Në një intervistë për “Inside Albania”, Linda Rama ndau mendimet e saj mbi rolin e grave në politikë dhe në jetën publike, duke dhënë këshilla të rëndësishme për vajzat dhe gratë që synojnë të angazhohen në këto fusha. Ajo theksoi rëndësinë e integritetit personal dhe forcës së profilit profesional si çelës për sukses.
“Obsesioni ynë duhet të jetë profili dhe jo vetëm numri i grave,” tha Linda Rama, duke nënvizuar se përfaqësimi gjinor nuk mjafton nëse nuk shoqërohet me dinjitet, aftësi dhe përgjegjësi.
Ajo u shpreh se konkurrenca është pjesë e pandashme e demokracisë dhe se gratë duhet të jenë të përgatitura të përballen me të, të fitojnë me meritë dhe të pranojnë humbjen në mënyrë të dinjitetshme. Linda Rama shtoi se çdo votë dhe çdo rezultat zgjedhor duhet të respektohet, pasi kjo është baza e demokracisë së vërtetë.
Duke reflektuar mbi angazhimin e saj personal, ajo tha se “kam kuptuar shumë herët që për të hyrë në politikë duhet të jesh fituese”, ndaj ka zgjedhur të kontribuojë kryesisht përmes shoqërisë civile dhe fushës akademike, ku ndihet më e dobishme dhe më e lirë për të dhënë idetë dhe përvojën e saj.
Një mesazh i fortë që Linda Rama përcolli ishte kundër tendencës që disa gra të kërkojnë mbështetje vetëm mbi baza gjinore. Ajo theksoi se solidariteti mes grave duhet të ndërtohet mbi vlera të përbashkëta dhe integritet, jo mbi identitete apo origjinë.
“Vetëm të jesh grua nuk të jep të drejtë për të sfiduar rregullat e demokracisë apo për të shmangur përgjegjësinë,”u shpreh ajo, duke shtuar se shoqëria pret nga gratë cilësi dhe standarde më të larta, sepse ato duhet të fitojnë respektin përmes punës dhe integritetit.
Linda Rama bëri thirrje për ndërtimin e një profili të fortë dhe serioz për gratë në politikë dhe në çdo fushë, që të shërbejë si frymëzim për gjeneratat e reja, duke ruajtur thelbin dhe karakterin e tyre, pa u detyruar të ndryshojnë për të ecur përpara.
Në fund, ajo vlerësoi punën dhe përkushtimin e shumë profesionistëve që janë në administratën publike, duke theksuar se shumë prej tyre do të kishin qenë politikanë të shkëlqyer nëse do t’u jepej mundësia.
“Është përgjegjësi e politikanëve dhe e të gjithë atyre që janë në pozicione udhëheqëse të japin maksimumin, për të nderuar besimin që njerëzit ua kanë dhënë,” tha Linda Rama, duke shtuar se Shqipëria ka nevojë për më shumë profesionalizëm dhe meritokraci në çdo nivel.