Në buxhetin e vitit 2025, të gjitha ministritë siguruan rritje të fondeve, me përjashtim të Ministrisë së Drejtësisë, e cila do të menaxhojë 143 milionë Euro, ose 3% më pak se viti 2024.
Në një kohë kur sistemi i drejtësisë ka vakanca dhe sfidat ashtu sikurse pritshmëritë e ndërkombëtarëve janë më të mëdha, Shqipëria ka ulur buxhetin, duke afruar më pak para në dispozicion të hetimit apo të gjykimit.
Nga ana tjetër buxheti i shtetit duket se ka gjetur para dhe ka paguar ekspertë për hartimin e draftit të Kodit të ri Penal, i cili pavarësisht nga domosdoshmëria e tij, me siguri do të hidhet poshtë nga Bashkimi Europian, për arsyen e thjeshtë sepse nuk është konsultuar me grupet e interesit.
Sot zyra e shtypit e Bashkimit Europian në Tiranë bëri të ditur se as ajo vetë nuk është në dijeni të një drafti të tillë.
Ndërkohë që për një qasje me ligjet dhe rregullat e brendshme të BE-në, një raport i fundit i Komisionit Europian zbulon sesa me rëndësi është transparenca për publikun, që nga paratë e shpenzuara dhe deri te eficenca. Të dhënat për një transparencë, duke nisur nga numri i prokurorëve dhe i gjyqtarëve deri te pagat e tyre në raport me popullsinë dhe ekonominë, eficenca e vendimarrjes etj, fatkeqësisht nuk i zotëron asnjë institucion i vendit tonë çka do të thotë se përpjekja për të kapur në letër Europën në një kohë kur Shqipëria është gjeografikisht në Europë, duke u fshehur pas ligjeve të saj, që ndryshojnë nga njëri vend në tjetrin, dhe jo zbatimit, është një mision i dështuar.
Raporti i KiE i vitit 2024 thekson se pjesa e buxhetit të ndarë për drejtësinë në shumicën e vendeve evropiane mbetet e ulët krahasuar me sektorët e tjerë publikë, duke përfaqësuar rreth 0.31% të PBB-së. Mesatarisht, secili vend shpenzon 85.4 euro për banor në sistemin e tij të drejtësisë (7.31 euro më shumë se në vitin 2020).
Vendet më të pasura në përgjithësi ndajnë një buxhet më të lartë për sistemin e drejtësisë, ndonjëherë duke tejkaluar 200 € për banor, ndërsa vendet më pak të pasura i kushtojnë drejtësisë një përqindje më të lartë të PBB-së së tyre, duke reflektuar një përpjekje më të madhe në lidhje me burimet e tyre ekonomike.
Mesatarisht, 2/3 e buxhetit të sistemit gjyqësor shpenzohet për gjykatat, 25% për shërbimet e prokurorisë publike dhe pjesa tjetër për ndihmën ligjore (11%). Pavarësisht rritjeve prej 11.74% dhe 18.75% përkatësisht në buxhetet e gjykatave dhe prokurorive publike, ka pasur një rënie të dukshme prej 16% në shpenzimet për ndihmën ligjore që nga viti 2020. Vendet më të pasura (me një PBB për banor mbi 20,000 €) në përgjithësi investojnë më shumë në ndihmën ligjore, me një mesatare prej 24% të buxhetit gjyqësor të ndarë për ndihmën ligjore, krahasuar me vetëm 3% në vendet më pak të pasura.
Në vitin 2022, Evropa kishte një mesatare prej 22 gjyqtarë, 12 prokurorë publikë dhe 180 avokatë për 100,000 banorë. Megjithatë, ka dallime të mëdha midis vendeve, veçanërisht në lidhje me gjyqtarët, për shkak të karakteristikave specifike kombëtare të sistemeve gjyqësore, ekzistencës së gjyqtarëve porotë (në 54% të shteteve anëtare dhe entiteteve), rolit të Rechtspfleger (në 35% të shteteve anëtare dhe entiteteve) dhe numrit dhe detyrave të stafit jo-gjyqtar që ndihmon gjyqtarët.
Në Evropë ka më shumë gjyqtare dhe prokurore gra sesa burra (57% e gjyqtarëve profesionistë dhe 54% e prokurorëve publikë janë gra), dhe përqindja e gjyqtareve gra të rekrutuara rishtazi është edhe më e lartë se përqindja ekzistuese në 24 nga 32 vende (në 17 nga 27 vendet anëtare për prokurorët publikë).
Midis viteve 2012 dhe 2022, pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve publikë si përqindje e pagave mesatare u rritën pak në Evropë, megjithëse pati pabarazi të konsiderueshme, madje në disa vende pësuan ulje. Mesatarisht, paga bruto e gjyqtarëve është 2.5 herë më e lartë se paga mesatare kombëtare në fillim të karrierës së tyre dhe 4.9 herë më e lartë në fund të karrierës. Nga ana tjetër, paga bruto e prokurorëve publikë në fillim të karrierës së tyre është mesatarisht 1.9 herë më e lartë se paga mesatare kombëtare, me këtë raport që është 3.7 në nivelin e Gjykatës Supreme.