Zëdhënësi i qeverisë Pavlos Marinakis ka kritikuar një hartë të botuar nga revista shqiptare, Ushtria, organ i ministrisë së Mbrojtjes, që përshkruan territoret greke si pjesë të Shqipërisë.
Marinakis e përshkroi hartën si "ahistorike" dhe konfirmoi se Greqia ka lëshuar një protestë zyrtare ndaj palës shqiptare.
"Greqia nënvizon se publikime të tilla mund të kenë vetëm një ndikim negativ," tha ai gjatë një konference për shtyp për redaktorët politikë.
"Publikimi në një revistë online nuk pasqyron qëndrimin zyrtar të qeverisë shqiptare."
Çfarë ndodhi?
Harta e “Shqipërisë së Madhe” në gazetën “Ushtria” pas presionit grek duket se ka ndikuar menjëherë te zyrtarët e ministrisë së mbrojtjes në Shqipëri të cilët kanë nxituar ta zhdukin numrin e datës 18 korrik. Nga një kërkim i lapsi.al në faqen online të ministrisë së Mbrojtjes ky numër nuk gjendet.
Nuk dihet se çfarë qëndrimi ka mbajtur ministri i Mbrojtjes Piro Vëngu që ka edhe pasaportë greke. Në vitet 2013 – 2017 kur mbante detyrën e shefit të kabinetit në Ministrinë e Jashtme gjatë qeverisjes “Rama 1”, Vengut i erdhi ftesë nga shteti fqinj për të kryer shërbimin ushtarak, në Greqi, ftesë të cilën e refuzoi.
Mediat greke
Gazeta e njohur greke “Protothema” por edhe portalentë tjere helene i kushtuan vëmendje publikimit të hartës së “Shqipërisë së madhe” nga gazeta “Ushtria” që është një organ zyrtar i ministrisë shqiptare të Mbrojtjes.
Sipas gazetës greke gjithçka ka ndodhur në numrin e botuar në 18 korrik në faqen 12 të gazetës.
Në atë botim ka pasur një shkrim për Kongresin e Berlinit të vitit 1878-ës dhe ku u rrudhën kufijtë e vendit tonë. Për mediat greke kjo është “një hartë e madhe dhe të shëmtuar e Shqipërisë së Madhe që përfshin të gjithë Epirin, deri në Prevezë dhe Arta, prefekturat e Kosturit, Follorinës dhe Grevenës, disa pjesë të tjera të Maqedonisë Perëndimore dhe Korfuzin”. Më e rënda sipas saj është që kjo botohet në organin zyrtar të një ministrie.