Të gjithë maturantët që duan të ndjekin studimet e larta në universitetet publike dhe private në vend, kanë afat vetëm deri sot, më 3 gusht, për të përfunduar aplikimin në portalin zyrtar “U-Albania”.
Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, përmes një postimi në rrjetet sociale u ka kujtuar maturantëve rëndësinë e këtij afati, duke theksuar se procesi i aplikimit kryhet plotësisht online, përmes portalit u-albania.al.
Por para zgjedhjes së degëve, kandidatët duhet të kenë kryer më parë pagesën e tarifës së aplikimit, që është 2000 lekë. Kjo pagesë duhej të përfundonte deri më 28 korrik, në Postën Shqiptare ose në bankat e nivelit të dytë, me faturën e shkarkuar nga portali.
Pas verifikimit të pagesës nga sekretaritë e shkollave, kandidatët kanë pasur mundësinë të aplikojnë në periudhën 29 korrik – 3 gusht, duke përzgjedhur deri në 10 programe studimi, të renditura sipas preferencës.
Nga 29 gusht deri më 11 shtator, do të zhvillohet fazë regjistrimi, ku do të shpallen renditjet në 7 faza 48-orëshe, për të mundësuar zgjedhjen e degës ku maturantët do të regjistrohen.
Pas kësaj periudhe, nga 12 deri më 13 shtator, maturantët kanë mundësinë të kryejnë çregjistrimin, nëse duan të aplikojnë në raundin e dytë ose për arsye të tjera.