Politikë

PROTAGONISTI I DITËS- ”Engjëlli” i Kryeministrit në rrjetën e RAI-t

Shkruar nga Reldar Dedaj
PROTAGONISTI I DITËS- ”Engjëlli” i Kryeministrit në

Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave Engjëll Agaçi është pothuajse një person i panjohur për pjesën më të madhe të shqiptarëve. Megjithatë ka shumë zëra të rëndësishëm në korridoret e politikës që thonë prej vitesh se në historinë e 30 viteve postkomunizëm nuk ka asnjë personazh hije të ketë rëndësinë e tij.

Për të vërtetuar këtë pandehmë, të njëjtët zëra, të kujtojnë faktin se në këtë detyrë ka qenë edhe Fatmir Xhafaj, por fuqia e tij politike u rrit vetëm pasi iku nga kjo detyrë. Ndërsa personazhi në fjalë, i cili nuk ka pasur kurrë një detyrë të lartë, nuk është votuar kurrë nga socialistët apo qytetarët shqiptarë, e zotëron një fuqi të tillë ndoshta edhe për shkak të detyrës si Sekretar i Përgjithshëm.

Këtu mjafton për të kujtuar vetëm faktin se tre ditë pasi kishte marrë mandatin e kryeministrit, Edi Rama, bëri prezantimin e parë të stafit të tij si Sekretar të Përgjithshëm, Engjëll Agaçin.

Po ashtu, kujtojmë se në një tryezë të rëndësishme të koalicionit qeveritar ku ishin të pranishëm dy krerët, Edi Rama dhe Ilir Meta, ajo që ra më shumë në sy, ishte prezenca e një njeriu që publiku nuk e njihte.

Fjala është për z.Agaçi, i cili mban që nga 2013-ta detyrën e Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Ministrave, ose thënë ndryshe njeriu më i besuar i Ramës dhe këshilltari i tij më i afërt.

Megjithatë, hijet mbesin gjithmonë pas dhe, duke qenë të tilla, edhe zbulohen. Emisioni investigativ “Report” të RAI 3 trajtoi mbrëmjen e së dielës marrëveshjen mes Shqipërisë dhe Italisë për çështjen e emigrantëve. Në investigimin e RAI-it u shfaq Engjëll Agaçi si personi kyç i kësaj marrëveshje mes dy kryeministrave, marrëveshje e cila nuk ka patur transparencën e duhur nga asnjëra palë.

Duke u ndalur te marrëveshja Rama-Meloni për refugjatët, RAI 3 thekson se pakti mund të kushtojë rreth 1 miliardë euro, pa zgjidhur asnjë problem dhe me rrezikun që një pjesë e këtyre parave të sekuestrohet nga një sipërmarrës i njohur italian, i cili mburret me kredi në Tiranë.

Në një investigim nga gazetari Giorgio Mottola, raporti bëri llogaritjen e operacionit të emigrantëve në Shqipëri dhe zbuloi “një seri mospërputhjesh”.

Nga dokumentet e konsultuara del se krahasuar me 36 mijë emigrantë të parashikuar nga Meloni, dy qendrat e pritjes shqiptare do të presin maksimumi 2822 emigrantë, duke qenë se kapaciteti maksimal është më pak se një mijë persona.

Përpos zbulimit të llogaritjeve të operacionit të emigrantëve në Shqipëri ku përmenden “një seri mospërputhjesh”, është theksuar dhe se identiteti i njeriut kyç i marrëveshjes është Engjëll Agaçi.

Ai është cilësuar edhe si “ish-avokat i eksponentëve kryesorë të mafies shqiptare në Itali, në qendër të një tentative të bujshme për të korruptuar kreun e Interpolit të Romës”.

Në një reagim për gazetën italiane “La Repubblica”, Agaçi ka paralajmëruar se do bëjë padi për shpifje ndaj emisionit duke theksuar se e ka lënë detyrën ligjore 10 vjet më parë.

“Kam lënë detyrën ligjore dhjetë vjet më parë dhe krahasimi i bërë nga programi televiziv Report është shumë i dëmshëm për reputacionin tim. Unë kam udhëzuar tashmë avokatët e mi italianë që të ngrenë një padi për shpifje kundër programit televiziv shtetëror italian. Burimet duhet të verifikohen dhe po ashtu edhe lajmet”, ka thënë Agaçi në reagim.

Ai ka jetuar në Romë, ka studiuar Drejtësi dhe nga viti 2003 iu bashkua Urdhrit të Avokatëve të kryeqytetit italian. Ai gjithashtu kishte zyrën e tij të avokatisë në një nga zonat më të pasura të Romës, në Parioli.

Emri i tij është lakuar nga shtypi pasi ka qenë avokat mbrojtës i ish-kryeministrit Fatos Nanos në një gjyq për shpifje kundër mediave italiane të Grupit L’Espresso dhe L’Unità, gjyq që Agaçi e ka fituar në favor të Nanos.

Gjithashtu ai ka qenë mbrojtës ligjor i çështjes së 27 familjeve të viktimave në procesin e gjatë gjyqësor të tragjedisë së Otrantos. Gjatë kohës që punonte si avokat  në Itali, ai ka ofruar konsulencë legale edhe Ambasadës së Shqipërisë në Romë.

Këto mund të kenë qenë dhe momentet që e kanë lidhur me njerëzit e politikës në Tiranë dhe me vetë Ramën. Megjithëse nuk dihet se si ata të dy janë takuar, Rama sapo u bë kryeministër i ofroi një nga detyrat më të rëndësishme administrative.

Në prezantimin që i bëri atëkohë Engjëll Agaçit, kryeministri Rama shprehu bindjen se falë tij, “puna me draftet e reformave e të ligjeve do të njohë një cilësi të re dhe fryma e skuadrës vetëm do të fuqizohet falë kulturës së tij të jashtëzakonshme profesionale e qytetare”.

E vetmja foto e Agaçit që gjendet lehtësisht në internet është ajo që i ka publikuar Rama në facebook, ku ka dhe një përshkrim të kryeministrit për të.
Agaçi nuk ka një profil publik, asnjë dalje në media, por emri i tij është dëgjuar ndonjëherë në akuzat e Sali Berishës në Kuvend./Liberale.al/
 
 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH