Jorida Tabaku ka dhënë sërish një mendim për aksionin e hapësirave publike. Për të po goditen kioska dhe aktivitete të vogla, kurse për të ndërtesat nga klientët e pushtetit nuk preken. Për të Shqipëria në BE kërkon institucione të barabarta për të gjithë, reforma të thella dhe jo show televiziv. ”Aksioni i qeverisë nuk është për zbatim të ligjit, por për të mbuluar gabimet dhe shkeljet që vetë pushteti ka toleruar ose nxitur. Përpjekje për të fituar pikë politike në kurriz të të pambrojturve. Dhe në këtë proces, dëmtohet jo vetëm qytetari, por edhe besimi ndaj shtetit”,-shkruan Tabaku.
Barazia para ligjit është një nga vlerat themelore të Bashkimit Europian. Një nga shtyllat e një demokracie funksionale. Për fat të keq, aksioni më i fundit i qeverisë për “çlirimin” e hapësirave publike nuk është dëshmi e shtetit të së drejtës, por një tjetër shembull i drejtësisë selektive. Aty ku ligji aplikohet vetëm ndaj të dobëtve, ndërsa të fortët mbeten të paprekur.
Ndërhyrjet godasin kioska, tenda apo aktivitete të vogla, ndërsa ndërtesat pa leje të ndërtuara nga klientët e pushtetit nuk preken. Kompanitë e mëdha që kanë zënë hapësira publike prej vitesh nuk ndëshkohen. Asnjë pallat i ndërtuar nga klientela nuk është shembur. Asnjë koncesionar nuk është penalizuar.
A nuk janë këto ndërtime produkt i 12 viteve të kësaj qeverie? A nuk janë ndërtuar me heshtjen, miratimin apo bekimin e pushtetit vendor dhe qendror? Aksioni i qeverisë nuk është për zbatim të ligjit, por për të mbuluar gabimet dhe shkeljet që vetë pushteti ka toleruar ose nxitur. Është përpjekje për të fituar pikë politike në kurriz të të pambrojturve. Dhe në këtë proces, dëmtohet jo vetëm qytetari, por edhe besimi ndaj shtetit.
Çfarë është më e vërteta nuk kemi të bëjmë me një rrugë drejt integrimit europian. Shqipëria në BE kërkon institucione të barabarta për të gjithë. Kërkon reforma të thella, jo show televiziv. Kërkon lidership që nuk përdor ligjin si armë kundër të dobëtit, por si garanci për drejtësi për të gjithë. Integrimi nuk është retorikë politike, por një kontratë serioze për reforma. Shqipëria nuk ka nevojë për aksione selektive, por për institucione që nuk ulin kokën përpara të fortëve.