Politikë

REAGIMET - Ish-ministri i Jashtëm BUSHATI dënon heshtjen e maqedonasve si dëshmitarë të “galerisë së turpit”

Shkruar nga Liberale

REAGIMET - Ish-ministri i Jashtëm BUSHATI dënon heshtjen e maqedonasve

Ambasadori i Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut, Denion Meidani, ka reaguar gjithashtu për incidentin në Kumanovë, ku ndeshja e basketbollit u dominua nga kore raciste.

“Gjuha e urrejtjes nuk ka vend në sport, as në shoqëri. Thirrjet fyese në Kumanovë janë alarm për të gjithë ne.
Bashkëjetesa kërkon angazhim të përditshëm, respekt për rregullat e lojës dhe për njëri-tjetrin — jo vetëm në tribuna, por kudo. Po ndjek me vëmendje reagimet institucionale dhe pres që autoritetet më të larta të Maqedonisë së Veriut të flasin qartë, fort dhe me përgjegjësi”, thotë Denion Meidani.

Ish-ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati, ka dënuar gjithashtu thirrjet raciste të tifozëve maqedonas në Kumanovë, në ndeshjen e basketbollit mes Maqedonisë së Veriut dhe Rumanisë.

Postimi i Ditmir Bushatit
Ajo që ndodhi gjatë ndeshjes së basketbollit në Kumanovë ishte një manifestim i qartë i urrejtjes etnike. Thirrjet “Shqiptar i mirë, shqiptar i vdekur” dhe “Dhoma gazi për shqiptarët” nuk janë vetëm fyese, por përbëjnë një kërcënim serioz për bashkëjetesën demokratike dhe barazinë mes maqedonasve dhe shqiptarëve si dy komunitete shtetndërtuese në BE. Për më tepër, heshtja e zyrtarëve të lartë që ishin dëshmitarë të kësaj “galerie turpi” është e papranueshme. Dëshmi e faktit se nuk kanë nxjerrë mësimet e duhura nga ngjarjet e hidhura të së kaluarës.

Reagimi i Bujar Osmanit

Nënkryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Bujar Osmani, reagoi pas incidentit në Kumanovë ku janë dëgjuar thirrje raciste dhe anti-shqiptare.
Osmani tha se me këtë veprim të mos reagimit, Mickoski ka humbur mundësinë të tregojë se është kryeministër i të gjithëve.
Ai thase thirrjet për “vdekje për shqiptarët”, për “dhoma gazi” dhe për “Maqedoni të pastër”, para një delegacioni të gjerë qeveritar të kryesuar nga Kryeministri, përbëjnë skandal për të cilin duhet të reagojnë të gjithë.

“Mungesa e reagimit nga vetë Kryeministri dhe nga Qeveria, dërgon një mesazh edhe më shqetësues për normalizimin e këtyre trendeve.
Mickoski e humbi mundësinë të tregojë se është Kryeministër i të gjithë qytetarëve, dhe se të paktën simbolikisht është i shqetësuar për fyerjet dhe kërcënimet drejtuar shqiptarëve në vend. Ai duhej të largohej menjëherë nga salla, ose, në minimum, të reagonte publikisht në rrjetet sociale duke i dënuar këto thirrje; gjithashtu, Qeveria humbi rastin të dërgojë një reagim zyrtar, ndërkohë që kemi parë se është në gjendje të prodhojë edhe seri njoftimesh për nevoja shumë më të vogla. Ky skandal në tribunat e Kumanovës nuk është rast i izoluar, por një tjetër në vargun e ngjarjeve me të cilat pushteti ose e nxit, ose në minimum e normalizon retorikën anti-shqiptare në shoqëri. Le të kujtojmë rastin e Bogevskit, partnerit të koalicionit i cili u bë i njohur për fyerje dhe poshtërime ndaj shqiptarëve, dhe më pas u shpërblye e u mbrojt nga vetë Kryeministri. Këto janë tendenca të rrezikshme dhe shqetësuese, dhe ata që ia duan të mirën vendit nuk duhet t’i tolerojnë këto shpërthime, por duhet t’i dënojnë qartë dhe pa ekuivok”, tha Osmani.

Reagimi i VMRO-DPMNE-së
Pas gjuhës së urrejtjes dhe thirrjeve anti-shqiptare në Kumanvoë, ka ardhur edhe reagimi i VMRO-DPMNE-së. Deputeti i kësaj partie, Bojan Petrushevski, ka dënuar thirrje duke thënë se bëhet fjalë për një grup të vogël qytetarësh.
“Në këtë kontekst, ne dënojmë çdo lloj shpërthimi nacionalist dhe gjuhë urrejtjeje, pa marrë parasysh se nga cila anë vijnë. Keqpërdorime të tilla i shërbejnë të gjitha rrymave dhe strukturave politike që për dekada kanë ndjekur një politikë urrejtjeje ndaj njëra-tjetrës.
Nacionalizmi dhe gjuha e urrejtjes janë mbrojtja më e mirë e krimit të atyre strukturave që për vite të tëra kanë abuzuar me marrëdhëniet ndëretnike dhe tani e shohin këtë si mundësi për të shpëtuar karrierat dhe ekzistencën e tyre në politikë.
Qëllimi ynë është të bashkohemi për përparimin dhe të ardhmen e përbashkët të Maqedonisë.”, ka deklaruar Petrushevski.

Liberale Newsroom

A duhet të ishin porositur më herët helikopterë për menaxhimin e zjarreve, në vend të investimit për satelitët “Albania 1” dhe “Albania2”

  • Po!
  • Jo!
Powered by the Tomorrow.io Weather API
SHQIPENGLISH