Partia Demokratike ka reaguar ashpër ndaj thirrjeve antishqiptare të bëra gjatë një ngjarjeje publike në qytetin e Kumanovës, në Maqedoninë e Veriut. Në një deklaratë për media, PD i ka cilësuar këto thirrje si “akte racizmi të pastër dhe nacionalizëm primitiv kundër shqiptarëve”.
Kryetari i PD-së, Sali Berisha, reagoi gjithashtu në rrjete sociale, duke e përshkruar ngjarjen si një sulm të rëndë ndaj etnisë shqiptare dhe rendit kushtetues të Maqedonisë së Veriut.
“Partia Demokratike dënon me forcën më të madhe thirrjet barbare primitive antishqiptare në Kumanovë, si dëshmi e racizmit dhe nacionalizmit primitiv kundër etnisë shqiptare, që jeton në trojet e veta prej shekujsh,” shkroi Berisha në Facebook.
Sipas PD-së, këto akte përçajnë bashkëjetesën dhe janë të papranueshme në një shoqëri demokratike dhe shumetnike si ajo e Maqedonisë së Veriut.
Partia Demokratike shprehu mbështetje të plotë për reagimet e drejtuesve dhe partive shqiptare në Maqedoninë e Veriut, si dhe për institucionet shtetërore që, sipas saj, kanë detyrimin të garantojnë barazi dhe siguri për të gjithë qytetarët pa dallim etnie.
PD u bëri thirrje autoriteteve të Maqedonisë së Veriut që të veprojnë menjëherë për të ndëshkuar autorët dhe për të parandaluar përsëritjen e incidenteve të tilla në të ardhmen.