra (28%) sesa gra (21%) raportuan se pinë duhan. Grup-mosha me prevalencën më të lartë të duhanpirësve ishin ata të moshës 25 deri në 39 vjeç (32%), të ndjekur nga ata të moshës 44 deri në 55 vjeç (28%), të rinjtë e moshës 15 deri në 24 vjeç (22%) dhe të moshuarit e moshës 55 vjeç e lart (19%).
Së fundmi, pjesa e duhanpirësve që treguan se kanë probleme me pagesën e faturave shumicën e kohës ishte më e lartë se pjesa e duhanpirësve që thanë se (pothuajse) nuk kanë kurrë probleme me pagesën e faturave