Drita që ndriçoi me përkushtim edukimin dhe kulturën shqiptare - Kujtime dhe reflektime për Drita IVANAJ
Më 31 korrik 2025, në moshën 92-vjeçare, u nda nga jeta një prej grave më të jashtëzakonshme që historia moderne shqiptare ka njohur, Drita Ivanaj-n. E lindur në një familje me tradita të thella atdhetarie dhe përkushtimi ndaj dijes, Drita ishte jo vetëm trashëgimtare e një emri të madh, por edhe një zë i fuqishëm i kohës së saj, që ia kushtoi jetën ruajtjes së vlerave, edukimit dhe trashëgimisë kombëtare.
Si themeluese dhe drejtore e Fondacioneve Ivanaj, ajo luajti një rol të rëndësishëm në ringjalljen e vlerave të familjes së njohur Ivanaj dhe në mbështetjen e brezave të rinj përmes projekteve edukative dhe kulturore.
Nga Benson Begaj *
Kush ishte Drita Ivanaj dhe çfarë përfaqësonte ajo?
Drita Ivanaj ishte një figurë me përmasa historike e shpirt të pathyeshëm, pasardhëse e një prej familjeve më të ndritura të kulturës dhe drejtësisë shqiptare. Ajo ishte vajza e Dr. Martin Ivanaj, juristi i shquar që shërbeu si kryetar i parë i Gjykatës së Lartë Shqiptare, dhe mbesa e Dr. Mirash Ivanaj, ish-Ministër i Arsimit, i njohur si "Reformatori i Arsimit Shqiptar", i cili vuri themelet e sistemit modern arsimor në Shqipëri.
Jeta e saj ishte një udhëtim i gjatë dhe i dhimbshëm përmes përndjekjes, mërgimit dhe sfidave, por gjithmonë e udhëhequr nga qëllimi i lartë për t’i shërbyer kombit. Pas pushtimit fashist të Shqipërisë më 7 prill 1939, Drita, vetëm 5 vjeç, u detyrua të largohej nga atdheu. Jeta e saj vazhdoi mes Italisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku ndonëse fizikisht larg Shqipërisë, shpirtërisht mbeti gjithmonë e lidhur me të.
Pavarësisht largësisë, ajo nuk reshti së mbajtur gjallë kujtimin dhe kontributin e familjes Ivanaj. Këtij qëllimi ia kushtoi gjithë jetën e saj: themelimin e dy fondacioneve simotër, “M&M Ivanaj Foundation” në New York dhe në Tiranë, me misionin për të avancuar të ardhmen e të rinjve shqiptarë nëpërmjet edukimit dhe kulturës.
Në vitin 1993, ajo u rikthye përfundimisht në Shqipëri, në vendin që e kishte braktisur padrejtësisht prej dekadash. Në zonën e Tiranës së Re, ne zemër të Ish-Bllokut, mbi themelet e vilës dykatëshe të familjes së saj, ku ajo kishte kaluar vitet e para të jetës, Drita themeloi selinë e Fondacionit Ivanaj në Tiranë, duke kthyer atë vend në një qendër të gjallë kulturore dhe edukative për të rinjtë.
Ajo ndoqi gjurmët e paraardhësve të saj dhe u bë vetë një urë lidhëse midis brezave, që nga trashëgimia e së kaluarës deri te shpresat për të ardhmen. Vepra e saj jeton përmes qindra aktiviteteve, projekteve, bursave dhe programeve që Fondacionet Ivanaj kanë zhvilluar dhe do të vazhdojnë të zhvillojnë.
Si trashëgimtare e një prej familjeve më të përkushtuara ndaj arsimit në vendin tonë, a do të vazhdojë Fondacioni Ivanaj misionin e nisur prej saj?
PO. Drita Ivanaj mund të jetë fizikisht larguar nga kjo botë, por vepra dhe ideali i saj do të jetojnë gjatë, sepse ajo la pas një trashëgimi të gjallë - Fondacionet Ivanaj, të ndërtuara si një vazhdimësi natyrale e misionit të familjes së saj.
Këto fondacione nuk janë thjesht një simbol nderimi për emrin Ivanaj, por janë motorrë aktivë të zhvillimit intelektual, kulturor dhe social të rinisë shqiptare. Ato janë krijuar për të përmbushur një qëllim të qartë dhe të qëndrueshëm: të ruajnë dhe zhvillojnë trashëgiminë e familjes Ivanaj në shërbim të brezave të rinj dhe të përgatitjes së një Shqipërie më të ndritur.
Drita ishte e fundit e familjes Ivanaj, por jo e fundit që do të kujtohet. Falë vizionit të saj, ky emër do të vazhdojë të shkëlqejë përmes punës që fondacionet do të vazhdojnë të bëjnë në fusha kyçe si arsimi, kultura, zhvillimi qytetar dhe teknologjia.
Cili ishte mesazhi apo amaneti i saj?
Drita Ivanaj e besonte fuqishëm potencialin e rinisë shqiptare. Për të, të rinjtë përfaqësonin shpresën e vetme dhe të vërtetë të Shqipërisë. Mesazhi i saj ishte i qartë:
“Besoni tek ëndrrat tuaja. Kultivoni ato. Mos ikni. Shqipëria ka nevojë për ju.”
Amaneti i saj për brezin e ri ishte të mos dorëzohet përballë vështirësive, të qëndrojë në vendin e vet dhe të kontribuojë për ta ndërtuar atë nga brenda. Drita Ivanaj donte që çdo i ri shqiptar të ndjejë se ka një vend ku mund të zhvillohet dhe të jetë pjesë aktive e shoqërisë, dhe ajo ia dedikoi një pjesë të mirë të jetës së saj pikërisht krijimit të këtij vendi, një qendër kulturore-edukative ku të rinjtë të mund të formësojnë identitetin e tyre, të përballen me sfidat, dhe të kultivojnë endërrat e tyre.
Një jetë, një emër, një trashëgimi
Drita Ivanaj nuk ishte thjesht një grua me një mbiemër të njohur. Ajo ishte një forcë lëvizëse, një dritë që nuk u shua kurrë, edhe në momentet më të errëta të jetës së saj. Me largimin e saj, Shqipëria humbi një zë të rrallë, por fitoi një model frymëzimi që do të mbetet përjetësisht.
Ajo ishte dhe do të mbetet një simbol i dijes, përkushtimit dhe dashurisë për vendin. Trashëgimia e saj, e mishëruar në veprën dhe frymën e Fondacioneve Ivanaj, do të vazhdojë të ndriçojë udhën e qindra të rinjve shqiptarë drejt një të ardhmeje më të mirë.
* Benson Begaj ka punuar pranë FONDACIONIT “IVANAJ” gjatë viteve të fundit dhe ka ndarë me zonjën IVANAJ një pjesë të rrugëtimit të saj në shërbim të të rinjve shqiptarë dhe projekteve me interes kombëtar/ publik