Politikë

“ZGJEDHORJA”, edhe një javë kohë, por kompromisi PS-PD jep pak shpresa për ndryshimet në kod

Shkruar nga Liberale
“ZGJEDHORJA”, edhe një javë kohë, por kompromisi

Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike së udhëhequr nga ish-lryeministri Sali Berisha i ka mbetur edhe një javë kohë për të arritur një ujdi mbi “zgjedhoren”, por duket se palët nuk duan të ndryshojnë asgjë sa i përket Kodit.

Plani i punës i përcaktuar nga grupi i dialogut parashikon që deri në 1 korrik qeveria dhe opozita të kenë një propozim të dakordësuar për të bërë ndryshime në kodin zgjedhor brenda këtij sesioni parlamentar.

Për herë të fundit gjashtëshja e grupit për reformën zgjedhore e udhëhequr nga Damian Gjiknuri nga PS dhe Oerd Bylykbashi nga PD u ulën në tryezën e diskutimit në mesin e majit.

Prej më shumë se një muaji shumica socialiste dhe demokratët në opozitë nuk kanë zhvilluar asnjë takim tjetër, të paktën zyrtarisht.

Të pyetur nga Vizion Plus nëse javën e ardhshme do të të rimblidhen për të vendosur se çfarë do të bëhet me ndryshimet e kërkuara në kodin zgjedhor nga Gjykata Kushtetuese dhe rekomandimet e OSBE-ODIHR, Gjiknuri dhe Bylkbashi thanë se nuk është vendosur as për datë e as për përmbajtjen që është edhe thelbi.

Në tryezën e dialogut opozita kërkon rikthimin e koalicioneve me listë të përbërë. Deri më tani socialistët nuk kanë treguar asnjë vullnet për t’ia përmbushur këtë kërkesë demokratëve që e kanë dhe kryebetejën zgjedhore.

Të ndarë janë edhe në zbatimin e votës së diasporës. As propozimi i Ilirjan Celibashit, komisionerit shtetëror të zgjedhjeve nuk e bashkoi politikën. Ngërçi është te mënyra e regjistrimit dhe votimit. PS e do përmes e-albania dhe postës shqiptare, PD përmes KQZ-së dhe një poste ndërkombëtare. Dështimi duket më i mundur se realizimi i votës së diasporës.

Pa zgjidhje mbetet përllogaritja e mandatit të deputetit. Herësi u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese. Burime për Vizion Plus bëjnë me dije se nëse grupi politik nuk del me një vendim, zgjidhjen do ta bëjë KQZ. Ajo do të zbatojë kushtetutën sipas së cilës 1 e 3 e parë e listës së kandidatëve për deputet do të jetë e mbyllur dhe të gjithë ata që renditen pas saj do të luftojnë për të marrë sa më shumë vota për të fituar karrigen e parlamentarit.

Më pak se një vit nga parlamentaret e 2025-ës politika ende nuk ka vendosur për ndryshime në kodin zgjedhor. Përpjekja e parë me komisionit e posaçëm për zgjedhoren dështoi. Këtij grupi politik i kanë mbetur edhe pak javë para se parlamenti të marrë pushimet për t’i vënë vulën e dështimit të dytë ose të marrëveshjes.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH